O’Sullivan: Armiqësia e Asanzhes ndaj SHBA-ve

John O’Sullivan

“Kam përshtypjen se ka një pamje radikale për botën, që është e dyshimtë, madje edhe armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara", thotë drejtori ekzekutiv i Radios Evropa e Lirë, John O’Sullivan.


RADIO EVROPA E LIRË
Publikimi i dokumenteve sekrete të Shteteve të Bashkuara në muajin nëntor, vazhdon të mbetet në titujt kryesorë të mediave të huaja. A mund të maten tashmë efektet e tërmetit mediatik dhe diplomatik, që ka shkaktuar WikiLeaks-i? Në çfarë mase është komprometuar diplomacia amerikane dhe ajo globale?

JOHN O’SULLIVAN
Kjo sigurisht se komprometon reputacionin e Shteteve të Bashkuara, sidomos me faktin se informacionet “rrjedhin”, ndërsa SHBA-të nuk mund t’i ruajnë ato konfidencialet. Ky do të jetë një problem i madh për Uashingtonin.

Përveç kësaj, disa nga sekretet e zbuluara, të cilat më shumë janë thashetheme dhe lojëra, sesa që kanë ndonjë domethënie, paraqesin poshtërim për SHBA-të. Për më tepër, janë poshtëruese edhe për disa qeveri tjera dhe individë, si për shembull për mbretin e Arabisë Saudite.

Ato qeveri e individë duhet të mendojnë mirë se sa sinqerisht do të mund të bisedojnë me SHBA-të në të ardhmen. Unë mendoj se këto janë pasojat më të rëndësishme të kësaj rrjedhjeje informacionesh.

RADIO EVROPA E LIRË
Do t’i kthehemi pak më vonë rrjedhjes së këtyre informacioneve që sapo përmendët. Siç njoftojnë mediat, një zyrtar i lartë i Ballkanit Perëndimor ka deklaruar se “nga sot, në ambasadën amerikane do të tund vetëm kokën dhe nuk do të flas asnjë fjalë të vetme”. A mund të supozohet se ky do të jetë reagim edhe i autoriteteve të vendeve të tjera? Rrjedhimisht, shtrohet pyetja: a do ta kenë të vështirë diplomatët amerikanë ta bëjnë punën e tyre në mbarë botën?

JOHN O’SULLIVAN
Po, mendoj se pason një periudhë, gjatë së cilës amerikanët do të duhej t’i bindin ambasadat dhe qeveritë e huaja se Shtetet e Bashkuara janë në gjendje t’i ruajnë sekretet e tyre. Ky do të jetë prioriteti numër një i diplomacisë amerikane gjatë muajve të ardhshëm. Jam goxha i sigurt se pas një kohe të caktuar, SHBA-të do t’i bindin bashkëbiseduesit e tyre që përsëri të flasin sinqerisht me to. Por, tash për tash jo, sepse askush nuk dëshiron të gdhijë në faqen e parë të gazetave dhe të citohet në atë mënyrë që deklarata e tij të jetë në kundërshtim me atë që flet në publik – gjë që e bën të duket hipokrit dhe budalla.

Për një kohë, do të jetë mjaft e vështirë të udhëhiqet diplomacia amerikane. Kam vënë re se Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka nxituar që t’i kontaktojë të gjitha qeveritë, të cilat mund të kenë përjetuar ndonjë siklet, për t’iu kërkuar falje dhe për t’iu thënë se Shtetet e Bashkuara janë po aq të shqetësuara dhe se do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për t’i mbrojtur informacionet sekrete në të ardhmen.


Shtetet arabe, më të prekurat

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët në fillim një informacion mjaft komprometues – atë ku disa udhëheqës arabë, veçanërisht mbreti Abdullah i Arabisë Saudite, ka kërkuar nga amerikanët të bombardojnë Iranin, për të ndaluar kështu zhvillimin e programit të tij bërthamor. Si do të ndikojë kjo në marrëdhëniet mes Teheranit dhe Riadit, Riadit dhe Uashingtonit, si dhe te situata në Lindjen e Mesme?

JOHN O’SULLIVAN
Kjo sigurisht se do të ketë ndikim – posaçërisht në opinionin publik arab. Diplomatët kanë frikë se një gjë e tillë mund të dobësojë pozitën e qeverive arabe, të cilat janë miqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, sepse tregon se janë të gatshme të kërkojnë veprim ushtarak kundër Iranit, derisa në paraqitjet publike flasin krejtësisht diçka tjetër. Pra, do të tregojë hipokrizinë e tyre, edhe pse, ç’është e vërteta, disa diplomatë sauditë në muajt e fundit janë deklaruar pothuajse njësoj.

