Bler nderohet me Medaljen e Lirisë

Toni Bler në ceremoninë e ndarjes së çmimit...

Ish-kryeministri britanik, Toni Bler, është nderuar me Medaljen e Lirisë nga Qendra Kombëtare Kushtetuese e ish-presidentit amerikan, Bill Klinton.

Bler e quajti “privilegj dhe nder të jashtëzakonshëm” medaljen që e pranoi nga ish-presidenti Klinton, meqë Filadelfia ku ndodhet qendra, tha Bler, ishte djepi i lirisë dhe demokracisë dhe i Kushtetutës amerikane.

Qendra Kombëtare Kushtetuese e ka vlerësuar Blerin, i cili ishte kryeministër prej vitit 1997 deri në 2007, për përpjekjet e tij në Kosovë dhe në Irlandën Veriore, si dhe për punën e vazhdueshme si emisar i posaçëm për Lindjen e Mesme pas largimit nga zyra.

Klinton, i cili është kryetar i qendrës, e theksoi mbështetjen e Blerit për intervenimin në Kosovë në vitin 1999 për të parandaluar spastrimin etnik, si dhe rolin e tij aktual si përfaqësues në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

“Ne kishim partneritet të shkëlqyeshëm që përfshinte Kosovën, periudhën e pasluftës në Bosnjë, procesin e paqes në Irlandën e Veriut, përpjekjet aktuale në Lindjen e Mesme dhe shumë gjëra të tjera”, tha Klinton.

Ish-presidenti amerikan tha se nëse arrihet marrëveshja në Lindjen e Mesme, ajo do të ndihmojë që “të thahet lumi i urrejtjes në atë rajon dhe do ta minojë këngën e terroristëve në mbarë botën”.

Ish-presidenti amerikan falënderoi Blerin duke e quajtur “qytetar të mrekullueshëm të botës”, i cili “jetoi një jetë të vlefshme për këtë çmim”.

“Themeli i tij i besimit e promovoi religjionin si forcë të fuqishme për të mirën dhe pajtimin. Toni Bler është i bindur se njerëzit, të cilët besojnë, mund të jenë njerëz të paqes”, tha Klinton.

Bler foli për ato që i quajti “mësime të lirisë”, duke thënë se lirisë i duhet optimizmi, i duhen rojtarë dhe njerëz që i respektojnë dallimet e njëri-tjetrit.

“Dua të shoh një botë, dhe përpiqem për atë botë, në të cilën njerëzit janë të lirë ta ndjekin religjionin e tyre pa frikë apo favore dhe t’i respektojnë ata që kanë besime të tjera”, tha Bler.

Ish-kryeministri britanik foli edhe për sfidat e sotme në botë.

“Trendi kryesor ka të bëjë me ekstremizmin dhe me mënyrën se si e trajtojmë atë, sepse ai bazohet në shtrembërimin e fesë paqësore dhe të vërtetë të Islamit. Por, ai është aty, është i fuqishëm dhe kam frikë se nuk do të largohet”,
tha Bler.

Në ceremoni mori pjesë edhe ylli i muzikës rok, Bono. Ai e lëvdoi Blerin për sigurimin e marrëveshjes në vitin 1998, e cila i dha fund luftës sektare në Irlandë.

“Toni Bler e kupton fjalën ‘kompromis’ më tepër se shumë të tjerë”, tha Bono.

Medalja, e cila për të parën herë u nda në vitin 1989, shoqërohet me çmimin prej 100 mijë dollarësh.

Bler do t’i dhurojë paratë për fondacionin e tij dhe për Nismën e Qeverisjes në Afrikë, e cila punon në Ruandë, Siera Leone dhe Liberi, për të promovuar cilësinë e jetës dhe lidershipin politik.

Ndër fituesit e çmimit “Medalja e Lirisë” janë: regjisori Stiven Spilberg, ish-presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, ish-presidenti amerikan, Xhimi Karter, ish-lideri sovjetik, Mihail Gorbaçov, dhe ish-kreu i OKB-së, Kofi Anan.

Ceremonia mbahet në fillim të javës që shënon Ditën e Kushtetutës, e cila bie të premten. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara u miratua në Filadelfia më 17 shtator, 1787.