Integrimi pas riatdhesimit

Franca ka bërë riatdhesimin masiv të romëve, kryesisht në Rumani dhe Bullgari.

Kthimi i detyrueshëm i fëmijëve romë, ashkalinj dhe egjipas nga vendet perëndimore në Kosovë, por edhe brenda vetë Bashkimit Evropian, është skandal i të drejtave të njeriut, tha raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek.

“Nuk pajtohem me kërkesën për kthim të detyruar dhe për strategji të rikthimit për të pasur liberalizim të vizave. Duhet të them se ky nuk është mendim i shumicës në nivel të Bashkimit Evropian. Liberalizimi i vizave duhet të bëhet pa këto kushte”, tha Lunacek.

Këto komente, Lunacek i bëri në një tryezë të organizuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF, dhe Forumi 2015, ku është prezantuar raporti “Integrimi sipas kushteve”.

Ky raport ka të bëjë me gjendjen e fëmijëve romë, ashkalinj dhe egjiptas në Gjermani dhe atë pas riatdhesimit të tyre në Kosovë.

Riatdhesimi dhe riintegrimi i personave të riatdhesuar pritet të jenë ndër kriteret kryesore për heqjen e regjimit të vizave Kosovës me Bashkimin Evropian, kur të nisë edhe zyrtarisht ky proces.

Sipas raportit, nga 12 mijë romë, ashkalinj dhe egjiptas nga Kosova, të cilët për një kohë kanë qëndruar në Gjermani, 5 mijë janë fëmijë, të cilët janë të rrezikuar të kthehen në Kosovë.

Fati i këtyre fëmijëve është brengosës dhe ardhmëria e tyre është e pasigurt, tha Johanes Vedening, shef i zyrës së UNICEF-it, për të shtuar se këta fëmijë janë lindur, rritur dhe kanë arritur të vijojnë mësimet në gjuhën gjermane. Por, theksoi ai, nevojat dhe interesat e tyre nuk janë marrë parasysh në procesin e riatdhesimit.

“Ajo që duhet shikuar, është se cili është fati i këtyre statistikave, çfarë debati duhet ngritur në lidhje me riatdhesimin dhe cili është fati i kësaj marrëveshjeje... Ajo ka të bëjë me fatin e fëmijëve dhe për këtë askush nuk debaton”,
tha Vedening, për të shtuar se ky raport është lansuar fillimisht gjatë verës në Gjermani.

Ndërkaq, Luan Shllaku, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, vlerësoi se pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas janë viktima të këtij procesi të parakohshëm, siç tha ai, të filluar nga Bashkimi Evropian dhe të nënshkruar nga institucionet kosovare.

“Ky studim pashmangshmërisht ka provuar se Qeveria kosovare dhe shtete anëtare të Bashkimit Evropian janë futur në një skenar që nuk iu bën nder”.

“Ata kanë nënshkruar që të riatdhesojnë qytetarët e Kosovës që sot jetojnë në vendet e Perëndimit, kryesisht vende anëtare të Bashkimit Evropian, pa u siguruar mirë që Qeveria kosovare ka siguruar kushte të nevojshme për integrimin e menjëhershëm në jetë”,
u shpreh Shllaku.

Në anën tjetër, ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se autoritetet kosovare kanë kërkuar nga vendet e Bashkimit Evropian që fëmijët, pa dëshirën e tyre, të mos kthehen në Kosovë.

“Përkundër obligimeve që kemi marrë si një shtet që pretendon të jetë shtet demokratik, i cili respekton edhe raportet ndërshtetërore, por edhe të drejtat e njeriut, kemi insistuar që këto kategori të mos kthehen me forcë; të gjenden forma që këto të qëndrojnë më gjatë, së paku derisa të arrijnë moshën madhore”, tha Rexhepi.

Sipas raportit, rreth 50 mijë romë, ashkalinj dhe egjiptas nga Kosova kanë ikur në Gjermani. Prej vitit 2007 deri në maj të 2010-ës, afër 10 mijë persona janë kthyer në mënyrë të detyrueshme në Kosovë, kryesisht nga Evropa perëndimore. Nga këta, mbi 15 për qind i përkasin komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas.

Hulumtimi tregon se në mesin e fëmijëve të kthyer ekziston një shkallë e lartë e braktisjes së shkollës. Raporti vë në pah se shumë prej tyre nuk kanë qasje adekuate në shërbimet e kujdesit shëndetësor.