WikiLeaks-i dhe debati për sekretin

Wikileaks

Zyrtarët amerikanë kanë akuzuar Xhulian Asanzhen se ka kryer vepër penale me nxjerrjen e dokumenteve të klasifikuara të diplomacisë së SHBA-ve. Asnjë aktakuzë nuk është ngritur deri tani, çfarë sugjeron se boshllëqet në legjislacion vështirësojnë ngritjen e aktpadisë ndaj themeluesit të WikiLeaks-it.


Një nga debatet më të nxehta që po zhvillohet aktualisht ka në qendër pyetjen: Bazuar në ligjin amerikan, a ka kryer krim me botimin e dokumenteve të klasifikuara themeluesi i WikiLeaks-it, Xhulian Asanzh?

Rasti WikiLeaks ka nxjerrë në pah dhe ka shtuar kërkesat për forcimin e ligjeve mbi sekretin në nivel shtetesh, por dhe në shkallë ndërkombëtare.

Tashmë janë mbushur dy javë nga koha kur kreu i drejtësisë amerikane, Erik Holder, tha se Departamenti i Drejtësisë kishte filluar hetimet për rastin.

“I dënoj veprimet e kryera nga WikiLeaks-i. Është vënë në rrezik siguria jonë kombëtare, por më konkretisht janë rrezikuar individët që i shërbejnë vendit tonë në forma të ndryshme, si diplomatë apo si burime zbulimi. Rrezikohen marrëdhëniet që ne kemi me aleatë të rëndësishëm në botë”
, tha Holder.

Deri tani nuk ka pasur asnjë akuzë të ngritur ndaj WikiLeaks-it apo Asanzhes. Ky i fundit është arrestuar në Britani bazuar në një urdhërarrest suedez për krime seksuale.

Ben Saul, bashkëdrejtues i Qendrës Ligjore në Universitetin e Sidnejit thotë se mungesa e aktakuzës për Asanzhen nga drejtësia amerikane flet për mungesën e bazës ligjore.

Sipas Saulit, zyrtarët amerikanë duket se kanë nisur një lloj lufte globale ligjore kundër Asanzhes dhe WikiLeaks-it.

Synimi, sipas Saulit, është diskreditimi i grupit si organizatë e paligjshme, e madje edhe terroriste.

“Disa politikanë dhe komentatorë amerikanë kanë bërë thirrje për vrasjen e Xhulian Asanzhes. Kjo është e pazakontë dhe jashtëligjore. Kjo tregon se Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta diskreditojnë WikiLeaks-in në mënyrë që ta heqin vëmendjen e publikut nga gabimet amerikane në vende si Afganistani, Iraku apo spiunimi në Kombet e Bashkuara”,
u shpreh Saul nga Universiteti i Sidnejit.

Senatori amerikan Liberman ka propozuar ligje që do ta lehtësonin nxjerrjen para drejtësisë të atyre që nxjerrin informacionin. Liberman beson se WikiLeaks-i ka shkelur “Ligjin mbi spiunazhin” të miratuar në vitin 1917.

Por, kreu i drejtësisë amerikane, Holder, theksoi gjatë javës se po shikon mundësinë për të ngritur padi ndaj Asanzhes, për vepra penale, si konspiracioni apo trafikimi i materialeve të vjedhura.

Lerri Kleiman, ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë dhe themelues i dy organizatave që merren me mbikëqyrjen e sistemit të drejtësisë, shpjegon se përse është e vështirë të ngrihet aktakuzë për Asanzhen bazuar në Ligjin për spiunazh.

“Problemi këtu është se Shtetet e Bashkuara, ashtu si në shumicën e vendeve të civilizuara, duhet të tregojnë synimin. Krimi duhet të jetë një akt i qëllimshëm. Nëse Asanzh nuk ka pasur për qëllim t’i dëmtojë interesat e dikujt, por në fakt të mbrojë interesat e publikut amerikan dhe atij më të gjerë, do të jetë e vështirë të provohet nga Shtetet e Bashkuara se ai ka një motiv të lig për të ndihmuar terrorizmin. Kjo do të ishte thuajse e pamundur për t’u vërtetuar në Gjykatë”,
tha Kleiman.

Sipas tij, mediat bëjnë çdo ditë të njëjtën gjë duke botuar burime të fshehta qeveritare, të cilat kanë ardhur deri në redaksi edhe përmes vjedhjes nga dikush.

Komentues të tjerë thonë se strategjia më e mirë për Departamentin e Drejtësisë është që të fokusohet te personi apo personat që i vodhën këto dokumente.

Saul, nga Universiteti i Sidnejit, mendon se duhet të miratohet një konventë e re ndërkombëtare që mbron dokumentet sekrete të diplomacisë në kohën e internetit.

Por, Klejman e kundërshton një ide të tillë, pasi një konventë e kësaj natyre do të keqpërdorej nga regjimet totalitare për t’u mbrojtur nga bërja publike e krimeve.

Saul këmbëngul se konventa e re ndërkombëtare do të mund të parashihte dhe mbrojtjen e interesit publik.

“Nëse do të krijoni një ligj që synon mbrojtjen e komunikimit diplomatik nga rrjedhjet e mundshme, duhet miratuar dhe përjashtimi që lejon zbulimin e rasteve ku informacionet duhen bërë publike për interes të publikut dhe të ndëshkohen. Për rrjedhje të kësaj natyre nuk duhet të ketë dënime”,
theksoi Saul.

Por, nëse një konventë e tillë miratohet, mbetet e hapur çështja se cila gjykatë ndërkombëtare do të ishte në gjendje të përcaktonte çfarë është në interesin e publikut.(i.b)