Kriza kalohet me kapacitete të reja

Fotografi ilustruese

Ekspertë të çështjeve energjetike thonë se Kosova nuk ka kapacitete për prodhimin e energjisë alternative. Për të dalë nga gjendja e vështirë energjetike, në të cilën gjendet vendi, ata thonë se duhet të zhvillohet sektori i linjitit dhe investimet të bëhen në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike dhe jo në rehabilitimin e kapaciteteve të vjetra.


Për të arritur efikasitet në prodhimin e energjisë alternative, Kosovës i duhen edhe shumë vite, vlerësojnë ekspertë të energjetikës.

Baza e zhvillimit të sektorit energjetik, thotë ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, duhet të jetë nga sektori i linjitit, i cili, siç thotë ai, mund të ishte njëri nga faktorët zhvillues brenda Kosovës dhe faktor ndikues në zhvillimet e rajonit dhe në Evropë.

Sipas Çekut, me zhvillimin e këtij sektori, Kosova do të kishte zërin e fuqishëm në aspektin e zhvillimit ekonomik

“Mungesa e energjisë elektrike është një nga defektet e mëdha në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe në kredibilitetin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, sepse edhe pas dhjetë vjet të luftës, sektori energjetik është barra më e rëndë e zhvillimit të vendit tonë
”, thotë Çeku.

Që nga përfundimi i luftës Kosova ka investuar miliona euro në sistemin energjetik. Investimet e bëra, vlerësojnë ekspertët, kanë ndihmuar në eliminimin e deficitit të madh energjetik që ka ekzistuar në Kosovë, por nuk kanë arritur të ndihmojnë në stabilizimin e gjendjes energjetike.

Edhe ekspertja e energjetikës, Fllanza Hoxha, thekson se për të dalë nga gjendja e vështirë energjetike, Kosova duhet të fillojë shfrytëzimin e thëngjillit.

“Kosova ka potenciale edhe hidro-potenciale. Ndërtimi i hidrocentraleve është i nevojshëm, por janë shumë pak. Kërkesat që do t’i ketë Kosova, nuk do të mund të mbulohen nga hidrocentralet e Kosovës. Shfrytëzimi i thëngjillit, edhe pse në dëm të mjedisit, duhet të fillojë sa më shpejt”,
shprehet Hoxha.

Ndërkohë, zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës thonë se furnizimi me energji elektrike ka pasur përmirësim të dukshëm nga viti në vit.

Përmirësim, thonë ata, do të ketë edhe në këtë vit. Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, bën të ditur se janë bërë investime të mëdha në sektorin e energjisë dhe qytetarët do të jenë të kënaqur me furnizim gjatë sezonit dimëror.

“Sigurisht që ata që e paguajnë energjinë elektrike, nuk kanë pasur reduktime të energjisë elektrike dhe nuk do të kenë. Ndërkaq, ata të cilët nuk e paguajnë, do të jenë subjekt i vazhdueshëm i shkyçjeve”
, deklaron Buzhala.

Sidoqoftë, ekspertët e energjetikës thonë se pa ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, siç është realizimi i projektit të shumëpërfolur Termocentrali “Kosova e re”, vështirë se do të mund të shkarkohet vendi nga mungesa e energjisë elektrike.

Ethem Çeku e quan gabim të madh mosangazhimin e autoriteteve kosovare për fillimin e realizmit të projektit “Kosova e re”.

“Qeveria e Kosovës shpenzon për çdo vit 100 milionë euro për të blerë energji elektrike, kurse humbjet totale të ekonomisë kosovare në mungesë të energjisë, janë rreth 1 miliard euro në vit. Kjo do të thotë humbje e vendeve të reja të punës, humbje në investime në arsim, në shëndetësi dhe në projekte tjera nacionale që i duhen vendit tonë”,
thekson Çeku.

Ndryshe, pasiguria në furnizimin e energjisë vazhdon të jetë një nga kufizimet kyçe për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë.