Festa e liberalizimit

Tiranë

Në të gjithë Shqipërinë është festuar pas vendimmarrjes evropiane për liberalizim të vizave.

Vëmendja është përqendruar kryesisht në Tiranë, ku çdo rrugë e saj, e sidomos bulevardi qendror, është zbukuruar prej të paktën dy ditësh me flamuj evropianë e shqiptarë, por edhe pano gjigante, si dëshmi për këtë zhvillim historik për vendin.

Qytetarët e vlerësojnë këtë si një moment mjaft të rëndësishëm, si një zhvillim që përmbush një ëndërr mbi 20-vjeçare.



Ditë historike e cilësoi presidenti Bamir Topi rënien e murit të vizave Shqipëri-Bashkimi Evropian.

“Padyshim, është një gëzim i shumëpritur që duhet ndarë si sukses i përbashkët, një sukses qytetar i ëndërruar gjatë. Kjo është një datë e tretë, besoj më e rëndësishmja për shqiptarët, pas shpalljes së pavarësisë dhe rënies së komunizmit”, tha presidenti Topi.

Nga selia qendrore e këshillit të ministrave, kryetari i qeverisë, Sali Berisha, uroi shqiptarët për këtë vendimmarrje të rëndësishme. Ai e cilësoi atë si fryt të përpjekjeve të vendit për reforma të gjithanshme.

“U krye... Ky vendim, para së gjithash dhe mbi të gjitha, është vendim besimi. Ky vendim u bë i mundur vetëm e vetëm pasi Qeveria shqiptare, me zero tolerancë, vendosi para ligjit, njëra pas tjetrës, mbi 200 e sa banda e grupe kriminale që përbëjnë rrezik të vërtetë jo vetëm për shqiptarët, por Evropën; pasi Qeveria shqiptare me vendosmëri të madhe luftoi korrupsionin”, u shpreh kryeministri Berisha.

Vendimi i Këshillit të Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të Bashkimit Evropian u përshëndet edhe nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

“Vulosja e këtij vendimi jashtëzakonisht të pritur për një kohë shumë të gjatë, e bën këtë ditë të shënuar. Evropa është një ëndërr e vjetër shqiptare, për të cilën ky vend ka përshkuar rrugëtime me plot vështirësi, me plot sakrifica”,
tha Rama.