Në Kosovë ka filluar një luftë kundër korrupsionit, por këto veprime nuk mund të kalojnë në kënaqësi, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Hasan Preteni. drejtor i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.
RADIO EVROPA E LIRË
Pas hetimeve dhe arrestimeve që po zhvillon misioni i EULEX-it për korrupsion, kjo çështje është shndërruar si tema më e diskutueshme në Kosovë në të gjitha nivelet. Ju si i vlerësoni këto veprime?
HASAN PRETENI
Përshëndes çdo aktivitet jo vetëm të EULEX-it, por të të gjithë mekanizmave, të cilët kanë për mision luftën kundër korrupsionit. Mendoj që përfundimisht në Kosovë nuk do të diskutohet se si të luftohet korrupsioni, por të merren hapa konkretë në luftimin e kësaj dukurie.
Mendoj që ka filluar një aktivitet; është një progres në këtë drejtim, por larg asaj që të shprehim një kënaqësi - unë si drejtor i agjencisë, në agjenci në tërësi, por edhe institucionet e Kosovës në përgjithësi.
RADIO EVROPA E LIRË
Si udhëheqës i Agjencisë Kundër Korrupsionit, sa keni mundësi të ndihmoni në këto aksione?
HASAN PRETENI
Kemi bashkëpunim, edhe këtu është një progres shumë i fuqishëm në raportet prokurori e shtetit, prokurori e EULEX-it dhe AKK.
Bashkëpunojmë shumë ngushtë, takohemi edhe në baza mujore, edhe në terren në rastet, të cilat po ndodhin. Por, edhe raste dhe aktivitetet që kanë ndodhur, agjencia ka qenë pjesë aktive e tyre.
Mund të them se në të gjitha këto raste që po i trajton EULEX-i, Agjencia Kundër Korrupsion ka një kontribut të dukshëm.
RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, është thënë se të dyshuar janë edhe zyrtarë të lartë politikë, por nuk ka pasur ndonjë arrestim të tyre. Si e shihni ju këtë?
HASAN PRETENI
Them se vetëm agjencia deri më tani që nga funksionalizimi i saj, më shumë se 200 informacione i ka përcjellë në prokuroritë kompetente. Nëse shikojmë se në çdo informacion janë së paku 3 zyrtarë të përfshirë, atëherë del se në prokuroritë kompetente janë përcjellë nga agjencia më se 600 emra.
Them që ka një lëvizje, ka një progres, por larg asaj që të kalojmë në kënaqësi dhe shpresoj që kjo luftë nuk do të caktohet, se do të organizohet brenda kësaj periudhe. Kjo ka filluar dhe duhet të fitojë në intensitet, pa marrë parasysh cilët persona në cilin nivel po atakohen.
Është edhe një lajm i mirë them për agjencinë se numri i lëndëve, të cilat i ka refuzuar Prokuroria e EULEX-it apo Prokuroria e shtetit, nuk e kalon 30 përqindëshin. Kjo dëshmon që zyrtarët e agjencisë e kanë marrë veten, kanë bërë një ngritje profesionale, janë duke i hetuar rastet mirë dhe është një element shumë pozitiv që 70 për qind të provave që ka arritur t’i sigurojë agjencia, janë edhe bazë për hetime penale nga prokuroria.
RADIO EVROPA E LIRË
Që të jemi më të saktë, përmendët 600 zyrtarë. Bëhet fjalë për zyrtarë qeveritarë të nivelit lokal dhe qendror?
HASAN PRETENI
Po janë të niveleve të ndryshme. Në raportet e publikuara gjithmonë kemi atakuar institucionet dhe kemi përshkruar se në cilat institucione po ndodh korrupsioni.
Gjithmonë kemi atakuar 4 grupe të institucioneve, duke filluar, mbase nuk mund ta them renditjen saktësisht se si qëndrojnë numerikisht, por nuk do të gaboj në radhitjen e tyre, sepse gjithmonë janë në top-katërshe. Kemi të bëjmë me ndërmarrjet publike, Pushtetin Lokal, Gjyqësorin dhe Qeverinë. Zyrtarë ka të niveleve të ndryshme.
