Tadiq: Problemi i Kosovës tash do të shihet ndryshe

Boris Tadiq

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, vlerësoi se, pavarësisht ekzistimit të supozimeve për pafajësi, pas publikimit të raportit të Dik Martit, problemi i Kosovës do të shihet nga një prizëm tjetër nga ana e komunitetit ndërkombëtar.

“Serbia ka pritur me vite para institucioneve ndërkombëtare për një raport të tillë. Kemi apeluar që të gjitha krimet të zbardhen, por këto apele në dekadën e kaluar nuk janë marrë seriozoisht".

"Tash, është një pamje tjetër dhe për këtë i falënderohem Dik Martit”, u tha Tadiq gazetarëve në Bazën e Njësive Speciale Anti-Terroristë në Batajnicë.

Tadiq vlerësoi se populli serb, gjatë viteve të kaluara, në opinionin ndërkombëtar është paraqitur si fajtori i vetëm për të gjitha ngjarjet në ish RSFJ-në. Por, pas raportit të Martit, sipas tij, një qëndrim i tillë “bie në ujë”.

Ai kërkoi hetim gjithëpërfshirës dhe të gjerë, që nënkupton konfirmimin e saktë nëse ka pasur krime të tilla në Kosovë dhe konfirmimin se kush është fajtor.

Tadiq shfaqi shpresën se hetimi i gjerë i këtij rasti do të ndriçojë dhe procesin e krijimit, siç tha ai, të “të ashtuquajturit shtetit të Kosovës”.

Duke u përgjigjur në pyetjen nëse pas raportit ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, Tadiq tha se ai përfaqëson interesat publike të Serbisë dhe nuk sillet në publik sipas simpative personale.

“Shumë herë jam takuar me njerëz, me të cilët nuk kemi asgjë të përbashkët. Kjo është puna ime. Edhe mjekët shërojnë njerëz, me të cilët nuk i lidh sistemi i njëjtë i vlerave”, tha Tadiq.