Rahovec: Përfunduan votimet për kryetar komune

Fotografi ilustruese

Mekanizmat përgjegjës për administrimin e procesit zgjedhor në komunën e Rahovecit dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar për zhvillimin e një procesi të rregullt zgjedhor, pa incidente e parregullsi serioze në këtë komunë. Rahovecianët patën mundësi që deri në orën 19, kur edhe u mbyllën kutitë e votimit, të zgjedhin një nga pesë kandidatët që garuan për kryetar komune.


Qytetarët e komunës së Rahovecit kanë hedhur votën e tyre për të zgjedhur të preferuarin e tyre për kryetar komune. Kutitë e votimit u mbyllën sipas planeve të mekanizmave përgjegjës për administrimin e procesit zgjedhor, në orën 19.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për postin e të parit të kësaj komune u zhvilluan pas dorëheqjes së ish-kryetarit Qazim Qeska, ndërsa kandidatët që synojnë të jenë pasardhës të tij janë Xhelal Canziba nga Partia Demokratike e Kosovës, Ibrahim Kryeziu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Smajl Latifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Rexhep Oruçi nga Aleanca Kosova e Re dhe Luljeta Kadiri nga Lidhja Demokratike e Dardanisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë bëri të ditur se në zgjedhje kanë marrë pjesë 19,960 votues, ose 40.51 për qind nga gjithsej 49, 272 votuesit potencialë të Rahovecit.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se nuk është raportuar për parregullsi apo ndonjë incident serioz në vendvotime.

“Nuk kemi ndonjë incident serioz, i cili do të mund të dëmtonte procesin zgjedhor. Ndoshta ka pasur ndonjë parregullsi të vogël, por jo ndonjë incident, i cili e dëmton rëndë këtë proces”
, theksoi Daka.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në aspektin e sigurisë u përkujdes Policia e Kosovës, që gjatë ditës pati të angazhuar gjithsej 200 pjesëtarë policorë, prej të cilëve 120 ishin përgjegjës vetëm për mbikëqyrjen e procesit të votimeve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, bëri të ditur se gjatë së dielës nuk është raportuar për ndonjë incident apo parregullsi.

“Sa u përket informatave dhe bashkëpunimit që kemi edhe me KQZ-në, qendrat e votimit janë hapur me kohë dhe që nga ai moment, kur edhe zyrtarët policorë janë paraqitur në qendrat e votimit nuk kemi të regjistruar as incidentin më të vogël”,
konfirmoi Kelani.

Ndërkohë, sipas rrjetit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” që monitoroi procesin zgjedhor në komunën e Rahovecit, nuk janë shënuar parregullsi të mëdha që do të dëmtonin procesin.

Në Rahovec, pastaj në fshatrat Palluzhë, Drenoc, Çifllak, Krushë, Senoc, Sopniq, Nagavc dhe Reti e Poshtme vëzhguesit e këtij rrjeti thuhet se kanë vërejtur votime familjare.

Përmes një komunikate për shtyp, ky rrjet përmendi zëvendësimin e komisionarëve nga ana e vëzhguesve të partive politike, tentimin e një grupi për votim të dyfishtë dhe konstatimin e ekzistimit të emrave të personave të vdekur në listat e votuesve, si probleme të evidentuara gjatë procesit zgjedhor në Rahovec.

Rezultatet preliminare pritet të shpallen nga KQZ-ja, në konferencën e radhës në orën 22.