Fëmijët e “harruar” në programet e partive?!

Fotografi ilustruese

Në programet e partive politike që garojnë për zgjedhjet e 12 dhjetorit, janë anashkaluar vetëm fëmijët, do të thotë përmirësimi i gjendjes se tyre, thonë përfaqësues që merren me të drejtat e fëmijëve. Sipas tyre, arsye e gjithë kësaj, është se fëmijët nuk kanë të drejtë vote.

Rinia, mësuesit, mjekët, minatorët, pensionistët dhe shumë kategori të tjera të shoqërisë kosovare, këto ditë kanë marrë premtime nga më të ndryshmet prej subjekteve politike, që garojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit.

premtimet e tyre janë anashkaluar vetëm fëmijët, ata që shpesh cilësohen si e ardhmja e një shoqërie. Përfshirja e fëmijëve në fushatë është karakterizuar vetëm me pjesëmarrjen e tyre nëpër tubime dhe valëvitjen e flamujve të subjekteve të caktuara.

Një prej këtyre fëmijëve që ndihet e anashkaluar është Diora Bingjiu, e cila megjithëse ka vetëm 14 vjet, kohë pas kohe arrin ta përcjellë fushatën parazgjedhore.

Krejt çka ka vërejtur ajo janë zotimet për përmirësimin e shkollave publike.
Nuk e kanë përmendur përmirësimin e kushteve të fëmijëve, sepse nuk kemi të drejtë të votojmë dhe nuk fitojnë asgjë nga ne.

“Vetëm si t’i ndreqin shkollat publike, si t’i bëjnë pak më mirë. Nuk e kanë përmendur përmirësimin e kushteve të fëmijëve, sepse nuk kemi të drejtë të votojmë dhe nuk fitojnë asgjë nga ne”,
thotë Bingjiu.

Në anën tjetër, në Kosovë, mbi 48 për qind e fëmijëve jetojnë në varfëri, ndërsa 19 për qind e tyre jetojnë në varfëri të skajshme, thuhet në një raport të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF.

Në raport, gjithashtu, thuhet se fëmijët në Kosovë janë një nga grupet më të prekura nga kushtet e vështira të jetesës: si varfëria, kujdesi i pamjaftueshëm shëndetësor, arsimi, kequshqyerja, strehimi dhe ndotja e mjedisit.

Këto kërcënojnë, thuhet në raport, jo vetëm të ardhmen e fëmijëve, por në përgjithësi të ardhmen e shoqërisë sonë.

Dren Rexha nga ky Fond, thotë se duke marrë parasysh kushtet e vështira të fëmijëve, subjektet politike është dashur që në programet e tyre në masë më të madhe të trajtojnë edhe çështjen e fëmijëve.
Çështjet që kanë në qendër fëmijët, nuk janë trajtuar në masë të duhur nga të gjitha subjektet politike...


“Çështjet që kanë në qendër fëmijët, nuk janë trajtuar në masë të duhur nga të gjitha subjektet politike, të cilat kanë shpalosur programet e tyre. Prandaj, edhe UNICEF-i ka ofruar një listë të çështjeve, pyetjeve, të cilat janë më me rëndësi dhe që do të donim që partitë politike, pa dallim, t’i trajtonin në programet e tyre, me idenë që një qeverisje e mirë për fëmijët do të ishte një qeverisje e mirë për të gjithë”
, shprehet Rexha.

Megjithatë, Rexha thotë se partitë politike janë fokusuar në ato fusha ku përfshihen personat që kanë të drejtë vote.

“Mbase kjo është edhe një arsye, sepse fëmijët nuk kanë të drejtë të vote. Në anën tjetër, studimet e ndryshme flasin se kur janë pyetur fëmijët se sa dëgjohet zëri i tyre, del një përqindje shumë e vogël, që nënkupton se duhet bërë punë shumë më e madhe që të fuqizohen fëmijët dhe ata që përfaqësojnë interesin e fëmijëve, në mënyrë që edhe ata të jenë pjesë e debatit, të jenë në qendër të vëmendjes për përmirësimin e mirëqenies së tyre”,
thekson Rexha.

Edhe Naime Sherifi, udhëheqëse e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, pohon se gjatë premtimeve të ndryshme të subjekteve politike, janë anashkaluar fëmijët.
Në këto debate që kam përcjellë, nuk kam dëgjuar se janë përmendur fëmijët.


“Në këto debate që kam përcjellë, nuk kam dëgjuar se janë përmendur fëmijët. Arsyeja mund të jetë fakti se fëmijët nuk votojnë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të mendohet për mirëqenien e tyre
”, pohon Sherifi.

Zyrtarë të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, kërkojnë vëmendjen e kandidatëve të partive politike, që ta trajtojnë çështjen e fëmijëve në ditët e fundit të fushatës parazgjedhore, pasi, sipas tyre, investimi te fëmijët është thelbësor tani dhe për të ardhmen e vendit.