Sejdiu jep dorëheqje

Fatmir Sejdiu

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dha dorëheqje, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konstatohet se ai ka bërë shkelje të Kushtetutës duke mbajtur edhe postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sejdiu tha se ka qenë i bindur se mbajtja e dy posteve nuk paraqiste shkelje të Kushtetutës, por sidoqoftë, ai theksoi se e respektonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës. Dorëheqja e tij vjen si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konstatohet se Sejdiu ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës me mbajtjen e postit të presidentit dhe atij të kryetarit të LDK-së, ndonëse me funksione të ngrira.

Sejdiu e bëri publik vendimin e tij për dorëheqje gjatë një konference, me anë të së cilës ai u është drejtuar qytetarëve dhe opinionit.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës. Sot unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Që nga 10 shkurti i vitit 2006, si President i Republikës së Kosovës dhe i të gjithë qytetarëve të saj, kam ushtruar këtë funksion me përgjegjësi, me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të pastër, gjithnjë duke pasur si udhërrëfyes themelor interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë të dashur”
.

"Unë, tërë jetën time i kam respektuar institucionet që dalin nga vota e lirë e qytetarëve. Unë kam punuar për të realizuar vullnetin politik të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe kam udhëhequr me përgjegjësi të plotë procesin e pavarësimit të vendit tonë",
tha Sejdiu.

Presidenti i dorëhequr, Sejdiu, theksoi se kishte mbajtur postin e kryetarit të LDK-së me funksione të ngrira i bindur se kjo nuk paraqiste shkelje të Kushtetutës.

Sidoqoftë, ai u shpreh se vendimin për dorëheqje e kishte marrë pikërisht për të respektuar Gjykatën Kushtetuese si instanca më e lartë të interpretimit të Kushtetutës së Kosovës.

“Unë kam besuar se mbajtja e postit të kryetarit të LDK-së, duke mos e ushtruar atë funksion, siç e përcakton Kushtetuta, nuk përbën shkelje të kësaj Kushtetute. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka menduar ndryshe dhe unë e respektoj këtë vendim, pavarësisht faktit se ende nuk më është dorëzuar aktgjykimi i Gjykatës me arsyetim”
, theksoi Sejdiu.

Para se të publikonte vendimin për dorëheqje, Sejdiu zhvilloi takime të mbyllura me kryeministrin Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit e vendeve të Kuintit.

Më pas, Sejdiu i komunikoi vendimin edhe Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ishte Kryesia e LDK-së, që pak më vonë doli me një komunikatë me shkrim, me të cilën përshëndet vendimin e Sejdiut, duke e çmuar atë si akt të lart moral.

Ndonëse në këtë parti politike është hapur fushata për zgjedhjet e brendshme, Kryesia shpreh bindjen se me liderin e saj, Fatmir Sejdiun, do të fuqizohet si parti politike.

Nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu, tha shkurt se partia e mirëpriste Sejdiun që të jetë kryetar aktiv i partisë.

“Ai është i mirëseardhur, e keni edhe në kumtesë me shkrim, se është i mirëseardhur që të jetë aktivisht kryetar i partisë
”, tha Kryeziu.

Që nga zgjedhja në postin e presidentit, shumë nga analistët, mediat dhe deputetët kishin rikujtuar Sejdiun se po shkelte Kushtetutën me mbajtjen e postit të kryetarit të LDK-së.

Por, nismën zyrtare për të proceduar këtë rast te Gjykata Kushtetuese, e kishte marrë deputeti i pavarur, Naim Rrustemi, i cili tani beson se jo vetëm Sejdiu, por përgjegjës për këtë shkelje janë edhe partneri i tij në koalicion, Hashim Thaçi, dhe i gjithë koalicioni aktual, pasi që, sipas tij, kanë ndërtuar një marrëveshje qeverisëse duke mos e respektuar Kushtetutën.