Tiranë: Tre të vrarë, tensione të larta

(Shënim: Pamjet përmbajnë skena dhune)

http://www.youtube.com/embed/ZAtd7vF0j50

Tre të vdekur, 27 policë të plagosur dhe 31 qytetarë të plagosur është bilanci i demonstratës opozitare që nisi të premten rreth orës 14.

Sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak në Tiranë, shtetasit e vrarë nga radhët e protestuesve janë goditur nga afërsia me armë të kalibrit të vogël, gjë që gjithsesi pritet të konfirmohet nga ekspertiza mjekoligjore.
Protestat në Shqipëri që eskaluan në dhunë...

Përleshjet mes policisë dhe demonstruesve nisën pasi përfaqësues të këtyre të fundit hodhën gjësende të forta në drejtim të policisë, që kishin blinduar për nga pjesëmarrja ndërtesën e Këshillit të Ministrave në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Policia u kundërpërgjigj duke përdorur bomba me gaz lotsjellës dhe makina ushtarake me ujë për të shpërndarë turmën e irrituar që bënte thirrje për largim të Qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.

Më vonë, rreth orës 16, janë dëgjuar disa herë të shtëna armësh. Turma e qytetarëve që rrethoi për rreth tri orë Kryeministrinë, shkatërroi dhe dogji disa automjete të parkuara pranë vendngjarjes, u vuri flakën pemëve dekorative aty pranë, si dhe tentoi disa herë të hyjë me forcë në ambientet e brendshme të Kryeministrisë.

Rreth orës 17, kontrollin mbi situatën e ka marrë policia, që largoi të gjithë protestuesit nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit.

Në disa dalje publike të tij, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi Qeverinë si provokatore e akteve të dhunës në demonstratë.

“Demonstrata u provokua, dhe u provokua rëndë pa u lënë të gjithë ata që kishin ardhur për të demonstruar, as të sistemoheshin në Bulevardin Dëshmorët e Kombit”,
tha Edi Rama.

Zoti Rama theksoi se situata e krijuar kërkon zgjidhje të re politike siç janë zgjedhjet e parakohshme.

“Duke ju shprehur ngushëllimet e mia familjeve, që sot humbën të dashurit e tyre, të nisur në një demonstratë për liri dhe të drejta, unë i siguroj të gjithë se ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë akoma më të vendosur, akoma më të bindur se tashmë zgjedhja është e qartë: o një Shqipëri e lirë për të gjithë, o një popull i nënshtruar nën thundrën e një pushteti të barbarizuar deri në pikën që na demonstroi sot me sjelljen e vet”
, theksoi Rama.

Tiranë, 21 janar 2011

Në një dalje publike në orën 19.30, kryeministri Sali Berisha akuzoi liderët e opozitës si organizatorë të asaj që e cilësoi si skenari tunizian për rrëzimin e institucioneve me dhunë.

“Bastardët e benailve shqiptarë imagjinuan për ju qytetarë të Shqipërisë skenarin tunizian, të cilin e anonçuan disa ditë me radhë për orë të tëra, nën drejtimin direkt të Edvin Kristaq Ramës, falangat e krimit, grupe banditësh, trafikantësh e terroristë, jo më shumë se në tërësinë e tyre 200-300 vetë, sepse këtu në asnjë rrethanë nuk implikoj ata qytetarë, të cilët u përmbajtën nga dhuna dhe nuk e lejuan veten të implikohen në dhunë. Në këto përleshje kanë humbur jetën 3 qytetarë, janë plagosur dhjetëra policë dhe demonstrues dhe përgjegjësia e plotë totale për të gjitha këto bie mbi organizatorët e skenarit tunizian”
, tha Berisha.

Mbi situatën e krijuar kanë reaguar nëpërmjet një deklarate të përbashkët Ambasada e Shtetve të Bashkuara të Amerikës, prezenca e Komisionit e
Evropian dhe ajo e OSBE-së në Tiranë.

Në deklaratë shprehet keqardhja që demonstrata nuk ishte paqësore dhe çoi në viktima. Dhuna, thonë diplomatët e huaj, dhe përdorimi i tepërt nuk justifikohen dhe duhen shmangur.

Ata kanë bërë thirrje urgjente për qetësi, duke theksuar se Shqipëria është vend demokratik dhe se i ka institucionet e nevojshme demokratike.

Deklarata përfundon duke bërë thirrje për dialog politik dhe kompromis për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet.

Thirrje për qetësi dhe maturi nga të gjitha forcat politike ka bërë edhe presidenti i Republikës Bamir Topi nëpërmjet një deklarate për shtyp.


* * * * *

Përplasje midis protestuesve dhe policisë

Vetëm pak minuta pas fillimit të protestës në Tiranë janë regjistruar edhe përleshjet e para ndërmjet pjesëmarrësve në demonstratë dhe policisë.

Mësohet se është përdorur edhe gazi lotsjellës, ndërkaq protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të forcave të rendit, të grumbulluara përreth ndërtesës së kryeministrisë.

Mediat shqiptare njoftojnë se forcat e rendit u tërhoqën fillimisht nga vendi ku ndodhi përplasja tek selia e kryeministrisë, por pas pak çastesh u rikthyen, nën fishkëllimat e protestuesve.

Televizionet po transmetojnë pamje shqetësuese nga qendra e Tiranës me shtëllunga të tymit. Pamjet rrëfejnë edhe për djegie veturash.

Funksionarë të policisë së shtetit po bëjnë thirrje për qetësi dhe mospërdorimin e dhunës. Selia e Kryeministrisë është e rrethuar nga protestuesit, me forcat e rendit në mes.

Mediat e atjeshme njoftojnë për dy policë të plagosur dhe disa demonstrues.


Tiranë: Nisin protestat

Në Shqipëri ka nisur demonstrata e organizuar nga opozita kundër qeverisë Berisha.

Mediat shqiptare raportojnë se një "numër i konsiderueshëm qytetarësh janë mbledhur në sheshin 'Skëndërbej', prej nga do të marshojnë drejt kryeministrisë".

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje protestuesve për distancim nga aktet e dhunës.



SHBA: Mbështetje protestave, por jo dhunës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka bërë publike një deklaratë, ku ndër të tjera thuhet se mbështet çdo lloj forme proteste të popullit, gjithnjë përderisa ato nuk janë të dhunshme dhe respektojnë institucionet.

Por, ambasada amerikane shpreh shqetësimin për deklaratat e fundit nga udhëheqësit shqiptarë dhe vlereson se ato përmbajnë retorikë të papranueshme dhe shprehje dhune, nga e cila nuk fiton populli shqiptar.

"Përdorimi i retorikës provokuese dhe sugjerimi apo tolerimi i ndonjë forme dhune është në dëm të popullit të Shqipërisë" vlerëson deklarata.

"Populli shqiptar meriton më mirë se kaq. Ai ka punuar me seriozitet dhe durim drejt përmbushjes së reformave, për të cilat ka nevojë urgjente", thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Tiranë.