Muharremi: Veç me deklarata nuk shkohet në BE

Shenoll Muharremi

Nuk shoh sinjale që na bindin se institucionet apo liderët kosovarë duan të ecin drejt BE-së, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-kreu i Agjencisë për Integrime Evropiane, Shenoll Muharremi.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Muharremi, një mision i Komisionit Evropian thuhet se do ta vizitojë Kosovën në muajin e ardhshëm për të parë se çfarë është bërë në drejtim të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Çfarë mund të presim nga ky mision?

SHENOLL MUHARREMI

Pikë së pari ndoshta është mirë të cek se në Bruksel është duke u krijuar një ambient ku po fitohet përkrahje për Kosovën që ta fillojë dialogun për procesin e liberalizimit të vizave me Komisionin Evropian. Edhe vetë komisionari, në fillim, kur e prezantoi Pakon e Zgjerimit në fillim të muajit, u shpreh që shumë shpejt do të fillojmë dialogimin me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave.

Andaj, ky mision duhet të shihet në këtë frymë, thjesht është një ndër hapat e parë ku Komisioni dëshiron t’i dërgojë ekspertët e vet që të vijnë të verifikojnë dhe t’i kthejnë përgjigje Brukselit nëse Kosova është e gatshme apo jo ta fillojë këtë dialog. Prandaj, unë e shoh në frymë shumë pozitive dhe shpresoj se si rezultat i kësaj, do të mund potencialisht të kemi fillimin e dialogut.

Është shumë me rëndësi që Kosova të nisë këtë dialog me BE-në pikërisht për arsye që t’i shfrytëzojë mekanizmat e rregullt të këshillimit dhe monitorimit nga BE-ja. Në anën tjetër, është gjithashtu shumë me rëndësi të bëjmë me dije që Kosova, në krahasim me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, e ka një proces pak më ndryshe, për shkak të specifikave të saj.

Të gjitha vendet tjera, para se të fillojnë dialogimin për liberalizim të vizave, kanë pasur dy miniprocese të vogla. Njëri prej tyre është quajtur procesi i marrëveshjes së riatdhesimit, ndërsa e dyta është marrëveshja e lehtësimit të vizave.

Në rast të Kosovës, për shkak të mosnjohjes ende të pavarësisë së Kosovës nga pesë anëtare të Bashkimit Evropian, Kosova është detyruar që individualisht t’i negociojë këto marrëveshje. Domethënë, është automatikisht një barrë ekstra për vendin, për shkak se Kosova është thjesht shtet i ri me institucione të reja dhe është barrë më e madhe për të.

Në këtë aspekt, Kosova ka bërë marrëveshje të riatdhesimit me shumicën e vendeve kritike të Bashkimit Evropian, por nuk i ka përmbyllur të gjitha, andaj ky mund të përdoret si kundër-argument, nëse duhet të fillohet dialogu.

Ne prapë mendojmë që është mirë që Kosova të nisë këtë dialog, në mënyrë që t’i tregohet saktësisht se çka duhet të bëjë dhe në mënyrë që të ketë dialogim, të ketë misione të rregullta nga BE-ja, ku vijnë dhe këshillojnë autoritetet, i monitorojnë dhe u tregohet se si të vazhdohet më tutje.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mund të shpresojë Kosova në nisjen e dialogut zyrtar për liberalizimin e vizave dhe marrjen e udhërrëfyesit për këtë proces?

SHENOLL MUHARREMI

Është çështje shumë problematike saktësimi i datave, për shkak se po varen nga shumë akterë të ndryshëm. Mos të harrojmë se kjo nuk është çështje vetëm e Komisionit Evropian. Çështja e vizave dhe lirisë së lëvizjes ka të bëjë shumë edhe me vetë vendet anëtare.

Fatkeqësisht, trendët e fundit në disa vende anëtare, sidomos në Suedi, Belgjikë dhe Francë, tregojnë një numër të shtuar të azilkërkuesve nga Ballkani Perëndimor, por edhe nga Kosova. Ne anën tjetër, shihet që Komisioni dhe Parlamenti Evropian ,në veçanti, e përkrahin nisjen sa më parë të dialogimit.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët numrin e madhe të azilkërkuesve kosovarë në vendet e Bashkimit Evropian. Si mund ta zgjidhë Kosova këtë problem?

