Pse nuk funksionon Instituti Onkologjik?

QKUK-ja

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Instituti Onkologjik nuk funksionon tërësisht që nga viti 2004, thonë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Shqipe Sfarça, zyrtare në këtë ministri, thotë se në këtë institut deri më tani janë investuar rreth 6 milionë euro.

“Në Institutin Onkologjik, që nga viti 2004, janë investuar 6 milionë euro. Ditët e fundit, QKUK-ja ka formuar një Këshill për Institutin e Onkologjisë, në mënyrë që të përfshihen të gjithë personat që kanë qenë të involvuar në problematikën e institutit”, thotë Sfarça.

Këshilli i Onkologjisë ka marrë përsipër që të bëjë vlerësimin e gjendjes aktuale në këtë institut, si dhe të bëjë të mundur funksionalizimin e tij të plotë.

Arben Kutllovci, kryetar i këtij Këshilli, thotë se ky institut funksionon pjesërisht.

“Ne duhet të fillojmë me pjesën diagnostike, me hemoterapi e pastaj edhe me radioterapi. Pacientët kanë pësuar shumë, jashtëzakonisht shumë. Ne duhet ta funksionalizojmë për shkak të pacientëve që janë duke hequr shumë, e jo për Ministrinë e Shëndetësisë, e as për QKUK-në”, shprehet Kutllovci.

Ndërkaq, Shqipe Sfarça thotë se edhe nëse funksionalizohet Instituti Onkologjik, mirëmbajtja e aparateve që posedon ky institucion, kushton shumë shtrenjtë.

Sipas Sfarçës, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe ai i Qendrës Klinike Universitare janë tejet të limituar që t’i mbulojnë shpenzimet për mirëmbajtje.

“Këto pajisje të montuara që nga viti 2004 nuk janë futur në funksion. Ato kanë nevojë që të servisohen dhe të mirëmbahen. Ministria e Shëndetësisë dhe QKUK-ja e kanë buxhetin e limituar. Sigurisht që do të jetë problem funksionalizimi, sepse janë bërë gabime teknike në shumë faza gjatë punimeve”, thekson Sfarça.

Sidoqoftë, pacientët e prekur me kancer janë ata që pësojnë nga mosfunksionalizimi i Institutit Onkologjik.

Pavarësisht faktit që Kosova nuk ka ende kancer-regjistër, në mënyrë që të dihet saktë se sa kosovarë janë të prekur me këtë sëmundje, Behxhet Osmani, shef i Repartit të Onkologjisë, thotë se meshkujt më së shumti preken nga kanceri në mushkëri, kurse femrat nga kanceri në gji.

Kanceri në botë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka tendencë rritjeje, si ai i mushkërive dhe i gjirit. Ne në Kosovë nuk kemi të dhëna të sakta se si qëndron puna me numrin e të prekurve me kancer”, bën të ditur Osmani.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë flasin se brenda vitit në botë regjistrohen rreth 10 milionë raste të reja. Supozohet se në vitin 2020 kjo rritje mund të shkojë deri në rreth 15 milionë raste të reja në botë.