NATO formëson të ardhmen në Lisbonë

Sekretari i NATO-s, gjeneral Anders Fog Rasmusen gjat1% konferencës për shtyp në Lisbonë, 19 nëntor 2010

Mbrojtja raketore, Afganistani dhe koncepti i ri strategjik i NATO-s do të jenë në krye të agjendës në samitin vjetor të kësaj aleance në Lisbonë.
Me konfirmimin e pjesëmarrjes së presidentit rus, Dimitrij Medvedev, relacionet komplekse të NATO-s me Moskën pritet të jenë në qendër të vëmendjes.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, pret që takimi i Lisbonës, të jetë “një nga më të rëndësishmit” në historinë 61-vjeçare të aleancës.

“Bazuar në këto rezultate konkrete - konceptit të ri strategjik, fillimit të një faze të re në Afganistan dhe fillimit të raporteve të reja me Rusinë - samiti i Lisbonës do të jetë thelbësor. Do të formësojë të ardhmen e aleancës sonë. Do të përforcojë themelet që e bënë NATO-n aleancën më të suksesshme në histori”,
thotë Rasmusen.

Sipas raporteve të mediave, 28 shtetet anëtare të NATO-s janë afër arritjes së një marrëveshjeje mbi sistemin e ri të mbrojtjes raketore balistike. Sistemi i ri do ta zëvendësojë atë të mëhershmin, të cilin presidenti Barak Obama e flaku vitin e kaluar për shkak të realizimit teknik dhe kundërshtimit të fuqishëm të Rusisë.

Aleanca po përpiqet ta bindë Rusinë të marrë pjesë në ristrukturtimin e sistemit mbrojtës raketor, si pjesë e riafrimit me Moskën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë rivendosjen e raporteve me Rusinë, siç kanë bërë aleatët si Gjermania dhe Franca.

Sesioni NATO-Këshilli i Rusisë, do të jetë i pari, në të cilin merr pjesë Obama dhe Medvedevi dhe në të do të diskutohet mbrojtja raketore, çështjet që kanë të bëjnë me përhapjen e armëve, luftën kundër terrorizmit, politikat anti-narkotike dhe siguria e mbrojtjes në internet.

Nga sesioni pritet të dalë një dokument që vë në pah kërcënimet, me të cilat ballafaqohet NATO dhe Rusia dhe strategjinë për t’i luftuar ato.

Aleanca dhe Moska pritet të nënshkruajnë një marrëveshje të re mbi transportimin e pajisjeve jovdekjeprurëse në Afganistan përmes territorit rus.
Ambasadori amerikan në NATO, Ivo Dalder, mendon se nga samiti do të krijohet një raport i ri me Moskën.

Samiti i NATO-s në Lisbonë

“Ky është një rast i mirë për Rusinë dhe shtetet e NATO-s që të rivendosin raportet. Ne i rivumë raportet bilaterale me Rusinë së fundi. Raportet bilaterale të disa shteteve të NATO-s me Rusinë janë përmirësuar dukshëm në vitet e fundit. Por, kanë ngecur raportet NATO-Këshilli i Rusisë. Ne e shohim këtë si një mundësi për të ecur në një fazë të re”, thotë Dalder.

Por, shtetet e reja të NATO-s nga Evropa Lindore, si Polonia dhe shtetet baltike, të cilat ende i kanë të fuqishme kujtimet nga dominimi sovjetik mbesin shumë skeptike.

Presidenti polak, Bronislav Komorovski, ka thënë se “raportet me Rusinë nuk duhet të zhvillohen në kurriz të interesave të sigurisë së shteteve tjera të Evropës Lindore”.

Polonia thotë se prania amerikane në vend jep garanci në rast se situata do të përkeqësohej. Rasmusen, megjithatë, thotë se pavarësisht dyshimeve dhe mosbesimnit, do të arrihet konsensusi për një bashkëpunim më të madh me Moskën.

“Unë kam përshtypjen e fortë se Rusia ndan pikëpamjen tonë se ka ardhur koha që mos të brengosemi për njëri-tjetrin. Ka ardhur koha që të punojmë së bashku. Dhe, do të punojmë”
, thekson Rasmusen.

NATO po ashtu pritet që të caktojë një datë për kalimin e përgjegjësive te forcat afgane. Asistenti special i Obamas për Afganistanin dhe Pakistanin, Doug Lute, thotë se pavarësisht këtij transferimi, aleanca do të vazhdojë t’i ndihmojë afganët.

“Për të siguruar se afganët mund të qëndrojnë dhe nuk kanë nevojë të lihen vetëm, NATO pritet të konfirmojë partneritetin e qëndrueshëm për zhvillimin e forcave kombëtare afgane të sigurisë”
, thotë Lute.(a.i.)