Ende pa marrëveshje për afatin e zgjedhjeve

Fotografi ilustruese

Dorëheqja e Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit tashmë ka lënë si opsion të vetëm zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Partitë politike në vazhdimësi janë duke prezantuar qëndrimet e tyre rreth kohës më të mirë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, por ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete.

Caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme tashmë është bërë tema kryesore e debatit brenda spektrit politik në Kosovë. Bisedimet rreth kohës dhe datës së zgjedhjeve po zhvillohen në tri rrafshe.

Aktualisht, ka një debat ndërmjet partnerëve të koalicionit, pastaj bisedime të secilit subjekt politik me ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqin, si dhe kanë nisur debatet përbrenda secilit subjekt politik.

Aleanca Kosova e Re të shtunën ka dalë me qëndrime të përafërta si edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, duke preferuar një periudhë prej 4 deri në 6 muaj për organizimin e zgjedhjeve.

Nënkryetarja e parë e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme tashmë janë imponuar dhe se nevojitet vetëm përgatitja e mirë e tyre.

“AKR-ja mendon se konform ligjit në fuqi, kjo periudhë mund të jetë nga 4 - 6 muaj dhe në asnjë mënyrë të mos mbahen zgjedhjet këtë vit, sepse nuk ka kohë të mjaftueshme as për KQZ-në (Komisionin Qendror Zgjedhor), e as për Grupin punues për reformën zgjedhore që të përgatitet për proces të lirë dhe demokratik zgjedhor”,
ka thënë Kusari - Lila.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës si partnere në Qeverinë aktuale, kanë vazhduar konsultimet, por pa ndonjë rezultat të kumtuar para mediave dhe opinionit.

Burime nga këto dy parti politike kanë thënë se aktualisht PDK-ja ka si opsion shkurtin, kurse LDK-ja marsin si kohë më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka thënë se nuk i sheh si mospajtime ndërmjet partnerëve të koalicionit çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet.

“Unë nuk kisha dashur që t’i zhvendosi këto çështje në mospajtime. Mund të themi që ka debate edhe përbrenda partive politike dhe asnjë parti politike deri më sot nuk ka dalë me ndonjë datë që të thuhet se të tjerët e refuzojnë apo e pranojnë”.


“Janë debate të brendshme në radhë të parë në partitë politike, janë debate po ashtu ndërmjet partnerëve të koalicionit, por edhe me subjektet tjera politike
”, është shprehur Kuçi.

Para se të shkohet në zgjedhjet e parakohshme, edhe AKR-ja është shprehur se u bashkohet partive tjera politike që mendojnë se duhet të zbatohen edhe reformat në Ligjin për Zgjedhjet, i cili është vlerësuar se ka shumë mangësi.

Mimoza Kusari –Lila thotë se këto reforma duhet të kalojnë në formë pakoje në Kuvend dhe të aprovohen.

“Konsiderojmë se tash, pas ngjarjeve të fundit, është momenti final, në të cilin Kosova duhet t’i bëjë përgatitjet e duhura për të hyrë në zgjedhjet e parakohshme”.


“Me këtë rast, ARK-ja i bën thirrje grupit që po punon në reformën zgjedhore që ta prezantojë një plan më dinamik të reformës zgjedhore, t’i prezantojë këto ndryshime në Kuvend, i cili do t’i miratojë dhe ushtruesi i detyrës së presidentit të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme”,
ka theksuar Kusari-Lila.

Ndërkaq, domosdoshmëria për zgjedhje, sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, diktohet edhe nga nevoja që Kosova t’i ketë institucionet funksionale.

“Unë jam i bindur që kryeministri bashkë me Sejdiun do të jenë në bashkëpunim të përhershëm - ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit, por është partner politik i PDK-së që momentalisht jemi në koalicion bashkërisht”.

“Por, e them, jam i bindur se do të jemi partnerë edhe në ndërtimin e vendit në të ardhmen, në proceset që na presin. PDK-ja nuk është e interesuar edhe nëse i ka 2 të tretat në Kuvendin e Kosovës t’i mbajë tri postet qendrore”
, ka deklaruar Kuçi.

Në bazë të Kushtetutës caktimi i zgjedhjeve kërkon një konsensus të gjerë politik që arrihet si rezultat i bisedimeve ndërmjet presidentit, kësaj radhe ushtruesit të detyrës, dhe partive politike pjesëmarrëse në procesin zgjedhor.