Kontestohen rezultatet

Isa Mustafa

Partia Demokratike e Kosovës shpalli fitoren duke u bazuar në votat e vjedhura, tha sot kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai tha se LDK-ja nuk do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve nëse aty përfshihen edhe votat në komunat ku dyshohet për manipulime. Pakënaqësi me procesin e sapopërfunduar zgjedhor kanë shprehur edhe parti të tjera politike.


Lidhja Demokratike e Kosovës konteston rezultatet e para të zgjedhjeve të 12 dhjetorit, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se janë bërë parregullsi të shumta, të cilat e dëmtojnë gjithë procesin. Ai akuzoi Partinë Demokratike të Kosovës për vjedhje të votave.

Mustafa tha se LDK-ja do ta kontestojë rezultatin, nëse në totalin e votave numërohen edhe ato që vijnë nga komunat Skenderaj e Drenas, por edhe komunat tjera, ku, sipas tij, kishte parregullsi shumë të mëdha, të cilat ndikojnë në rezultatin përfundimtar.

“LDK-ja nuk i pranon zgjedhjet në Drenas dhe në Skenderaj. Thellësia e manipulimit të votave në këto dy komuna, si dhe në komunat e tjera: Malishevë, Shtime, Mitrovicë e Prizren, tregon se janë përdorur metoda dhe mënyra të llojllojshme për të abuzuar me votën. LDK-ja vlerëson se ajo është dëmtuar për rreth 50 mijë vota në këto zgjedhje”, tha Mustafa.

Ai deklaroi se LDK-ja nuk do të pajtohet që me Kosovën të qeveriset me vota të manipuluara. Mustafa kritikoi edhe oponentin e tij, kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, për faktin se deklaroi fitoren e Partisë Demokratike para se KQZ-ja t’i shpallte rezultatet.

“PDK-ja, bazuar në manipulimet e saj, shpalli fitoren në orët e vona të datës 12 dhjetor, pa pritur rezultatet paraprake të KQZ-së”.

“Me këtë akt, kryeministri i vetëshkarkuar i Kosovës shkeli rëndë rregullat e zgjedhjeve, jo vetëm duke shpallur rezultatet mbi votat e vjedhura, por edhe duke rrezikuar gjendjen e sigurisë në vend, me konflikte të panevojshme të simpatizantëve të partive politike”,
theksoi Mustafa.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës tha se fitorja ishte një referendum për qeverisjen e mirë të kësaj partie politike gjatë mandatit të kaluar.

Zëdhënësi i saj, Blerand Stavileci, tha se PDK-ja do të formojë qeverinë e re, duke e përjashtuar si partnere vetëm LDK-në.

“Natyrisht që ne jemi në një pozitë të favorshme, për arsye se numrat flasin në favorin tonë. Ne si gjithmonë do t’i mbetemi besnikë asaj që e kemi deklaruar - se kur është në pyetje interesi shtetëror, për ne nuk ekzistojnë vija të kuqe, me përjashtim të pseudo-demokratëve të vjetër”,
tha Stavileci.

Përveç Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ka kremtuar tashmë fitoren e saj, shumica e partive tjera janë shprehur të pakënaqura me votimet e së dielës.

Për nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, i gjithë procesi i zgjedhjeve të 12 dhjetorit ka qenë një farsë.

“Për neve janë farsë këto zgjedhje, sepse gjithkund ka parregullsi dhe gjithkund ka manipulime”, tha Isufi.

Se a do të pranohet apo jo rezultati i zgjedhjeve nuk është e sigurt as Aleanca Kosova e Re. Nënkryetarja e saj, Mimoza Kusari-Lila, tha se vendimi i partisë do të merret pasi që Paneli për Ankesa ta thotë fjalën e vet në lidhje me parregullsitë e evidentuara.

“Në asnjë mënyrë dhe në asnjë kusht nuk fillojnë bisedimet pa u zgjidhur të gjitha kontestet me procesin zgjedhor - përfshirë qendrat e votimeve, problemet që e kanë përcjellë këtë proces zgjedhor - dhe pa u certifikuar rezultatet, në mënyrë që të jenë të pranueshme për të gjithë”.

“Ne ende nuk e dimë se sa të pranueshme do të jenë këto rezultate në momentin kur do të certifikohen”,
tha Kusari-Lila.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka komunikuar një vendim, sipas të cilit nuk i pranon rezultatet e zgjedhjeve në katër komuna të Kosovës, ku përfshihen Deçani, Malisheva, Drenasi dhe Skenderaj.

Partia Fryma e Re, e cila nuk ka kaluar pragun prej 5%, përmes një komunikate, u deklarua se nuk i pranon rezultatet preliminare të shpallura nga KQZ-ja.

Një parti tjetër që nuk e ka kaluar pragun është Lidhja Demokratike e Dardanisë, por që i ka pranuar rezultatet preliminare.

Pakënaqësi me procesin e zgjedhjeve tashmë kanë paraqitur edhe disa nga subjektet e komunitetit serb.