Ekspertët e fushave shoqërore shprehin bindjen se radikalizmi i çfarëdo lloj ideologjie mund të shkaktojë kundërefekte në shoqërinë kosovare.
Mungesa e një mirëqenieje sociale në Kosovë shfrytëzohet nga grupe të ndryshme për radikalizmin e ideologjive - përfshirë ato fetare, thonë njohësit e çështjeve sociale në Kosovë.
Kërkesat në rritje të një pjese të qytetarëve të Kosovës për lejimin e mbajtjes së simboleve fetare nëpër institucione publike, sipas sociologëve, bien ndesh me normat e përgjithshme shoqërore në Kosovë.
Ata vlerësojnë se radikalizmi i çfarëdolloj ideologjie mund të shkaktojë kundërefekte në shoqërinë kosovare, duke krijuar konflikte në mes të përkrahësve dhe kundërshtuesve të ideve të tilla.
Shefi i Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Shemsi Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet kosovare duhet t’u përgjigjen këtyre kërkesave me maturi dhe në kuadër të ligjeve dhe rregullave të pranuara publikisht.
“Zakonisht, këto lëvizje fetare, e këto radikalizime me bazë ideologjike e shfrytëzojnë pakënaqësinë sociale. Unë mendoj se duhet të reagohet me njëfarë maturie, me një kujdes të vazhdueshëm, me njëfarë parandalimi të këtyre kërkesave radikale ose ekstreme dhe duhet të respektohet Ligji dhe rregullat, të cilat janë të pranuara publikisht”, vlerëson Shemsi Krasniqi.
Përmes një proteste, përfaqësues të disa organizatave joqeveritare kërkuan të premten lejimin e bartjes së shamive nëpër shkolla publike në Kosovë - gjë që është ndaluar kohë më parë përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Arsimit.
Antropologia Nita Luci i quan legjitime protestat e kosovarëve për të drejtat e njeriut, por thekson se realizimi i kërkesës për mbajtjen e shamive nëpër shkolla, do të ishte një lloj sundimi ndaj fëmijëve.
“Unë mendoj se bartja e shamisë në një moshë shumë të hershme tregon edhe një lloj sundimi. Një fëmijë i shkollës fillore asnjëherë nuk mund të jetë i gatshëm që të tregojë për veten se a mund të mbajë apo jo, sepse nuk është në gjendje që të perceptojë se cilat janë rregullat e religjionit”, thotë Nita Luci për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Nita Lucit, mekanizmat shtetërorë dhe vetë qytetarët e Kosovës duhet të kenë kujdes të mos bien pre e, siç i quajti ajo, betejave të interesit të grupeve të ndryshme politike e ekonomike.
“Këtu kemi të bëjmë me lojëra të ndryshme të sistemeve politike e ekonomike, e ku njerëzit gjenden në mes të disa betejave që janë shumë të rrezikshme. Këtu prapë vjen tek ajo se sa kemi ne fuqi, sa kemi ne mundësi që të vendosim për veten. Mendoj se Kosova është shtet sekular që duhet të mbetet ashtu”, thekson antropologia Nita Luci.
Ndërkaq, Shemsi Krasniqi nuk përjashton mundësinë që këto kërkesa, siç i quan ai, radikale, të dëmtojnë edhe imazhin e Kosovës si vend sekular.
“Patjetër që ka forca të ndryshme të bazave të ndryshme, edhe fetare, politike e ideologjike të llojllojshme, të cilat mundohen të denigrojnë dhe të ulin imazhin e Kosovës, e të popullit shqiptar në përgjithësi”, shprehet Shemsi Krasniqi.
Bazuar në vendimin e Ministrisë së Arsimit, përgjatë muajve të kaluar, në Gjakovë, Deçan, Gjilan, Mitrovicë dhe të tjera nga shkolla janë përjashtuar disa nxënës.
Lidhur me këtë çështje, Qeveria e Kosovës insiston në respektimin e Kushtetutës së Kosovës, e cila, siç thuhet, e përcakton Kosovën si shtet jofetar, ndërsa protestuesit thonë se vendimi i ekzekutivit të vendit bie ndesh me të drejtat e njeriut.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet të japë fjalën e fundit për këtë çështje.