Haraqija: Sejdiu, president ose kryetar i LDK-së

LDK

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës inkurajojnë presidentin Fatmir Sejdiu, njëherësh kryetar në postin e ngrirë të LDK-së, që të vendosë dhe të zgjedhë vetëm njërin nga dy postet.

Ndërsa po afrohen zgjedhjet për organet më të larta të partisë, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Astrit Haraqija, i përsëriti kërkesën Sejdiut që të zgjedhë nëse do të rikandidojë që të mbajë nën drejtim LDK-në apo të vazhdojë vetëm me postin e presidentit të Kosovës. LDK-ja, nënvizoi Haraqija, po dëmtohet shumë nga mungesa e liderit partiak.

“Kryetari Sejdiu i ka dy zgjedhje, ose të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të shtetit dhe të kandidojë për kryetar të partisë, ose të rrijë si kryetar i shtetit dhe të mos konkurrojë për kryetar të partisë”, tha Haraqija.

Ndonëse ende nuk janë bërë zyrtare kandidaturat për kryetarin e ri të LDK-së, bazuar në paralajmërimet e deritanishme, janë tre emra që lakohen si kandidatë të mundshëm.

Ata janë: kryetari aktual, Fatmir Sejdiu, kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, si dhe ministri i Shëndetësisë në Qeverinë aktuale, Bujar Bukoshi.

Astrit Harqija tha se nuk sheh ndonjë dallim për LDK-në, cilido prej kandidatëve të jetë nesër në krye, porse, sipas tij, me rëndësi është që LDK-ja të demokratizohet dhe fuqizohet si parti politike.

“Se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i LDK-së, për mua ka pak rëndësi. Për mua është e rëndësishme që LDK-ja ta marrë formën e demokratizimit të plotë, prej aktivit, nëndegës deri në degë dhe të jetë në zgjedhjet e ardhshme, më 2011, partia e parë. LDK-ja e meriton që kryetari i ardhshëm i saj të jetë edhe kryeministër i Kosovës”, theksoi Haraqija.

Ai tha se pas zgjedhjeve partiake, LDK-ja duhet të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke synuar që të rikthehet në skenën politike si partia numër një.

Sipas tij, LDK-ja nuk është e interesuar që vetëm disa muaj para zgjedhjeve të shkaktohet ndonjë krizë institucionale, që do të shpinte kah zgjedhjet e parakohshme, ndonëse e sheh si të domosdoshëm ridefinimin e marrëveshjes për koalicionin qeverisës.

“Ridefinimi i marrëveshjes duhet të bëhet patjetër. Por, më e rëndësishme është që zgjedhjet në LDK të kryhen, sepse askund në botë nuk ka koalicion me dy faqe”.

“Për nëntë muaj futemi në fushatë zgjedhore parlamentare. Nuk jam për eksperimente e filma, që gjashtë muaj përpara të shkojmë në zgjedhje të parakohshme se nuk po e duam PDK-në. Për mua është me rëndësi që zgjedhjet të shkojnë në rregull, të dalim si partia numër një dhe ta udhëheqim qeverinë”,
deklaroi Haraqija.

Zgjedhjet në LDK shihen si një zhvillim pozitiv edhe nga analistët. Krenar Gashi, nga Instituti KIPRED, tha se zhvillimet në LDK janë pozitive për gjithë skenën politike në Kosovë.

“Ngjarjet paraelektorale në LDK, nuk kemi si t’i vlerësojmë ndryshe pos si një zhvillim pozitiv për skenën politike në Kosovë, duke pasur parasysh faktin që të gjitha partitë politike ekzistuese kanë probleme të brendshme, me demokracinë e brendshme”.

“Këto lëvizje e ambicie politike të njerëzve brenda LDK-së, të cilët kanë qasje të ndryshme si për politikën nacionale, ashtu edhe për politikat e brendshme të LDK-së, janë veçse pozitive”,
vlerësoi Gashi.

Analisti Krenar Gashi beson se zgjedhjet në LDK nuk do të prodhojnë ndonjë destabilizim apo krizë institucionale, për faktin se Kosova po hyn në vitin e fundit të mandatit të institucioneve aktuale në nivelin qendror.

“Kushdo që e fiton garën brenda LDK-së nuk do ta destabilizojë menjëherë koalicionin e tanishëm qeveritar, sepse të dyja partitë në koalicion janë tashmë në përmbyllje të mandatit”, nënvizoi Gashi.

Një moment me rëndësi që do t’i përcaktojë kandidaturat për kryetar të LDK-së pritet të jetë edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth asaj se ka apo nuk ka të drejtë kushtetuese që Fatmir Sejdiu të mbajë postin e presidentit të Kosovës dhe postin e ngrirë të kryetarit të partisë.

Lënda e Sejdiut pritet të dalë në shqyrtim këtë javë, por nuk dihet se kur do të nxirret interpretimi nga Gjykata Kushtetuese.