Deda: Të përfundojë politika e vjetër në Kosovë

Ilir Deda

"Më pak se tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, populli ynë është i thyer, i humbur, pa dinjitet, pa shpresë për jetë më të mirë. Kjo është e papranueshme. Ne duhet ta shndërrojmë Kosovën në vend të shpresës", thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë Ilir Deda, njëri nga themeluesit e Partisë Fryma e Re.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Deda, Fryma e Re po garon për herë të parë në një proces zgjedhor. Çfarë i ofron Fryma e Re qytetarit të Kosovës? Çfarë ju dallon nga partitë tjera?

ILIR DEDA
Ato që i kemi vërejtur ne në komunikim me qytetarët e Kosovës, janë shpresa dhe optimizmi për një jetë më të mirë, të cilat ata i kanë dhe i shohin me Frymën e Re.

Ne, si parti, sjellim gjithçka të re në skenën politike: jemi profilizuar me ideologjinë tonë; kemi dalë të vetmit me plane konkrete se si zhvillohet Kosova dhe si e sheh Partia FER Kosovën në dhjetëvjeçarin e ardhshëm; kemi treguar se si duhet të krijohen vendet e reja të punës, si do të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Kemi shtyllë të programit investimin në të ardhmen në arsim, rritjen e pensioneve, sigurimet shëndetësore si dhe integrimet e vërteta euroatlantike.

Për më tepër, Partia Fryma e Re përfaqëson një mendësi të re politike, e cila është e gatshme të përballet me sfidat që e presin Kosovën. E sheh shtetin në mënyrë shumë më ndryshe, sesa politika e vjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Në një nga fletushkat e FER-it që po u shpërndahen qytetarëve, ndër të tjera, thuhet se “rruga të cilën e ofron Fryma e Re, është rrugë e zhvillimit dhe rrugë e rikthimit të dinjitetit të kosovarit”. Pse mendoni se e ka humbur dinjitetin qytetari i Kosovës?

ILIR DEDA
Populli ynë ishte fitues në vitin 2008, kur u shpall pavarësia. Ne të gjithë thoshim se shekulli XXI është shekulli i popullit shqiptar.

Më pak se tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, populli ynë është i thyer, i humbur, pa dinjitet, pa shpresë për jetë më të mirë. Kjo është e papranueshme, duke marrë parasysh të gjithë ata breza që kanë sakrifikuar për pavarësi me dekada.

Nuk është kjo Kosova për të cilën ata janë sakrifikuar, por, në të njëjtën kohë, nuk është kjo Kosova të cilën dy milionë qytetarë të vendit tonë e kanë dashur. Ne duhet ta shndërrojmë Kosovën në vend të shpresës, në vend të zhvillimit dhe duhet ta bëjmë Kosovën shtetin më të mirë në Ballkan.

Kemi aftësi për ta bërë këtë punë, kemi aftësi për të treguar se Kosova nuk është kjo që është sot, por është ajo Kosovë, të cilën çdo qytetar e ka ëndërruar dhe këtë do ta bëjmë me përkrahjen e qytetarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, ka vlerësime që thonë se me programin e juaj, që në fillim jeni rreshtuar kah partitë e mëdha ekzistuese. Komenti juaj?

ILIR DEDA
Jo, ne nuk jemi të rreshtuar. Kemi thënë se qëllimi ynë është pensionimi i politikës së vjetër dhe ndryshimi i gjeneratave në politikë. Domethënë, mendësia e re politike duhet të triumfojë, ndërsa ajo e vjetra duhet ta përfundojë karrierën e vet politike.

Kjo bëhet me një tranzicion politik, i cili ne shpresojmë se do të fillojë më 12 dhjetor.

RADIO EVROPA E LIRË
E shihni si disavantazh mungesën e përvojës së partisë në skenën politike të Kosovës?

ILIR DEDA
Jo, sepse në Frymën e Re nuk ka asnjë njeri, i cili është i korruptuar, asnjë njeri, i cili është i pasuksesshëm në punën e mëhershme. Ndërsa, politika e vjetër, gjatë dhjetë vjetëve të fundit, ka dëshmuar se është e paaftë të zhvillojë Kosovën. Kjo politikë duhet të shkojë.

