Paqartësi për temat e bisedimeve Kosovë-Serbi

Përfaqësues të institucioneve në Kosovë nuk komentojnë idetë eventuale për temat e bisedimeve me palën serbe. Mediat serbe raportuan ditë më parë, për ekzistimin e një vullneti në Bruksel që në tryezën e diskutimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë të vihen çështje si: doganat, transporti, trashëgimia kulturore dhe të tjera. Rishqyrtimi i këtyre çështjeve, të cilat thuhet se janë të precizuara në Pakon e Ahtisarit, vlerësohet i dëmshëm për Kosovën sikurse nga zyrtarët institucionalë ashtu dhe nga opozita e vendit.

Autoritetet në Prishtinë thonë se nuk janë në dijeni për ekzistimin e një propozimi më të precizuar nga Bashkimi Evropian për zhvillimin, formatin, kohën dhe temat e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësi i Presidencës në Kosovë, Xhavit Beqiri, thotë se pala kosovare mirëpret angazhimin e Bashkimit Evropian në lehtësimin e bisedimeve ndërmjet të dy vendeve, por se nuk mund të jepet ndonjë vlerësim për temat eventuale, për të cilat kërkohet dialogu.
...mirëpresim angazhimin e BE-së për ta ndihmuar rajonin në rrugën e integrimeve euro-atlantike, mirëpo nuk dëshirojmë të paragjykojmë se çfarë temash mund të propozohen.


Ne mirëpresim angazhimin e Bashkimit Evropian për ta ndihmuar rajonin në rrugën e integrimeve euro-atlantike, mirëpo nuk dëshirojmë të paragjykojmë se çfarë temash mund të propozohen”, thotë Beqiri.

Mediat serbe raportuan ditë më parë për interesin e BE-së që bisedimet ndërmjet Kosovës e shtetit serb të përqendrohen rreth bashkëpunimit në mbrojtjen e kufirit, rreth doganave, tregtisë e ekonomisë, transportit, telekomunikacionit, çështjeve të trashëgimisë kulturore e historike, si dhe rreth luftës kundër krimit të organizuar.

Beqiri thekson se gjithçka që ka të bëjë me këto çështje, tashmë është qartësuar në Planin e presidentit Ahtisaari dhe legjislacionit të Kosovës.

“Këto janë çështje, të cilat rregullohen në bazë të legjislacionit të Kosovës dhe ne besojmë se është një kornizë shumë e mirë ligjore, e cila garanton mbrojtjen e plotë të trashëgimisë kulturore - shpirtërore të secilit etnitet, si dhe ofron një perspektivë më të mirë për zhvillime të mëtejshme kulturore të secilit etnitet në Kosovë - edhe atë të pakicës serbe”
, thekson Beqiri.

Opozita në Kosovë e vlerëson negative për Kosovën rishqyrtimin e temave, të cilat, siç thuhet, janë vendosur tashmë. Nënkryetarja e partisë Aleanca Kosova e Re, Mimoza Kusari-Lila, thotë se rihapja e Planit Ahtisari do të ishte e dëmshme për vendin.
Mimoza Kusari-Lila

“Të kthehemi në temat, të cilat e kanë pasur një detajim, në të cilat është bërë një analizë aq e madhe, në të cilat janë përfshirë edhe kosovarët edhe ndërkombëtarët dhe është dalë me një dokument, që është miratuar, si Plani Ahtisari, e konsideroj të dëmshme që të kthehet prapa ky dokument, të rihapet dhe të diskutohet për temat që janë vendosur”
, vlerëson Kusari.

Mundësitë për diskutimin e statusit të Kosovës, Planit të Ahtisarit, integritetit territorial të vendit dhe çështjeve të brendshme me përfaqësuesit serbë, deri më tani janë hedhur poshtë nga Prishtina zyrtare.

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur se, në koordinim me institucionet relevante në vend, do të përgatisin agjendën e bisedimeve të paralajmëruara.

Mirëpo, nënkryetarja e AKR-së, Kusari, kritikon veprimet e deritashme të institucioneve përgjegjëse në këtë drejtim. Ajo shpreh nevojën që, sa më parë, të bëhet gati një dokument lidhur me bisedimet, i cili do t’i dorëzohej ndërmjetësuesit ndërkombëtar të këtij dialogu.

“Ky dokument i përgatitur nga secila palë mund t’i dorëzohet kujto që është ndërmjetësues në bisedime, që nënkupton se do të ketë ndërmjetësues. Edhe pse është insistuar dhe insistohet që bisedimet të mbahen në mes të dy shteteve në pozicione të njëjta dhe kjo duhet të jetë në vazhdimësi mbajtja e qëndrimit të palës kosovare”
, përfundon Kusari.

Lexoni edhe këto: Ç’është e (pa)pranueshme për dialogun Kosovë-Serbi?
KPJ: Qytetarët kundër bisedimeve për statusin...
A ka Prishtina agjendë bisedimesh?