Nga dhuna në vrasje

Fotografi ilustruese

Dhuna në familje vazhdon të jetë e pranishme në masë të madhe në Kosovë, thonë përfaqësueset e organizatave joqeveritare. Arsye e gjithë kësaj, sipas tyre, janë traumat e luftës, tranzicioni, shkalla e lartë e papunësisë, varfëria, niveli i ulët i arsimimit dhe pabarazia gjinore.

Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të grupeve të grave të Kosovës, thotë se në shumicën e rasteve, viktima të dhunës në familje janë gratë, ndërsa ajo ushtrohet nga bashkëshortët e tyre. Sipas saj, tashmë dhuna fizike ka kaluar kufirin, duke shkaktuar disa viktima.

“Marrë parasysh se vetëm sivjet kanë ndodhur pesë vrasje, pesë vetëvrasje si dhe shumë tentativa të vetëvrasjes, e gjithë kjo tregon se sa është prezente dhuna në Kosovë. Ajo e ka kaluar kufirin, sepse nuk ndodh vetëm dhunë fizike, por edhe marrja e jetës. Kjo është vërtet shqetësuese për Kosovën dhe për jetën e grave të Kosovës”
, thotë Rogova.

Edhe sipas psikologes Anduena Arrni, dhuna në familje është një fenomen shumë i shprehur në shoqërinë kosovare. Ajo përmend disa faktorë që çojnë në dhunë.

“Shkaktarë të mundshëm mund të jenë edhe kushtet ekonomike e sociale. Gjendja e rëndë në familje çon deri te dhuna. Ndoshta, për shkak të shkollimit të ulët, dhuna ndodh brendapërbrenda dyerve të mbyllura dhe gratë nuk e denoncojnë atë. As fqinjët, të cilët janë dëshmitarë të dhunës, nuk e denoncojnë, për shkak se e shohin si problem brenda familjes”, thotë Arrni.

Por, sipas autoriteteve të rendit, dhuna fizike në familje këtë vit ka shënuar rënie, krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, Brahim Sadriu, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, përmend tri raste të vdekjeve sivjet, si pasojë e lëndimeve të marra nga dhuna.

“Sa u përket rasteve të dhunës familjare, në 9-mujorin e këtij viti në polici janë raportuar 620 sosh. Janë raportuar edhe tri raste të vdekjes nga dhuna. Nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka një rënie, meqë në vitin 2009 janë raportuar 803 raste”, thotë Sadriu.

Sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave, numri i viktimave të dhunës në familje është më i madh, pasi jo të gjitha viktimat i paraqesin rastet në polici.