Megjithatë, konsideroj se duhet pasur parasysh një gjë shumë të rëndësishme: disa qeveri arabe vazhdimisht e ushqejnë me gënjeshtra opinionin e tyre publik, gjë që ka bërë që ai opinion, në masë të madhe dhe në shumë aspekte, të humbasë kontaktet me realitetin. Rrjedhimisht, shtrohet pyetja: a do të sjellë ky zbulim i fuqishëm deri te një realizëm më i madh i opinionit publik arab, deri te një pamje më e mirë e asaj që bëjnë qeveritë e tyre në të vërtetë.

Mendoj se nuk duhet të hidhet poshtë një mundësi e tillë, sepse nuk është e shëndetshme që ai opinion publik të jetë sistematikisht i mashtruar, sidomos nëse një gjë e tillë bëhet me propagandë anti-perëndimore, anti-amerikane dhe anti-izraelite, ndërsa tani zbulohet se qeveritë arabe brengosen nga një rrezik krejt tjetër – ai që vjen nga forca të tjera islamike. Prandaj, konsideroj se është mirë që populli arab tashmë është në dijeni për gjëra të tilla, sepse kjo mund t’i ndihmojë që të zhvillojë një perceptim më real ndaj Lindjes së Mesme.

RADIO EVROPA E LIRË
Reagimet ndaj zbulimit të dokumenteve sekrete të diplomacisë amerikane janë mjaft kundërshtuese. Përderisa themeluesin e WikiLeaks-it, Xhulian Asanzh, disa e quajnë Xhejms Bond të gazetarisë, të tjerët e etiketojnë si individ të papërgjegjshëm, që vë në rrezik njerëzit e pafajshëm. Ka dhe nga ata që mendojnë se fajtorët numër një në gjithë këtë histori janë përgjegjësit për ruajtjen e dokumenteve sekrete. Sipas mendimit tuaj, kush e bart përgjegjësinë më të madhe?

JOHN O’SULLIVAN
Më përgjegjës sigurisht se janë njerëzit që kujdesen për sigurinë e dokumenteve sekrete. Disa duhet të humbasin punën për këtë gjë, nëse Amerika është serioze në synimin e ruajtjes së sigurisë së dokumenteve të tilla. Të gjithë të tjerët mbajnë nivele të ndryshme të përgjegjësisë. Për shembull, The World Street Journal ka refuzuar t’i publikojë këto dokumente, kur WikiLeaks i ka ofruar qasje të privilegjuar në to. Mirëpo, pasi që The Guardian, Der Spiegel dhe disa media të tjera i kanë publikuar dokumentet, ato janë bërë pronë publike – kështu që të gjitha mediat e tjera shfrytëzojnë rastin t’i publikojnë, të hapin debate publike rreth tyre etj.

A duhet t’i shmangen gazetarët kësaj pune? Jo. Megjithatë, obligim i gazetarëve është që në punën e tyre të respektojnë ligjet e vendit ku jetojnë, sikurse edhe qytetarët e tjerë. Në mesin e gazetarëve dominon qëndrimi “më mirë të publikohet sesa të fshihet”, por kjo assesi nuk guxon të bëhet e drejtë për të zbuluar komunikime të privilegjuara dhe të besueshme. Qeveritë kanë të drejtë ta ruajnë një komunikim të tillë, ashtu sikurse unë dhe ti kemi të drejtë të ruajmë përmbajtjen e ditarëve tonë personalë. Pra, gazetarët duhet t’i respektojnë këto rregulla. Por tani, kur këto sekrete kanë arritur në domenin publik, diskutimi rreth tyre është hapur në mbarë botën.

RADIO EVROPA E LIRË
Sikur Xhulian Asanzh të sillej para drejtësisë për shkak të publikimit të dokumenteve sekrete, çfarë mendoni, si do të mbrohej ai?

JOHN O’SULLIVAN
Supozoj se do të pohonte se nuk ka qenë i obliguar t’i respektojë ligjet e Shteteve të Bashkuara dhe t’i ruajë sekretet amerikane, se nuk ka shkelur ligjet e vendit të tij dhe as të drejtën ndërkombëtare. Ndoshta në këtë drejtim do të kishte argumente të forta. Megjithatë, do të mund të përballej me vështirësi sa i përket asaj se a kishte të drejtë t’i publikonte dokumentet e vjedhura dhe të eksponojë transkriptet private të individëve dhe shteteve.

Thënë hapur, këtu është diçka tjetër esenciale. Pra, duhet të ekzistojë e drejta e shteteve dhe qeverive në transkriptet private ndërmjet tyre, sepse nëse një gjë e tillë nuk ekziston, shumë probleme ndërkombëtare, jo vetëm se nuk do të zgjidheshin kurrë, por do të bëheshin edhe më serioze.

