Daçiq: Serbia nuk heq dorë nga Kosova

Minsitri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, dhe ajo e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska


Serbia nuk heq dorë nga Kosova, pasi e konsideron pjesë të saj, deklaroi në Shkup ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Sipas tij, autoritetet e Kosovës duhet të pajtohen që të bisedojnë për të gjitha çështjet e hapura, përshirë dhe statusin përfundimtar te Kosovës.

Ministri Daçiq u shpreh se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, duhet t'i përfshijë të gjitha çështjet e hapura dhe kontestuese midis dy vendeve, por edhe statusin përfundimtar të Kosovës.

Daçiq nënvizoi se bashkësia ndërkombëtare nëse e pranon pavarësinë e njëanshme, atëherë Kosova do të ishte rasti i parë në botë kur një territor shpall dhe fiton pavarësinë pa pëlqimin e shtetit nga i cili ndahet, dhe pastaj shumë territore do të kërkonin një gjë të tillë.

“Sa i përket Serbisë, mendojmë se më i rëndësishëm është fillimi i dialogut për të gjitha çështjet. Kjo do të thotë se duhet të bisedohet edhe për çështjen përfundimtare, përkatësisht zgjidhjes së drejtë dhe të qetë të gjendjes pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Me siguri autoritetet e Kosovës mendojnë se nuk duhet të bisedohet, por Serbia mendon se për të gjitha këto tema duhet të bisedohet”,
tha Daçiq.

Ministri i brendshëm serb e përjashtoi mundësinë që me Kosovën të vendoset regjim për kalimin e lirë të kufirit.

Daçiq, në takimin që pati me ministren e Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska, e diskutoi luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e krimit në kufirin midis dy vendeve.

“Me Republikën e Serbisë kemi bashkëpunim të mirë dhe kemi shkëmbim cilësor të informacioneve. Po ashtu, kemi pasur aksione operative të përbashkëta dhe kjo çështje do të mbetet në fokusin e interesit tonë. Shërbimet e të dyja vendeve do të këmbejnë informacione për sigurinë e dy vendeve tona, rajonit, por edhe më gjerë, pasi terrorizmi kërcënon tërë botën e lirë”,
theksoi Jankullovska.

Ministrja e Brendshëm të Maqedonisë dhe të Serbisë, Gordana Jankullovska dhe Ivica Daciq, gjithashtu ranë dakord që qytetarët e të dy vendeve në të ardhmen të mund ta kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftime.