Fundi i partneritetit PDK - LDK

Qeveria e Kosovës

Ministrat nga radhët e LDK-së kanë dorëzuar detyrat në postet qeveritare, ndonëse mbetet që formaliteti i pranim-dorëzimit të kalojë edhe përmes disa komisioneve ad-hoc. Edhe pse ka braktisur koalicionin qeverisës, LDK-ja nuk është pajtuar me opsionin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Lidhja Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht i ka dhënë fund partneritetit qeverisës me Partinë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi.

Ashtu siç është paralajmëruar dhe në harmoni me vendimin e Kryesisë së LDK-së, ministrat dhe zëvendësministrat e LDK-së janë tërhequr të hënën nga Qeveria, ndonëse ka mbetur që edhe formalisht dorëzimi i detyrave të bëhet përmes komisioneve ad-hoc që do të formohen.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së dhe zëvendëskryeministri i deritashëm, Ramë Manaj, ka thënë pas një takimi të Kryesisë së kësaj partie me ministrat e deritashëm se, pavarësisht daljes së LDK-së nga Qeveria, Kosova nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke besuar se data e zgjedhjeve do të mbetet ajo që e ka caktuar u.d. i presidentit, Jakup Krasniqi, përkatësisht 13 shkurti.

“Tashmë janë caktuar zgjedhjet, ato janë të parakohshme dhe data për to është caktuar 13 shkurti i vitit 2011. Nuk ka ende kushte për zgjedhje të jashtëzakonshme”
, ka deklaruar Manaj.

Ndërkaq, lidhur me dorëzimin zyrtar të posteve ministrore, Manaj ka thënë se kjo çështje do të mbyllet shumë shpejt.

“Nuk besoj që mund të zgjasë dhe nuk duhet të zgjasë. Është krejt çështje teknike pranimi, përkatësisht dorëzimi i detyrave. Do të jetë nga një komision ad-hoc që formohet në secilën ministri që bën pranim - dorëzimin e posteve”,
ka theksuar Manaj.

Dorëzimin e detyrës tashmë e kanë konfirmuar ministrat: Bujar Bukoshi, Sadri Ferati, Haki Demolli dhe Skënder Hyseni.

Zëvendëskryeministri i deritashëm, Ramë Manaj, dhe ministri i Kulturës, Lutfi Haziri, pritet që këtë ta bëjnë edhe përmes komisioneve ad-hoc.

Disa nga ministrat e LDK-së, dorëzimin e detyrave te zëvendësministrat që vijnë nga radhët e PDK-së, apo partive minoritare, e kanë bërë në prani të mediave.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka thënë se po largohej duke besuar se punët që kanë nisur në këtë ministri, si decentralizimi dhe krijimi i komunave të reja, të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“Unë do të shpresoj dhe do të sugjeroja që asgjë të mos ndalet dhe të vazhdojë gjithçka. Kosovën e presin procese të ndjeshme, sidomos ato që ndërlidhen me veriun, me dialogun dhe të gjitha institucionet duhet ta bëjnë punën e vet, në mënyrë që të shihet se edhe veriu është pjesë e Kosovës”.

“Komunat po funksionojnë fuqishëm dhe këtu kam zëvendësministrin Elezi me sekretarin dhe të tjerët dhe do të doja të vazhdonte puna në këtë drejtim
”, është shprehur Ferati.

Tani pas tërheqjes së LDK-së nga koalicioni qeverisës, mbetet te PDK-ja dhe kryeministri Hashim Thaçi nëse do të iniciojë apo jo edhe procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

PDK-së i mjafton një mocion mosbesimi i Qeverisë në Kuvend që kjo Qeveri të bjerë nëse nuk merr shumicën e votave në Kuvend. Me këtë do të krijoheshin parakushtet për shpërndarjen e Kuvendit dhe thirrjen e zgjedhjeve brenda 45 ditësh.

Përderisa PDK-ja, si partia më e madhe është deklaruar se nuk do ta mbështesë formimin e qeverisë teknike, zgjedhjet e jashtëzakonshme, tash për tash edhe shihen si një prej zgjidhjeve më të mundshme.

Një proces i shpejtë zgjedhorë, megjithatë do të sfidonte sidomos Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kurse, nga aspektet tjera, mbetet e paqartë se si do të veprohet me buxhetin e vitit 2011, i cili nuk është i miratuar dhe me shpërndarjen e Kuvendit do të mbetet si i tillë.