KE: Kritika Kosovës për korrupsionin

  • Augustin Palokaj

Komisionari për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle, në konferencën për gazetarë, pas publikimit të raporteve të progresit. Bruksel, 9 nëntor 2010.

Komisioni Evropian ka refuzuar sot kërkesën e Shqipërisë për t’i dhënë këtij vendi statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërkohë që ka rekomanduar që shtetet anëtare këtë status të kandidatit t’ia japin Republikës së Malit të Zi.

Opinionet e Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe Malin e Zi kanë qenë lajmet kryesore nga paketa e zgjerimit, që është miratuar sot në Bruksel, përfshirë edhe raportet individuale të progresit për vendet e Ballkanit dhe vendet tjera kandidate për anëtarësim në BE.

Për Shqipërinë thuhet se probleme kryesore janë mungesa e dialogut të mirëfilltë politik dhe funksioni demokratik i institucioneve të vendit.

Në anën tjetër, Mali i Zi po ashtu ka mangësi në administratën publike, prandaj Komisioni vetëm ka sugjeruar që këtij vendi duhet t’i jepet statusi i kandidatit, por jo të nisin negociatat për anëtarësim.

Shqipëria, por edhe Mali i Zi thuhet se duhet të bëjnë më shumë përparim deri në Raportin e Progresit të vitit që vjen, nëse dëshirojnë të lëvizin drejt integrimeve evropiane.

Sa u përket vendeve të tjera të rajonit dhe vendeve kandidate, Komisioni ka gjetur se ka pasur pak përparim, mirëpo të gjitha fushat e shqetësimeve mbeten pothuajse të njëjta sikur edhe vitin e kaluar, e ato janë: mungesa e reformave të duhura të gjyqësorit, ndikimi politik në gjyqësor dhe në media, si dhe mungesa e lirisë së shprehjes.

Sa i përket Kosovës, raporti thotë se Kosova ka arritur një lloj progresi në kriteret politike. Si sukses përmendet sidomos procesi i decentralizimit.

Por, lidhur me Kosovën, vërejtje serioze mbeten: mungesa e gatishmërisë së duhur për të luftuar korrupsionin, çështja e luftës kundër krimit të organizuar, ndikimi politik në emërimin e gjykatësve dhe, siç thuhet, mungesa e lirisë së shprehjes.

Për Kosovën konstatohet se në praktikë nuk ekziston liria e shprehjes dhe se gazetarët janë shpesh viktimë e kërcënimeve nga ana e zyrtarëve të ndryshëm, për shkak të punës së tyre. Po ashtu thuhet se ata kanë probleme në qasjen në dokumentet zyrtare.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar në Kosovë, thuhet se nuk ka pasur konfiskime apo vendime të gjykatave lidhur me rastet e nivelit të lartë të krimit të organizuar.

Në aspektin e korrupsionit, problem serioz mbetet pasuria e politikanëve dhe deklarimi i kësaj pasurie.

Komisioni Evropian vë re se ka një lloj mospërputhshmërie të madhe ndërmjet asaj që kanë deklaruar si pasuri politikanët dhe të të ardhurave të tyre zyrtare.

Kjo, sipas Komisionit, dëshmon për mungesën e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin.

Komisionari i zgjerimit, Shtefan Fyle, në konferencën për shtyp, gjatë paraqitjes së raporteve të progresit, ka adresuar edhe një çështje që mbetet mjaft e ndjeshme për qytetarët e Kosovës, e kjo është liberalizimi i vizave.

Ai ka thënë se Komisioni mbetet i përkushtuar që edhe me Kosovën të nisë dialogun e liberalizimit të vizave, por ka bërë të qartë se kjo kushtëzohet me zbatimin e programeve për riintegrimin e të kthyerve.