Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, shprehen të pakënaqur me kushtet që po iu ofron punëtorëve kosovarë kompania “Bechtel & Enka”, kompani kjo që është përgjegjëse për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Merdar.
Hasan Abazi, nga kjo sindikatë, thotë se punëtorët kosovarë, për këtë kompani punojnë në kushte shumë të vështirë, me orar të zgjatur dhe paguhen me një shumë minimale, ku madje nuk përfshihet as ushqimi, e as transporti.
“Ata punojnë mbi dhjetë orë dhe paguhen me një mëditje shumë të ulët, rreth 7.40 euro. Varësisht, ndoshta prej pozitës që kanë, por shumica prej tyre paguhen me një pagë kësisoj; transporti dhe ushqimi do të ua marrë edhe një sasi të këtyre mjeteve. Dhe, faktikisht mund të themi se është gjendje shumë e rëndë e këtyre punëtorëve”, shprehet Abazi.
Në anën tjetër, Ela Ruçi, zëdhënëse në kompaninë “Bechtel & Enka”, thotë se punëtorët paguhen në bazë të profesionit dhe pozitës që kanë.
Sipas Ruçit, aktualisht në këtë projekt janë të punësuar mbi 1600 punëtorë dhe secili punëtor ka kontratë individuale të bazuar në mekanizmat ligjorë që zbatohen në Kosovë.
“Unë nuk kam informacion nga BSPK-ja. Oraret e projektit janë vërtet të stërzgjatur, por në bazë të Ligjit të Kosovës, çdo orar mbi tetëorëshin e punës, është i paguar në bazë të ligjit. Pra, orët jashtë orarit paguhen ekstra”, thotë Ruçi.
Zyrtarë qeveritarë pranojnë se nuk kanë informacione nga BSPK-ja dhe as nga punëtorët, që ata punojnë në kushte të vështira.
Endit Shala, këshilltar në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, thekson se janë të kënaqur me punimet që është duke i bërë kompania dhe, sipas tij, deri më tani gjithçka është në rregull, përfshirë edhe trajtimin e punëtorëve.
“Deri më tani, ne nuk kemi të paraqitur asnjë shqetësim nga ana e punëtorëve, ose nga dikush tjetër për paga të ulëta”, bën të ditur Shala.
Por, nënkryetari i BSPK-se, Hasan Abazi, tregon arsyet pse punëtorët nuk i kanë adresuar shqetësimet e tyre në këtë ministri.
“Realisht nuk i kemi dërguar në Ministrinë e Transportit, për shkak se nuk kemi gjetur një gjuhë të përbashkët në të kaluarën. Por, shpresojmë se dega përkatëse e ndërtimtarisë, e cila është pjesë përbërëse e BSPK-së, do të kontaktojë me këtë ministri dhe ne do ta mbështesim si BSPK”, thekson Abazi.
Megjithatë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka kërkuar takim me përfaqësues të kompanisë, në mënyrë që t’i shprehin shqetësimet e tyre rreth punësimit të punëtorëve. Por, Abazi thotë se deri më tani, një takim i tillë nuk është realizuar.
“Ende jo, por shpresojmë se në një afat sa më të shkurtër do të kemi një takim më të dhe do të mundohemi që t’i kuptojmë të gjitha problemet apo ato mundësi që do t’i ofrojë kjo firmë, e cila ndërton autostradën. Njëherësh, duhet të shikohet gjendja e këtyre punëtorëve për së afërmi, në mënyrë që t’i mbrojmë sadopak interesat e tyre”, sqaron Abazi.
Ndryshe, ndërtimi i autostradës kishte filluar në fund të muajit maj të këtij viti, ndërsa autoritetet kosovare patën premtuar se, gjatë tre vjetëve të ardhshme, sa planifikohet të zgjasë ndërtimi i autostradës, Vërmicë - Merdar, do të punësohen gjithsej 6 mijë punëtorë, prej të cilëve katër mijë do të jenë kosovarë.