Rritet dëshpërimi i qytetarëve

Shkup

Anketa e fundit, e cila tregon se qytetarët janë të pakënaqur, porse e mbështesin Qeverinë, në esencë është kontradiktore, thonë analistët. Sipas tyre, fakti që një numër i madh i qytetarëve mendon se vendi nuk lëviz në drejtimin e duhur, tregon qartë se në Maqedoni ka krizë ekonomike dhe ngecje në proceset euroatlantike.


Hulumtimet më të reja të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) tregojnë se vetëm 19 për qind e të anketuarve konsiderojnë se vendi shkon në drejtimin e duhur, ndërsa 43 për qind janë deklaruar se Maqedonia lëviz në drejtim të gabuar.

Edhe pse perceptimi i qytetarëve është se ekonomia shënon trende negative dhe se vendi largohet nga Bashkimi Evropian e NATO-ja, pjesa më e madhe e tyre e mbështesin politikën e Qeverisë.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Ervan Fuere, duke komentuar rezultatet e fundit të anketës, tha se Qeveria e Maqedonisë duhet të bëjë më shumë përpjekje për integrimin e vendit në BE.

“Mund të them se Maqedonia është shtet kandidat dhe nga Qeveria pres që t'i ndërmarrë hapat që janë adekuatë për një vend kandidat për integrimin e vendit”, tha Fuere.

Analisti i Qendrës maqedonase për edukim evropian, Andreja Stojkovski, tha se rezultatet kontradiktore të anketës tregojnë se në Maqedoni ekziston një konfuzion i madh.

“Qytetarët nuk mund të jenë të pakënaqur, të konsiderojnë se vendi nuk lëviz në drejtimin e vërtetë dhe t'i japin mbështetje atij që drejton vendin. Mendoj se kjo anketë na tregon se sa i hutuar është populli”, u shpreh Stojkovski, duke shtuar se vendi ka arritur deri në një pikë të caktuar sa i përket integrimit dhe tani ka ngelur në këtë pikë.

Stojkovski tha se Maqedonia, nga viti 2005, kur mori statusin e kandidatit, ka humbur 5 vjet në këtë proces, andaj, sipas tij, kjo kohë duhet të kompensohet, në mënyrë që vendi të integrohet në strukturat euroatlantike. Por, për këtë, shtoi ai, duhet administratë e trajnuar dhe lidership i mirë.

Analisti i Qendrës për hulumtimin dhe krijimin e politikave, Bashkim Bakiu, tha se rezultatet e anketës tregojnë se vendi është në krizë ekonomike dhe se nuk shihet perspektivë e mirë.

“Hulumtimet e fundit tregojnë se çdo i treti është i varfër. E gjithë kjo shkakton njëfarë urrejtjeje te qytetarët dhe shumica e tyre konkludon se vendi nuk shkon në drejtimin, në të cilin duhet të shkojë”,
tha Bakiu.

Në anketën e IRI-t, 59 për qind e qytetarëve konsiderojnë se Qeveria nuk mund të ballafaqohet me krizën ekonomike, ndërsa 39 për qind thonë se kryeministri meriton rizgjedhje.