Pagat dhe fushata

Fotografi gjatë fushatës për zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Qeveria në dorëheqje e Kosovës ka marrë vendim për ngritje pagash për kategoritë që paguhen nga buxheti, konform premtimeve të kryeministrit në largim Hashim Thaçi, që i kishte bërë gjatë fushatës për zgjedhjet e 12 dhjetorit. Ky vendim, nga Lidhja Demokratike e Kosovës është cilësuar pa legjitimitet dhe në funksion të fushatës dhe politikës ditore.


Kryeministri dhe qeveria në dorëheqje e Kosovës kanë marrë vendim për rritjen e pagave për disa nga kategoritë që paguhen nga buxheti.

Vendimi është marrë sërish në kohën kur qeveria është në dorëheqje dhe në kohën kur është hapur fushata për zgjedhjet e pjesshme të 9 janarit, andaj edhe është kritikuar nga partia e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sidoqoftë, kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, thotë se ai nuk po bën fushatë, por po merr vendime si kryeministër që do të jetë në krye të qeverisë edhe për mandatin e ardhshëm katër vjeçar.

“Propozimi përfshin rritje të pagave në sektorin e arsimit parauniversitar, në atë të shëndetësisë, shërbimin civil, zjarrfikësit, shërbimin korrektues, veteranët e luftës në përputhje me Ligjin për vlerat e luftës, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, por edhe minatorët, sipas memorandumit të nënshkruar. E di se ka pasur zëra se këto janë vetëm premtime elektorale, por sot këto janë vendime shtetërore”,
deklaron Thaçi.

Vendimi për rritje pagash është cilësuar pa legjitimitet nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nënkryetarja e kësaj partie, Teuta Sahatçia thotë se kemi të bëjmë me një vendim të papërgjegjshëm dhe në funksion të fushatës elektorale.

Ajo rikujton edhe faktin se buxheti i vitit 2011 ende nuk është i aprovuar, kurse kryeministri, sipas saj, e ka vënë atë në shërbim të politikës ditore.

“Mendoj që edhe ky deklarim i kryeministrit të vetëshkarkuar, apo të qeverisë në dorëheqje, është një vendim që nuk ka legjitimitet. Ky kryeministër në dorëheqje nuk ka kapacitet që të vendosë për buxhetin. Fatkeqësia jonë është që buxheti sot konsiderohet si mjet politik për zgjedhjet dhe jo si buxhet, i cili duhet të shpenzohet në mënyrë të përgjegjshme”,
thotë Sahatçia.

Sidoqoftë, sipas vendimit të qeverisë në dorëheqje, duke filluar nga 1 janari sektori i arsimit parauniversitar dhe familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, do të marrin pagë në ngritje prej 50 për qind.

Policia e Kosovës do të ketë ngritje pagash për 40 për qind. Kurse, shërbyesit civilë, zyrtarët doganorë, shëndetësia, si dhe zjarrfikësit - ngritje prej 30 për qind.

Ngritja e pagave iu premtua edhe minatorëve, kurse për pensionistët u tha se ata duhet të presin miratimin e ligjit që rregullon këtë sektor.