Udhëheqësit e institucioneve kosovare thonë se do të parandalojnë përshkallëzimin eventual të situatës së sigurisë në veri, në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme në vend. Serbët e veriut, ndërkaq, i kundërshtojnë këto zgjedhje, duke thënë se, pavarësisht thirrjeve të disa politikanëve në Beograd për pjesëmarrje në proces, do t’i bojkotojnë ato.
Autoritetet vendore në Kosovë thonë se në pjesën veriore të vendit vazhdon të ketë potencial për dhunë, ndërsa u bëjnë thirrje serbëve lokalë që të mos pengojnë proceset demokratike në vend.
Në kohën kur mekanizmat përgjegjës për administrimin e procesit zgjedhor janë duke bërë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se edhe tani, veriu i Mitrovicës mbetet zona më sfiduese për mekanizmat e sundimit të ligjit.
Ai tha se në veri, grupet e, siç i quajti, nacionalizimit ekstrem serb po pengojnë proceset shtetërore në vend, duke tensionuar situatën dhe trazuar banorët që janë pro pjesëmarrjes në zgjedhje.
Megjithatë, ministri Rexhepi shprehu bindjen se Policia e Kosovës dhe misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit ligjit do të jenë në gjendje të parandalojnë eskalimin eventual të çfarëdolloj situate.
...ka potencial, por Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in kanë mjaft kapacitete që ta mbajnë situatën të qetë dhe nën kontroll.
“Ne sot kishim një takim të përbashkët me EULEX-in e policinë dhe kërkuam që të preventohen çfarëdolloj incidentesh, të krijohet një ambient i qetë e i sigurt për të gjitha komunitetet dhe atyre që duan të marrin pjesë në zgjedhje, t’u mundësohet votimi i lirë pa kurrfarë presioni”.
“Natyrisht se ka potencial, por Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in kanë mjaft kapacitete që ta mbajnë situatën të qetë dhe nën kontroll”, tha Rexhepi.
Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Kosovë ishin tema kryesore e mbledhjes së fundit të Këshillit Nacional Serb në veri. Kreu i këtij këshilli, Millan Ivanoviq, tha se serbët nuk duhet, nuk guxojnë dhe nuk mund të dalin në zgjedhjet, të cilat, sipas tij, formojnë dhe forcojnë institucionet e Kosovës, e që deri vonë nga pushteti serb janë cilësuar si kuazi-institucione të një kuazi shteti të pavarur.
Ai shprehu bindjen se me daljen në zgjedhje, serbët do të japin shenjë se e pranojnë pavarësinë e Kosovës.
Serbët në veri absolutisht nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje, do t’i bojkotojnë ato...
“Serbët në veri absolutisht nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje, do t’i bojkotojnë ato, me gjithë thirrjet e disa përfaqësuesve të pushtetit në Beograd, të cilët kanë filluar të flasin me gjuhën e Brukselit dhe të cilët nuk udhëheqin një politikë kombëtare serbe, por një politikë euro-atlantike”, tha Ivanoviq.
Tensionet në veri të Kosovës, siç raportojnë mediat në Prishtinë e Beograd, përmenden edhe në raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
Në raport thuhet se janë përmendur incidentet e javëve të fundit në veri, ndërsa Këshillit të Sigurimit thuhet se i është kërkuar mbështetja për shmangien e situatave të ngjashme me këto të fundit.
Kreu i OKB-së, Ban Ki-mun, sipas mediave lokale, u ka bërë thirrje të gjitha palëve të vazhdojnë bashkëpunimin me UNMIK-un për realizimin e mandatit të tij.
Mirëpo, ministri Rexhepi rikujtoi qëndrimin kundërshtues të ekzekutivit kosovar lidhur me funksionin aktual të UNMIK-ut.
“Ata s’kanë kurrfarë detyrash operacionale as vendimmarrëse. Mund të jenë facilitues, por unë mund të them se më shumë janë pengues sesa facilitues. Ata duhet të shikojnë që gradualisht ta përfundojnë mandatin e tyre, për arsye se janë bërë pengesë e zhvillimeve pozitive dhe po interferojnë me organizatat e tjera”, tha Rexhepi.
Veriu pritet të jetë një ndër temat kryesore të diskutimit gjatë dialogut të ardhshëm ndërmjet Prishtinës e Beogradit.
Përfaqësuesit e misionit të OKB-së në Kosovë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar zhvillimin e këtij dialogu, por kundërshtimi i autoriteteve kosovare - i theksuar sidomos në raportin e fundit të Zyrës së Koordinatorit të Strategjisë për integrimin e veriut të Mitrovicës - duket se do të vështirësojë realizimin e një ideje të tillë.
Lexoni edhe këtë: Siguria pas reduktimit të KFOR-it