Rivotimi në Mitrovicë edhe për serbët

Zgjedhjet e 12 dhjetorit kryesisht u bojkotuan nga serbët e veriut...

Edhe pse zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit u karakterizuan me një pjesëmarrje minimale të serbëve të veriut, mekanizmat për administrimin e procesit zgjedhor në vend thonë se do bëjnë gati të gjitha përgatitjet teknike për të mundësuar mbajtjen e rivotimit edhe në veri të komunës së Mitrovicës. Mirëpo, banorët shqiptarë të veriut të kësaj komune thonë se nuk presin që fqinjët e tyre serbë t’iu drejtohen kutive të votimit më 23 janar.


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë synon që rivotimin në Mitrovicë ta organizojë edhe në pjesën veriore të kësaj komune.

Edhe pse vetëm një numër i vogël i serbëve në veri iu drejtua kutive të votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më 12 dhjetor, zyrtarët e KQZ-së thonë se gjatë javës do ta bëjnë gati planin për zhvillimin e rivotimit në veri të lumit Ibër.

Kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së, Xhemajl Peqani, i tha Radios Evropa e Lirë se për rivotimin e 23 janarit në Mitrovicë pritet të hapen 127 vendvotime në mbi 30 qendra votimi, prej të cilave 2 do të hapen në zonat ku banojnë serbët.

Janë dhe tri qendra votimi të komunitetit boshnjak në pjesën veriore dhe maksimum do të jetë një ose dy qendra votimi në pjesën ku voton minoriteti serb”, u shpreh ai.

Peqani tha se me mbështetjen e Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Elektorale (IFES) do të qartësohet se a do të jenë statike apo mobile vendvotimet, në të cilat serbët e veriut të Mitrovicës do të mund të rivotojnë ditën e diel.

Para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet serbe patën vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet për pjesëmarrjen e serbëve kosovarë në zgjedhjet e organizuara nga mekanizmat e Prishtinës zyrtare.

Pavarësisht kësaj, në zonat qendrore të banuara me serbë u shënua një numër rekord i pjesëmarrjes së këtij komuniteti në zgjedhje që nga paslufta, por jo dhe në komunat e banuara në veri të vendit, si: Zveçani, Leposaviqi e Zubin Potoku.

Përfaqësuesi i banorëve shqiptarë të Lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, Adem Mripa, tha se serbët po përgatiten ta bojkotojnë edhe rivotimin e javës së ardhshme në Mitrovicë.

Mripa u shpreh pesimist se në një të ardhshme të afërt mund të ndryshohet qëndrimi kundërshtues i serbëve karshi proceseve shtetërore të Kosovës.

Pa lejen e strukturave paralele serbe, këtu nuk do të ketë rivotim, nuk do të ketë edhe votime të zakonshme. Ata që thyejnë rregullat e strukturave paralele, ato familje e anëtarët e tyre, ndëshkohen nga strukturat paralele. Kështu që është shumë e vështirë të bëhet një gjë e tillë pa presionin ndërkombëtar në Beograd e në strukturat paralele që sundojnë në pjesën veriore të Mitrovicës”, tha ai.

Me gjithë sfidat politike, Peqani tha se i takon KQZ-së që t'i bëjë përgatitjet e nevojshme teknike për t’ua mundësuar edhe serbëve të veriut të Mitrovicës pjesëmarrjen në këtë proces.

“Nuk mund të prejudikoj asgjë. Neve, si Komision Qendror i Zgjedhjeve, na takon që t’i bëjmë të gjitha përgatitjet teknike konform Ligjit mbi zgjedhjet dhe rregullave të KQZ-së”, u shpreh kryeshefi ekzekutiv i këtij organi.