Kundër protestës për shaminë

Pamje nga protesta e 18 qershorit 2010...

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, u bëri thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë që të “mos bien pre e thirrjeve të disa organizatave joqeveritare me karakter fetar”, të cilat kanë paralajmëruar protesta në Prishtinë për ditën e premte.

Myftiu Tërnava tha se Bashkësia Islame e Kosovës nuk qëndron prapa këtyre protestave.

Këto komente, myftiu Tërnava i bëri pas një takimi që zhvilloi me ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi.

Protesta e paralajmëruar është thirrur në mbrojtje të shamisë nëpër objektet shkollore dhe në shenjë kundërshtimi me një urdhër administrativ të Ministrisë së Arsimit, në bazë të të cilit “ndalohet bartja e uniformës fetare në objektet e institucioneve arsimore”.

Në një njoftim për media, këshilli organizativ i protestës ka vlerësuar se “vendimi për ndalimin e bartjes së shamisë për besimtaret myslimane është i jashtëligjshëm, si me Konventën Universale të të Drejtave të Njeriut (neni 18), ashtu edhe me Kushtetutën e Kosovës (neni 38)”.

Myftiu Tërnava tha se kjo çështje është ngritur tashmë nga Bashkësia Islame përmes Avokatit të Popullit dhe është në duart e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur lidhur me lejimin e përdorimit të shamisë në institucione publike.

“Ftoj qytetarët që të mos bien pre e disa shoqatave joqeveritare, të cilat kanë marrë një rol që nuk u takon”, tha Tërnava. (z.g.)