Dhjetë vjet janë një kohë jashtëzakonisht e gjatë, nëse marrim parasysh se para më shumë se një gjysmë shekulli, Lufta e Dytë Botërore ka filluar dhe ka mbaruar për katër vjet, Plani i Marshallit ka filluar dhe është zbatuar për katër-pesë vjet.

Domethënë, për dhjetë vjet vendet e tjera kanë ecur përpara, ndërsa ne jemi duke vendnumëruar për këta dhjetë vjet. Për këtë, duhet të ndryshojë politika ekzistuese në Kosovë dhe këtë mund ta ndryshojmë ne nga Fryma e Re.

RADIO EVROPA E LIRË
Për dallim nga partitë e mëdha politike, në fushatën e juaj elektorale nuk po shihet një numër i madh i përkrahësve nëpër tubime. A është formë e juaja e fushatës apo po ju mungojnë përkrahësit?

ILIR DEDA
Ne nuk kemi bërë tubime me qytetarë. Ne kemi bërë bashkëbisedime gjatë muajit nëntor dhe aty nuk ka pasur prezencë të mediave. Ndërsa, fushatën tonë e kemi zgjedhur më ndryshe.

Nuk duam të jemi replikë e politikës së vjetër. Ne bëjmë fushatë ndryshe, në komunikim direkt me qytetarët, jo vetëm duke dëgjuar hallet e tyre, por duke treguar edhe zgjidhjet tona për problemet në Kosovë. Kjo është më e ndershme.

Në të njëjtën kohë, nëse marrim parasysh se sa shumë kushton një fushatë, është e pandershme që në këtë varfëri, të shpenzohen të gjitha ato para në fushata të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova tradicionalisht është udhëhequr nga qeveri të koalicionit. Në rast se kaloni pragun zgjedhor prej 5%, me cilën parti do të hynit në koalicion?

ILIR DEDA
Filozofia jonë politike dhe strategjia jonë janë më afatgjate. Ne nuk e shohim veten si parti, e cila varet nga një cikël zgjedhor, por e shohim veten si parti, e cila do ta çojë Kosovën përpara në dekadën e ardhshme.

Në këtë filozofi, i kemi qëndrimet shumë të qarta, se me keqqeverisje nuk do të bëjmë koalicion. Partia FER - e atë e mendon edhe populli - mendon se partitë e mëdha kanë përgjegjësi direkte për pikën zero, në të cilën gjendet Kosova. Kështu që ne dëshirojmë që kjo politikë të përfundojë dhe të fillojë një politikë e re në Kosovë.

Nuk mundemi dhe nuk është fer që ne të dalim dhe të kërkojmë votën e qytetarëve për ndryshim të politikës dhe pastaj të hyjmë në koalicion me politikën e vjetër. Kjo nuk është ajo së cilës i përkasim.

Në të njëjtën kohë, ne do ta instalojmë një përgjegjësi shumë më të madhe edhe ndaj elektoratit, i cili na përkrah neve. Ndërsa, vendimmarrja do të bëhet vërtet në mënyrë demokratike dhe me organet përkatëse të partisë, e jo si në politikën e vjetër, ku një njeri apo udhëheqësi i partisë imponon diçka...

Te Fryma e Re është një kulturë e brendshme vërtet demokratike dhe këtë do ta mbajmë deri në fund.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se do ta kaloni pragun zgjedhor prej 5% për të hyrë në Kuvend?

ILIR DEDA
Ne kemi thënë prej fillimit se përqindja, e cila neve na ka brengosur më së shumti, është përqindja e lartë e papunësisë, përqindja e lartë e varfërisë, përqindja e lartë e rinisë, e cila dëshiron ta lëshojë Kosovën... Këto janë ato përqindje, të cilat Frymën e Re e brengosin më së shumti.

Sa i përket pragut 5%, mendoj se është më e ndershme që këtë ta shohim më 12 dhjetor, por ne jemi optimistë.