Sundimi i ligjit, në qendër të fushatës

Një nga tubimet zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës

Debatet mbi sundimin e ligjit dhe dallimet në mesin e partive të vjetra dhe atyre që së fundi kanë dalë në skenën politike të Kosovës, janë risitë, të cilat po e karakterizojnë fushatën e sivjetme elektorale, thonë analistët në Prishtinë. Ata theksojnë se dallimet në mes të partive të reja dhe atyre, të cilat kanë qenë pjesë e proceseve të kaluara politike, po vërehen sidomos në fjalorin, të cilin përfaqësuesit e tyre po e përdorin në fushatë.


Njohësit e rrethanave politike në Kosovë vlerësojnë se fushata elektorale për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit, për dallim nga fushatat e zgjedhjeve të kaluara, veçohet nga dalja në skenë e disa partive të reja politike dhe ndryshimet e brendshme në disa parti ekzistuese.

Fushata elektorale zyrtarisht nisi të mërkurën për të përfunduar me heshtjen zgjedhore, që i paraprin mbajtjes se zgjedhjeve të dielën e ardhshme.

Në tubimet me qytetarë të zonave të ndryshme në Kosovë, por edhe në debatet televizive, përfaqësuesit e partive politike që do të garojnë në këto zgjedhje, kanë vazhduar premtimet e tyre që kryesisht flasin për integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike dhe përmirësimin e fushës ekonomike e sociale.

Mirëpo, analisti Arben Qirezi thotë se kësaj radhe po vërehet se sundimit të ligjit dhe çështjeve lidhur me drejtësinë po u kushtohet një rëndësi më e madhe sesa në të kaluarën.

“Gjyqësia, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, megjithatë janë çështjet më relevante dhe partitë, që do të arrijnë ta bindin popullsinë se do të jenë të vendosura për një platformë qeverisëse, të cilat do të prekin seriozisht këto çështje, do të kenë gjasa më të mira që të fitojnë simpatinë e votuesve”,
shprehet Qirezi.
Posterë nga fushata per zgjedhjet e 12 dhjetorit në Kosovë

Ditë më parë, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, tha se nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të dalë një, siç e quajti ai, qeveri e pastër, e cila do të jetë e gatshme për t’u ballafaquar me sfidat e ardhshme.

Analisti Driton Lajçi thekson rëndësinë që ekzekutivi i ardhshëm i vendit të përbëhet nga njerëz me një të kaluar etike. Pikërisht e kaluara e përbashkët e partive të mëdha politike, sipas tij, ka ndikuar që fjalori i përdorur në fushatë të krijojë dallime mes partive që kanë ekzistuar dhe partive të reja.

Partitë e mëdha nuk janë duke e sulmuar pa kriter njëra-tjetrën, sepse kanë pasur në një formë apo tjetër, një të kaluar të përbashkët, kanë qenë në koalicione të ndryshme, qoftë LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja dhe ndoshta synojnë që të jenë së bashku sërish në koalicionin qeverisës”.

“Andaj, nuk dëshirojnë që paraprakisht të paragjykojnë dhe janë të rezervuara dhe eventualisht mund të jenë partnerë në javët në vijim”
, thotë Lajçi.

Fryma e Re dhe partia Lëvizja Vetëvendosje do të garojnë më 12 dhjetor për herë të parë për përbërjen e re të Kuvendit, e rrjedhimisht, të Qeverisë së Kosovës.

Lajçi thekson se krahasuar me partitë tjera të vogla, që bënin fushatë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2007-ës, FER-i dhe Vetëvendosja kanë zgjuar një interesim më të madh edhe te mediat.

“Për çudi, edhe mediat po i konsiderojnë si faktorë - gjë që nuk ka ndodhur njëjtë me partitë tjera politike që kanë qenë të vogla, siç është rasti me partinë e ish-kryeministrit Agim Çeku dhe partitë e tjera, të cilat në njëfarë mënyrë kanë qenë në pushtet - qoftë me një ministër si Partia Liberale. Por, këto s’kanë pasur hapësirë mediale siç kanë tash Vetëvendosja dhe Fryma e Re”,
thekson Lajçi.