Dënohen fuqishëm incidentet në veri

Mitrovicë

Krerër e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Prishtinë i kanë dënuar ngjarjet e së shtunës në Mitrovicë duke siguruar se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për mbajtjen e një ambienti të qetë e të sigurt në të gjithë Kosovën. Ata kanë thënë se ngjarje të tilla, të paligjshme, nuk do të tolerohen në të ardhmen.

Autoritetet vendore e ndërkombëtare në Kosovë kanë dënuar fuqishëm incidentet e së shtunës mbrëma në veri të Mitrovicës, ku pas përfundimit të ndeshjes së basketbollit ndërmjet Turqisë dhe Serbisë qindra shqiptarë e serbë kanë hedhur gurë dhe kanë shtënë me armë zjarri nga të dy anët e lumit Ibër.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka dënuar incidentin në Mitrovicë, duke theksuar se ngjarjet e tilla e dëmtojnë imazhin e Republikës së Kosovës dhe u shërbejnë vetëm atyre që janë kundër paqes, stabilitetit dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim etnie e besimi.

Përmes një komunikate për media, presidenti Sejdiu ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të rendit dhe të sigurisë që ta zbardhin sa më parë këtë rast, të mos lejojnë më përsëritjen e incidenteve të tillë, kurse fajtorët t’i nxjerrin para drejtësisë.
Qeveria e Kosovës


Presidenti Sejdiu u ka bërë thirrje të gjithëve që të jenë të matur dhe të mos bien në grackën e, siç i ka quajtur ai, huliganëve të ndryshëm, të cilët punojnë kundër ligjit, kundër arritjeve dhe së ardhmes së përbashkët të qytetarëve.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur keqardhje për incidentin, gjatë të cilit ndër të tjerë u plagosën një pjesëtar francez i Policisë së EULEX-it dhe një i Policisë së Kosovës. Ai ka thënë se incidentet, siç i ka quajtur ai, të izoluara nuk mund ta ndalin zhvillimin dhe përparimin e Kosovës.

“Dëshiroj të shpreh keqardhje në emër të Qeverisë për incidentin që ka ndodhur, por në asnjë rrethanë asnjë incident i izoluar nuk do të mund ta ndalë progresin dhe zhvillimet pozitive në Republikën e Kosovës”, është shprehur kreu i ekzekutivit kosovar.

Ndërkaq, shefi i misionit EULEX, Iv de Kermabo, i ka quajtur të papranueshme incidentet e fundit në veri të Kosovës.

Kermabo ka bërë të ditur se pjesëtarët e Policisë së EULEX-it kanë përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit, ndërsa ka hedhur poshtë të jenë përdorur plumba gome.

Kermabo ka kërkuar që sa më parë të vihen para drejtësisë njerëzit që kanë shkaktuar përleshjet dhe ka siguruar se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mos lejuar përsëritjen e veprime të tilla.

EULEX

“EULEX-i nuk do të tolerojë sjellje të tilla të paligjshme dhe është i gatshëm që, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, që të ndërmarrë çfarëdo masash që ka nevojë për të siguruar se do të trajtohet fuqishëm cilado përsëritje e ngjarjeve të tilla”, ka deklaruar Kermabo.

Ndaj incidenteve në Mitrovicë ka reaguar edhe komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler, i cili ka theksuar se do të veprohet në bashkëpunim me mekanizmat e tjerë të sigurisë në vend për ta ruajtur një ambient të qetë dhe të sigurt.



“KFOR-i dënon fuqishëm përleshjet e djeshme të dhunshme që ndodhën në Mitrovicë. Policit të lënduar të EULEX-it, shokëve tanë të KFOR-it dhe qytetarëve të pafajshëm të lënduar u dëshiroj shërim të shpejtë”, citohet të ketë thënë komandanti i KFOR-it në një komunikatë për media të KFOR-it.

Veriu i Kosovës, tashmë është bërë fokus i angazhimit të misionit të NATO-s dhe mekanizmave të tjerë vendorë e ndërkombëtarë në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do të punohet sipas Planit të Ahtisarit për të vendosur rendin dhe ligjin në veri dhe për të mbajtur zgjedhjet edhe në tri komunat me shumicë serbe atje.

Thaçi ka theksuar se janë bërë hapa pozitivë në veri drejt bashkëpunimit ndërmjet të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

“Kanë ndodhur ndryshime të jashtëzakonshme të vlerësuara nga e gjithë bota – pra, për ndërtimin e realitetit demokratik dhe multi-etnik edhe në veri. Është hapur zyra e Republikës së Kosovës atje që funksionon, ndërsa do të punohet vetëm sipas Planit të presidentit Ahtisaari”, ka theksuar Thaçi.