Sa të rrezikuar janë kosovarët?

Fotografi ilustruese

Antibiotikë pa përshkrim të mjekut mund të blesh nëpër të gjitha barnatoret, thonë vetë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë. Por, sipas tyre, përdorimi i antibiotikut pa kontroll, shkakton dëme shumë të mëdha në organizëm.

Doktor Lul Raka, njëherësh koordinator i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, thotë se janë duke punuar në drejtim të parandalimit të shitjes së antibiotikëve pa recetë.

“Shitja e antibiotikut ndodh qe 2 dekada nëpër barnatoret e Kosovës. Prandaj, ne jemi duke punuar në strategjinë e ndalimit të rezistencës së antibiotikut dhe një ndër pikat orientuese do të jetë ndalimi i shitjes së antibiotikut pa recetën e mjekut. Nëse merret pa kontroll të mjekut mund të ketë efekte anësore dhe më së shumti pësojnë fëmijët, sepse prindërit u japin antibiotikë pa kontroll të mjekut”,
thotë Raka.

Mirëpo, farmacisti Sami Hamza thotë se në barnatoren ku ai punon, nuk jepet antibiotiku pa recetë të mjekut.

“Për shkak të efekteve anësore, si alergjia p.sh., nuk jepet (antibiotiku) pa recetë të mjekut në barnatoren tonë”
, thekson Hamza.

Mirëpo, ka qytetarë që antibiotikun e blejnë pa recetë dhe të tillëve u ka ndodhur rasti i shfaqjes së alergjisë. Nora Morina, duke treguar për rastin, thekson nevojën e njohurive elementare para përdorimit të antibiotikut.

“Marrja e antibiotikut mendoj se është shumë e rrezikshme, nëse paraprakisht nuk konsultohesh me mjekun ose nuk ke njohuri elementare rreth antibiotikëve. Unë kam pasur një rast në familje. Gjyshja pasi ka marrë antibiotikun, i është shfaqur alergjia, edhe pse ajo kishte marrë antibiotikë edhe më herët. Ndërsa, pa ndërhyrjen e mjekut mendoj se pasojat do të kishin qenë fatale”
, tregon Morina.

Ndërkaq, Arlinda Sadiku, qytetare, thotë se në çdo barnatore mund të blesh antibiotikë pa recetë, por ajo nuk e preferon përdorimin e tyre pa konsultim.

“Antibiotiku nëpër barnatore jepet lirisht, pa recetë, por unë zakonisht konsultohem me mjekun”
, shprehet Sadiku.

Faik Hoti, drejtor në Departamentin e informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se ky institucion tashmë ka formuar grupin punues, i cili do të merret me hartimin e përdorimit racional të antibiotikut në Kosovë.

“Deri në hartimin e kësaj strategjie, ministria do të provojë që të shtyjë para-protokollet klinike dhe udhërrëfyesit e ndryshëm lidhur me përdorimin dhe përshkrimin racional të antibiotikut, sepse këto janë barna me efekte të forta dhe ka indikacione që përshkruhen nga ana e mjekëve në Kosovë, e, gjithashtu, ato vetë konsumohen nga pacientët pa përshkrimin e mjekut”,
bën të ditur Hoti.

Ndërkaq, sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, antibiotikët për 60 vjet me radhë kanë qenë parandalues kryesorë të sëmundjeve të ndryshme. Megjithatë, shumë antibiotikë tashmë kanë humbur efikasitetin dhe ka lindur nevoja e kërkimeve të reja alternative për zëvendësimin e tyre.