Përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës zotohen se brenda vitit të ardhshëm do të përfundojnë procesin e riemërimit të gjykatësve e prokurorëve dhe reformimin e sistemit gjyqësor të vendit. Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori sot përsipër kompetencat për riemërimin e gjykatësve e prokurorëve - kompetenca këto, të cilat që nga viti 2008 i ka pasur Komisioni i Pavarur për Gjyqësi dhe Prokurori.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës pret që deri kah prilli i vitit të ardhshëm të përfundojë procesin e riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.
Të martën, ky këshill mori përsipër kompetencat për përfundimin e një procesi, të cilin në vitin 2008 e kishte nisur Komisioni i Pavarur për Gjyqësi dhe Prokurori, mekanizëm ky i cili brenda 30 muajve të funksionimit thuhet t’i ketë emëruar më shumë se 345 kandidatë.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, i tha Radios Evropa e Lirë se deri në pranverën e vitit të ardhshëm pritet të përfundojë riemërimi i kandidatëve për rreth 120 pozita të paplotësuara.
“Nuk do të jetë shumë shpejt... Por, ne kemi bërë një parallogaritje që deri në prill të vitit të ardhshëm të bëhet një plotësim më i mirë i këtyre vendeve. Do të formohet një zyrë e posaçme për emërime, e cila do të jetë kompetente për të verifikuar dhe hetuar. Ndërsa, prej anëtarëve të këshillit do të formohen komisione të posaçme për emërime”, njoftoi ai.
Ekspertët, ndërkohë, thonë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të ballafaqohet me disa probleme në fazat e ardhshme të procesit të riemërimit të gjykatësve e prokurorëve.
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Musa Dragusha, vlerësoi se mungesa e kuadrove profesionale është sfida kryesore, e cila komplikon procesin.
Dragusha theksoi se programet e studimeve të drejtësisë në Kosovë nuk ofrojnë juristë të përgatitur sipas standardeve të kërkuara.
“Për juristë dhe për të kualifikuar duhet një ekspertizë e veçantë, duhen programe të veçanta - në fakt, duhen programe që janë në përputhje me standardet evropiane. Procedurat gjyqësore në Kosovë duhet të jenë të ngurtësuara mbi standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
“Ato sot vazhdojnë të jenë arkaike, të jenë të paefektshme dhe në përgjithësi i reflektojnë procedurat e trashëguara nga e kaluara”, u shpreh Dragusha, për të shtuar se sfidë e vazhdueshme për Këshillin Gjyqësor të Kosovës do të mbetet edhe reformimi i tërë sistemit gjyqësor.
Ai tha se janë bërë hapa pozitivë me krijimin e Ligjit mbi gjykata. Ky ligj thuhet se parasheh thjeshtëzimin e sistemit të gjykatave, duke i shuar gjykatat komunale, ato për kundërvajtje dhe krijimin e një gjykate themelore me degë nëpër komuna.
Gjykatat e qarkut, siç parashihet, do të shndërrohen në gjykata të apelit, ndërsa Gjykata Supreme thuhet se do të jetë gjykatë prijëse e sistemit gjyqësor.
Kreu i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, bëri të ditur se procedurat rreth riorganizimit të sistemit gjyqësor duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2011.
“Sfidë do të jetë sidomos reformimi i sistemit gjyqësor - në kuptimin e asaj që me Ligjin e ri për gjykatat na pret një punë shumë e madhe pikërisht në riorganizimin e gjykatave aktuale. Jeni në dijeni se deri në fund të viti 2011 duhet t’i bëjmë të gjitha përgatitjet sa i përket reformimit të këtyre gjykatave”, tha ai.
Numri i madh i lëndëve të grumbulluara, pagat e ulëta të gjykatësve e prokurorëve dhe mungesa e shtrirjes së veprimit të gjykatësve kosovarë edhe në pjesën veriore të vendit thuhet se janë probleme të tjera, të cilat vështirësojnë funksionimin e gjyqësorit në Kosovë.
Lexoni edhe këto:
Telashet e gjyqësorit
Peci: Sistemi gjyqësor, në gjendje të keqe