Lunacek: Qeveritë e reja në BE - problem për heqjen e vizave

Ulrike Lunacek

Derisa për Shqipërinë dhe Bosnjën në muajin e ardhshëm pritet të hiqet regjimi Shengen, autoritetet kosovare ende nuk kanë marrë ndonjë sinjal se kur mund të nisin dialogun zyrtar me Komisionin Evropian për këtë proces. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, shfaqi shpresën se një mision vlerësues i Komisionit Evropian, i cili pritet të qëndrojë në vend në muajin e ardhshëm, ta sigurojë Brukselin zyrtar për arritjet e autoriteteve kosovare në procesin e liberalizimit të vizave.


Autoritetet kosovare dhe përfaqësues të Parlamentit Evropian ritheksuan nevojën që Bashkimi Evropian të nisë, sa më parë, dialogun zyrtar për procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën dhe t’ia dorëzojë vendit udhërrëfyesin për këtë proces.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, tha se problemi kryesor lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën ka të bëjë më shumë me qeveritë e reja të një varg shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian, sesa me mosnjohjen e Kosova nga disa shtete të tjera anëtare.

“Disa shtete anëtare kanë qeveri të reja, prapa të cilave qëndrojnë shumë njerëz të krahut të djathtë, që nuk duan të kenë më të huaj në shtetin e tyre - gjë kundër së cilës po luftojmë unë dhe shumë të tjerë. Ky është problemi dhe nuk janë domosdoshmërish shtetet që nuk po e njohin Kosovën, por këto të tjerat”
, tha Lunacek, pas takimit që zhvilloi me ministrin në dorëheqje për Integrime, Besim Beqaj.

Ky i fundit u zotua për thellimin e bashkëpunimit me strukturat e Bashkimit Evropian për të siguruar, siç tha Beqaj, se Kosova është e përgjegjshme dhe se i ka plotësuar kriteret e vëna nga BE-ja. Beqaj tha se Kosova tani pret veprim konkret nga Komisioni Evropian.

“Nuk ka asnjë argument teknik më që Kosova të mos e marrë strategjinë për liberalizimin e vizave, sepse parakushtet, të cilat ne i kemi plotësuar, janë të plotësuara më mirë se sa nga të gjitha vendet e rajonit në fazën kur e kanë marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave
”, tha Beqaj.

Veprimi konkret i Komisionit Evropian, megjithatë duket se nuk do të merret para dërgimit të një misioni vlerësues evropian në Kosovë.

Lunacek shfaqi shpresën që një mision, i cili do të shikonte përmbushjen e kritereve për liberalizim vizash nga pala kosovare, ta vizitojë Kosovën në muajin e ardhshëm.

Mirëpo, ajo nuk dha ndonjë afat kohor për mundësinë e nisjes së dialogut në mes të Komisionit Evropian dhe Prishtinës zyrtare lidhur me heqjen e regjimit të vizave.

“Pres që ky mision do të sigurojë shtetet anëtare, pastaj do të bëhet raporti, i cili do të procedohet. Mirëpo, unë vetëm mund të them se do të jetë së shpejti”,
u shpreh Lunacek.

Një tjetër mision i BE-së pritet të qëndrojë në Kosovë në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit. Pas takimit që zhvilloi me përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, eurodeputetja Lunacek njoftoi se në përbërjen e këtij misioni do të jenë shtatë anëtarë të Parlamentit Evropian- të mandatar për të mbikëqyrur procesin zgjedhor në vend.

Lunacek u bëri bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje, ndërsa partive politike u kërkoi që t’i përmbahen Kodit të Mirësjelljes të nënshkruar kohë më parë.

“Do të doja t’i inkurajoj kosovarët - shqiptarët, serbët dhe njerëzit e etnive të tjera që të marrin pjesë në këto zgjedhje, të ballafaqohen me këtë sfidë demokratike dhe t’i votojnë ata, për të cilët dëshirojnë që të jenë udhëheqës të shtetit tuaj”.


“Do të doja t’i inkurajoj edhe 29 partitë politike dhe kandidatët e tyre që po marrin pjesë, që të zhvillojnë një fushatë të mirë, fer dhe të veprojnë në përputhje me Kodin e Mirësjelljes, të cilin shumica nga to e kanë nënshkruar në mënyrë që të ketë zgjedhje të drejta dhe fer”,
tha Lunacek.