SHENOLL MUHARREMI

Një element shumë i rëndësishëm dhe një mësim që duhet marrë nga vendet tjera të Ballkanit Perëndimor është çështja e komunikimit të mirëfilltë te qytetarët se çka do të thotë liberalizimi i vizave.

Shumë qytetarë të këtij rajoni, për shkak të kushteve jo të mira ndoshta ekonomike, nuk e kanë kuptuar drejt këtë dhe, thjesht, kanë perceptuar që me liberalizim të vizave fitohet e drejta e qëndrimit të përhershëm, ndoshta edhe leja e punës në vendet e zonës së Shengenit. Kjo, domethënë nuk qëndron.

Deri më tash ne kemi parë disa iniciativa që janë ndërmarrë në Kosovë, si nga autoritetet, ashtu edhe nga shoqëria civile. Sido që të jetë, unë mendoj që kjo nuk mjafton dhe duhet të vazhdohen këto përpjekje.

Andaj nuk duhet parë procesin e liberalizimit të vizave në një këndvështrim të ngushtë; është çështje multisektoriale dhe gjithashtu për nga aspekti i institucioneve, është çështje që duhet të adresohet jo vetëm nga një dikaster, një ministri e linjës, por nga një varg institucionesh të ndryshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për procesin e liberalizimit të vizave, në veçanti, dhe procesin e integrimeve evropiane, në përgjithësi, sa kanë treguar institucionet kosovare përkushtim për përmbushjen e kritereve të vëna nga Bashkimi Evropian?

SHENOLL MUHARREMI

Çështja e përkushtimit mund të shikohet nga këndvështrime të ndryshme. Unë mendoj që ka pasur iniciativa nga autoritetet që të avancohet në procesin e liberalizimit të vizave dhe e kemi cekur edhe më herët që fakti se Qeveria ka adaptuar një udhërrëfyes, duke u bazuar në udhërrëfyes që Komisioni Evropian u ka dhënë vendeve të rajonit, dhe fakti që në mënyrë unilaterale ka vendosur t’i zbatojë ato kritere, për mendimin tim kanë qenë shenja shumë pozitive.

Sido që të jetë, liberalizimi i vizave është vetëm një element shumë i vogël në krahasim me vetë procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Duke u bazuar në Raportet e Progresit dhe instrumentet e ndryshme të organizatave kredibile ndërkombëtare, nuk shihet përkushtim që tregon se jep sinjal shumë të qartë që Kosova është e përkushtuar dhe dëshiron të ecë më tutje.

Këtu, për shembull, fjala është kryesisht atëherë kur ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimin e institucioneve kyçe në këtë sistem, çështjen e efiçiencës së prokurorëve, gjyqtarëve; çështjen e pavarësisë së tyre politike, pastaj interferimet politike edhe në polici nëse duam, edhe në këto institucione, investimet se sa po investojmë në kushtet e zyrtarëve që po punojnë këtu, thjesht nuk kanë dhënë sinjal që Kosova me të vërtetë dëshiron të avancojë në Evropë.

Përkundrazi, vërehen tendenca ku parti politike apo liderë dëshirojnë të kenë kontroll dhe monopole dhe, thjesht, të mos investojnë në funksionimin e një sistemi demokratik ku të tri apo katër pushtetet e luajnë rolin e vet të pavarur.

Pastaj kritikat që ne kemi marrë sa i përket lirisë së mediave janë jashtëzakonisht shqetësuese. Përderisa për nga aspekti deklarativ, Evropa dhe anëtarësimi në BE ka qenë çështje që është përmendur thuajse përditë, faktikisht, unë personalisht nuk shoh sinjale që na bindin se institucionet, apo liderët kosovarë, dëshirojnë të ecin përpara.

Për të qenë më i saktë dhe më praktik, për shembull, Kosova ka resurse të limituara. Domethënë, nëse e krahason buxhetin e Kosovës me të gjitha vendet e tjera, është më i ulëti në Evropë. Investimet e huaja të drejtpërdrejta janë tepër të rëndësishme që sektori privat të zhvillohet më tutje dhe të rritet punësimi në Kosovë.

Ne nuk mund të presim investitorë të huaj seriozë përderisa Kosova njihet si vend i korrupsionit. Këto janë ato shenjat konkrete që nuk po i shohim nga autoritetet kosovare dhe që nuk bindin ende që e kemi me gjithë mend anëtarësimin në Bashkimin Evropian.