Analistët për çështje politike në Prishtinë e quajnë të pamjaftueshme rritjen për një të numrit të njohjeve të Kosovës pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ata thonë se mund të ketë zvarritje të mëtejme në procesin e njohjeve,0 për shkak të bisedimeve të paralajmëruara ndërmjet Kosovës e Serbisë, të cilat, siç thuhet, kanë gjasa të shtyhen si pasojë e procesit elektoral, që pritet të mbahet në Kosovë.
Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë thonë se paralajmërimet e Prishtinës zyrtare për rritjen e numrit të njohjeve të shtetësisë së Kosovës, do të jenë vështirë të realizueshme nëse merren parasysh rrethanat politike të brendshme në vend dhe raportet aktuale ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Ata vlerësojnë se diplomacia kosovare nuk ka ditur të shfrytëzojë në favor të sajin mendimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa i cilësojnë si veprime “të impulseve” aktivitetet e institucioneve përgjegjëse kosovare të politikës së jashtme.
Që nga shpallja e mendimit të GJND-së, pavarësinë e Kosovës e ka njohur Hondurasi, duke e çuar në 70 numrin e njohjeve të saj.
Drejtori ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, Yll Hoxha, e quan të pamjaftueshëm këtë intensitet në procesin e njohjeve të shtetësisë së vendit dhe shpreh bindjen se Kosova vazhdon të veprojë pa një platformë të caktuar diplomatike në arenën ndërkombëtare.
“Sot, politika jonë e jashtme ende udhëhiqet në bazë të hamendësimeve të ministrit, kryeministrit, apo kryetarit - në bazë të impulseve momentale, të cilat vijnë nga një politikë më sistematike e shteteve mike”, shprehet Hoxha.
Procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pasoi me nxjerrjen e një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me të cilën palës kosovare dhe asaj serbe u kërkohen bisedime për t’i zgjedhur çështjet në interes të integrimit evropian të të dyja vendeve.
Gjatë punimeve të Asamblesë, presidenti i Serbisë, Borsi Tadiq, u bëri thirrje shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, të mos e marrin vendimin për njohje para përfundimit të procesit të bisedimeve Prishtinë - Beograd.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave kishte sugjeruar në një raport të tij që bisedimet ndërmjet palës serbe e asaj kosovare të nisin para hyrjes në procese elektorale të të dyja vendeve, gjatë vitit të ardhshëm.
Dorëheqja e Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit të Kosovës dhe nevoja për mbajtjen e zgjedhjeve brenda gjashtë muajve të ardhshëm thuhet se kanë shtyrë nisjen e pritur të bisedimeve.
Hulumtuesi në Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Naim Rashiti, thotë se bisedimet ndërmjet dy vendeve duhet të zhvillohen menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare, të cilat janë paralajmëruar të mbahen në Kosovë pas arritjes së një marrëveshjeje për kornizën kohore të mbajtjes së tyre.
“Ne kemi qenë ithtarë të procesit të negociatave sa më shpejt që është e mundur... Këto zhvillime që kanë ndodhur, kanë ndodhur, kështu që duhet sa më shpejt të përfundojnë, sipas afateve kushtetuese”.
“Menjëherë pas përfundimit të këtij procesi, duhet të fillojë procesi politik apo teknik gjithëpërfshirës për negociata me Serbinë dhe përfundimisht duhet kuptuar se një pjesë e madhe e njohjeve do të vijë në përfundim të këtij procesi”, thotë Rashiti.
Rashiti shpreh bindjen se njohjet për Kosovën do të ndodhin, por nuk përjashton mundësinë se për marrjen e një hapi të tillë, të paktën shtetet evropiane që nuk e kanë njohur vendin, do të presin përfundimin në tërësi të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“Kjo më së paku vjen nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, e gjithsesi në përfundim të procesit do të marrin vendime konform situatës çfarë mendojnë ato - Rusia e Kina”, thekson Rashiti.
Procesi i bisedimeve të paralajmëruara ndërmjet Kosovës e shtetit serb, ndonëse ende pa agjendë, format apo afat kohor konkret, sipas Hoxhës, i ka mundësuar Serbisë që të vë sërish në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës.
Hoxha vlerëson se kjo do të ndikojë në njohjet eventuale të shtetësisë së vendit.
“Tash, me iniciativën e tyre hyjmë në një proces dialogu, në të cilin prapë thirren në një mospërmbyllje të procesit dhe kjo është një strategji e qartë e tyre. Në anën tjetër, ekziston një mungesë e iniciativës tonë për t’iu kundërpërgjigjur këtyre obstruksioneve që bën pala serbe”, vlerëson Hoxha.
Deri më tani janë përmendur shifra të ndryshme të shteteve, që thuhet se janë duke e shqyrtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, e të cilat, siç theksohet, së shpejti do të marrin një vendim të caktuar.
Së fundi, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, njoftoi se rreth 60 shtete janë në proces shqyrtimi të marrjes së vendimit për njohjen e Kosovës.