RADIO EVROPA E LIRË
A mund të thoni nëse është ndonjë person i arrestuar prej rasteve që keni paraqitur ju?
HASAN PRETENI
Po, edhe në lëvizjet e fundit që EULEX-i është duke i bërë dhe do t’i bëjë shpresoj shumë shpejt, kontributi i agjencisë është i dukshëm.
RADIO EVROPA E LIRË
A ka ndonjë problem, me të cilin ballafaqohet institucioni juaj dhe a keni mbështetje apo pengesa nga institucionet qeveritare për të luftuar korrupsionin?
HASAN PRETENI
Po,. Përfundimisht, edhe pse është keq që kushtet për punë të agjencisë është dashur të krijohen qysh në vitin 2007, kur është bërë agjencia funksionale, por ne tek tash, në fund të vitit 2010, mund të themi se agjencia nuk e ka asnjë kërkesë ndaj institucioneve qendrore.
Përfundimisht e kemi një buxhet dhe numrin e zyrtarëve sipas kërkesës, zyrtarët e agjencisë kanë përfituar edhe në aspektin material - ka një rritje modeste, por ka një stimulim më të fuqishëm material për zyrtarët që punojnë në agjenci.
Janë krijuar kushte të mira për punë dhe agjencia më nuk është në shtëpi private. Ne po punojmë dhe në asnjë rast nuk kemi pasur pengesa ose kërcënime drejtpërdrejt, por nuk kemi pasur përkrahje. Atë mospërkrahje e kemi definuar që është pengesë.
Them edhe një herë se agjencia i ka kushtet për punë, por duhet që edhe institucionet tjera të fuqizohen duke siguruar kushte të përafërta çfarë tash i ka agjencia dhe të japin llogari aty ku duhet.
Mendoj që kërkesa për llogaridhënie është ende e vogël që institucionet nuk kanë për misionet dhe për punën e tyre; nuk po kërkohet nga ta që të japin llogari para qytetarëve të Kosovës se si po e shpenzojnë paranë publike, në cilën mënyrë, si po respektohen ligjet në fuqi dhe përfundimisht të njoftojnë për problemet çfarë i kanë.
RADIO EVROPA E LIRË
Nga organizata të ndryshme joqeveritare janë kritikuar ligjet që kanë për qëllim luftimin e korrupsionit. Në theks të veçantë është Ligji për deklarimin e pasurisë, për të cilin është thënë se ka mangësi të shumta dhe që nuk mund të sjellë efekte pozitive. Ju si mendoni?
HASAN PRETENI
Edhe legjislacioni ka shtuar një progres. Ligjet e tilla duhet të respektohen, mirëpo duke i respektuar ligjet, praktika do të dëshmojë se cilat janë mangësitë e tyre.
Agjencia Kundër Korrupsionit ka filluar punën me një ligj, ligjin bazik - Ligjin kundër korrupsionit. Ndërsa, tani janë tri ligje që në ekzekutivë e ngarkojnë agjencinë: Ligji për Agjencinë, Ligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, përfundimisht e kemi edhe strategjinë anti-korrupsion, kemi Planin e Veprimit 2009-2011, i cili do të rishikohet dhe me siguri do të kalojë me detyra edhe për vitin 2012.
Domethënë, është një bazë e fuqishme juridike për punë të mirë. Asnjë ligj nuk është i përkryer, por ka progres. Ligji që ju po i referoheni mendoj që është një progres i fuqishëm në parandalimin e korrupsionit, mirëpo është përfitim progres te transparenca, sepse përfundimisht zyrtarëve iu publikua ajo pasuria që vazhdimisht është kërkuar të publikohet –e ky ligj tani e mundëson.
Numri i zyrtarëve që kanë obligim është rritur, publikimi i tyre tashmë është realizuar, prandaj mendoj që duhet të bëhen hapa të mëtutjeshëm drejt penalizmit të atyre që nuk e respektojnë këtë ligj.