Gjykata: Sejdiu e ka shkelur Kushtetutën

Presidenti Fatmir Sejdiu

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, “e ka shkelur seriozisht Kushtetutën e Kosovës”, përkatësisht nenin 88.2.

Gjykata ka konstatuar se shkelja ka të bëjë me mbajtjen e njëkohshme të postit të presidentit të Republikës dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është marrë me shumicë votash.

Këtë çështje e kishte inicuar Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, më 25 qershor të vitit 2010.

Tash sa kohë është debatuar për faktin nëse është në harmoni me Kushtetuën e Kosovës mbajtja e dy posteve nga ana e presidentit Fatmir Sejdiu.

Ende nuk dihet se cila do të jetë përgjigja e presidentit Sejdiu.

Sipas nenit 91 të Kushtetutës së Kosovës, presidenti do të mund të shkarkohet nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ai e ka shkelur Kushtetutën.


Neni 91 [Shkarkimi i Presidentit]

Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë, ose nëse ai/ajo nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë, ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ai/ajo ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.