RADIO EVROPA E LIRË
Asanxh ka paralajmëruar një publikim tjetër dokumentesh, që do të godasë Rusinë dhe Azinë qendrore. Disa besojnë se kjo që kemi parë, do të jetë asgjë në krahasim me atë që do të shohim. A keni ndonjë indikacion se çfarë mund të jetë përmbajtja e asaj “bombe”?

JOHN O’SULLIVAN
Jo, nuk kam. Por, gjykuar sipas asaj që shërbimet e Radios Evropa e Lirë tashmë kanë publikuar, përpara se WikiLeaks t’i publikonte dokumentet sekrete, mund të priten informacione mbi shkallën e lartë të korrupsionit në vendet si: Afganistani, Irani, Azia qendrore. Disa nga informacionet e WikiLeaks-it kanë konfirmuar atë që kemi publikuar ne më parë.

Për shembull, kemi publikuar shkrimin rreth ish-nënpresidentit afgan, i cili në dokumentet e WikiLeaks-it veçohet si një person, korrupsioni i të cilit matet me një shumë të madhe parash – mbi 50 milionë dollarë. Ne kemi raportuar rreth kësaj më herët, por nuk e kemi ditur se ajo shumë është kaq e madhe. Shifra jonë, përafërsisht, ka qenë një e pesta e asaj që ka publikuar WikiLeaks. Pra, padyshim se do të pasojnë materiale edhe më interesante.

Unë, megjithatë, mendoj se vendet më të prekura në gjithë këtë histori të WikiLeaks-it janë shtetet arabe: Arabia Saudite – ku u zbulua se tjetër flitet në publik ndërsa tjetër fshehurazi; qeveria iraniane, për të cilën u zbulua se është më e izoluar dhe më e urryer nga ana e disa fqinjëve arabë, sesa që besohej më parë – gjë të cilën e tregon edhe nervozizmi i Teheranit pas zbulimeve të tilla; pastaj edhe qeveria ruse, sepse u zbulua se ka kërkuar çmim shumë më të lartë nga Shtetet e Bashkuara për atë që ka pohuar publikisht se do ta bënte – pra, presionin e madh ndaj Iranit që të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.

Në njëfarë mënyre, mund të thuhet se Shtetet e Bashkuara dalin më pak të dëmtuara sesa disa vende të tjera. Kjo për shkak se diplomacia e tyre publike, ajo që flasin publikisht gjatë komunikimit me qeveritë e botës, nuk është shumë larg asaj që flasin gjatë komunikimeve sekrete.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse Xhulian Asanzh mban premtimin, në fillim të janarit të vitit të ardhshëm do të shohim informacione tronditëse rreth një “mega banke” amerikane. A mund të mësojmë ndonjë gjë të re nga ky sektor pas krizës së madhe financiare, e cila ka goditur dhe vazhdon të godasë botën?

JOHN O’SULLIVAN
Shumë shpesh, WikiLeaks nuk e ka përmbushur atë që ka paralajmëruar Asanzh. Po ashtu, shumë shpesh kemi marrë intriga apo informacione, të cilat kanë konfirmuar atë që kemi ditur apo për të cilën kemi dyshuar. Do të thosha se nuk është rrezik i vogël të publikosh informacione mbi bankat, në kohën kur ato janë shumë të paqëndrueshme, sepse natyrisht nuk do të donim të përjetonim edhe një tjetër krizë financiare, e as shpëtimin e bankave me futjen e dorës në xhepa të tatimpaguesve evropianë dhe amerikanë.

Në këtë kuptim, njeriu duhet të pyesë veten për motivet e zotit Asanxh. Shpallja e informacioneve tronditëse, nëse dëshmohet se vërtet janë të tilla, mund të zgjasë krizën financiare, nga e cila po përpiqemi të dalim me të gjitha forcat.


Besimi utopik i Asanzhes

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund, si do ta profilizonit zotin Xhulian Asanzh?

JOHN O’SULLIVAN
Rreth Asanzhes, unë vërtet nuk di asgjë më shumë se çdo gazetar tjetër që po ndjek këtë çështje. Kam përshtypjen se ka një pamje radikale për botën, që është e dyshimtë, madje edhe armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara. Po ashtu do të thosha se ai kultivon një besim të tepruar utopik - se bota brenda natës do të bëhej vend më i mirë për të jetuar, sikur të gjitha rrobat e pista do të zbuloheshin në të njëjtën kohë.

Njoh shumë njerëz që besojnë në një gjë të tillë. Si gazetar edhe unë kam interes të besoj në të, por kur njeriu ndalon dhe mendon më seriozisht rreth gjithë kësaj, kupton se për botën dhe bashkësinë ndërkombëtare nuk është dobi afatgjate që puna e diplomacisë të bëhet më e rëndë sesa që është. (v.t.)