Kush përfitoi nga rezoluta?

OKB

Analistët për çështje politike në Kosovë kanë mendime të ndryshme lidhur me përfitimet politike të palës serbe dhe asaj kosovare nga procesi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe bisedimet e paralajmëruara në mes tyre. Disa thonë se Serbisë do t’i shkurtohet rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa të tjerët vlerësojnë se ajo që ka bërë shteti serb është vetëm pranimi i realitetit lidhur me Kosovën.

Kompromisi për harmonizimin e rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do t’ia shkurtojë Serbisë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa fitorja për Kosovën është mbështetja e mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së vendit, vlerësojnë disa analistë për çështje politike në Prishtinë.

Ndryshimi i tekstit fillestar të rezolutës, të cilën Serbia e kishte dërguar në Nju-Jork, ishte bërë pas bisedimeve të gjata të diplomatëve evropianë me përfaqësues të shtetit serb.

Tani, zyrtarë të lartë në Beograd flasin për shenja pozitive lidhur me përshpejtimin e procesit të integrimit në BE, ndërsa udhëheqësit në Prishtinë shprehen të bindur se pas procesit në Asamblenë e Përgjithshme do të rritet numri i njohjeve për vendin.

Halil Matoshi

Analisti Halil Matoshi sqaron se çfarë ka përfituar pala kosovare e çka ajo serbe nga procesi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Kjo qasje ndaj Bashkimit Evropian besoj se vërtet do t’ia shkurtojë rrugën deri në integrim në Bashkimin Evropian, ndërsa e vetmja fitore për Kosovën është se kjo rezolutë e përligj verdiktin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, shprehet Matoshi.


Një pikëpamje tjetër ka analisti Shkëlzen Maliqi, i cili thotë se pas miratimit të rezolutës në OKB nuk mund të flitet për avantazhe apo disavantazhe të asnjërës palë.

Maliqi vlerëson se shteti serb ka nisur ta pranojë realitetin sa i përket Kosovës dhe të ardhmes së vet evropiane.

Shkëlzen Maliqi

“Edhe pse ka zëra se vetëm Serbia është përfituese, unë mendoj se Serbia është bërë vetëm realiste dhe duhet ta përfundojë këtë proces që e ka nisur me rezolutën e Kombeve të Bashkuara”.

“Ajo do të provojë që ta zgjerojë këtë temë të bisedimeve edhe me bisedimet për çështjet e statusit të pjesës veriore të Kosovës, por Kosova nuk do të duhej të pranonte hapjen e çështjes së statusit të veriut të Kosovës”,
thotë Maliqi.

Pavarësisht kundërshtimit kategorik të palës kosovare se me Serbinë nuk mund të flitet për tema të brendshme, siç janë veriu i Kosovës, Matoshi thotë se veriu mund t’u shërbejë palëve për arritjen e njëlloj kompromisi edhe jashtë Planit të Ahtisarit.

Gjasat që veriu të ndahet nga territori i Kosovës apo që zhvillimet eventuale atje të shkaktojnë konflikte, sipas tij, janë të pakta.

“Mund të vijë një situatë ku edhe Kosova të lëshojë pe dhe për veriun të gjendet një solucion Ahtisari plus ose, së paku, kompetencat që i jep Pakoja e Ahtisarit për serbët atje, të marrin një emër ose një emërtim tjetër”, thekson Matoshi.

Më 10 nëntor Bashkimi Evropian pritet të publikojë Raportet e Progresit për vendet që synojnë integrimin në BE - gjë që do të përfshihet në kuadër të së ashtuquajturës “Paketë e zgjerimit”, ku figurojnë vlerësimet për përmbushjen e kritereve të BE-së për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor veç e veç - përfshirë Turqinë.

Bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit vlerësohen të domosdoshme për t’u mundësuar palëve që në të ardhmen të hyjnë në BE pa pasur çështje të hapura në mes vete.