“Serbia, praktikisht, ka bërë një hap të vogël, por konkret në drejtim të njohjes së realitetit të ri të krijuar në Kosovë dhe i ka vënë themelet një kursi të ri politik. Sado që ata deklarohen me terma të vjetër të politikës së tyre, faktikisht ky është kurs i politikës së re serbe”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, analisti politik, Driton Lajçi, i cili shtoi se miratimi i rezolutës së amendamentuar serbe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është një hap përpara për të ardhmen evropiane të Kosovës e Serbisë.
RADIO EVROPA E LIRË
Pamë zhvillimet e së enjtes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. A mund të na jepni një vlerësim tuajin se çka në fakt ndodhi atje pas miratimit të rezolutës serbe, e cila u ndryshua pastaj nga Bashkimi Evropian?
DRITON LAJÇI
Po fillimisht pati një zvarritje, e cila lidhet me draft-rezolutën dhe rendin e ditës, që është dashur ta nënshkruajnë 27 vende dhe, e dyta, çështja protokollare - reagimi i Serbisë se si të marrë pjesë Kosova aty, ku u gjend ai kompromisi që delegacioni i Kosovës të jetë pjesë e Amerikës, Zvicrës, Gjermanisë, Francës e Italisë.
Domethënë kjo u rregullua, edhe pse nuk është shenjë e mirë nga ana e Serbisë; nuk është shenjë shpresëdhënëse se Serbia është partnere e vullnetit të mirë, me vetë faktin se aty u krijua një skandal dhe e vuri në pozitë të palakmueshme delegacionin e Kosovës, pra krerët e shtetit të Kosovës. Mirëpo, përfundoi si përfundoi me ato vonesat, të cilat tashmë i dimë ne.
RADIO EVROPA E LIRË
Rezoluta u votua me aklamacion nga Asambleja e Përgjithshme. Megjithatë, pas miratimit të saj u vërejt që qëndrimet e palëve, shteteve të ndryshme, nuk ndryshuan sa i përket çështjes së Kosovës. Kërkohen bisedime me rezolutën e miratuar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit - për çfarë do të jenë këto bisedime?
DRITON LAJÇI
Pozicionimet pas kësaj rezolute filluan menjëherë që nga ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Jeremiq, i cili nisi që ta propagandojë, ta shesë pjesën ku flitet për bisedimet, si biseda politike; dhe, e dyta, se ne asnjëherë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës - automatikisht aty filloi pozicioni i ri i Serbisë kundruall Kosovës dhe zhvillimeve, të cilat pasojnë.
Palët ende janë të ndara më dysh, mirëpo në një situatë, në një rrethanë krejt tjetër. Tash është mendimi i GJND-së, që është një fakt juridik, politik, diplomatik i fuqishëm në duar të atyre, që e kanë përkrahur dhe njohur pavarësinë e Kosovës.
Po ashtu, është fakt i rëndësishëm edhe për vetë Kosovën që e ka shpallur pavarësinë dhe atyre që i kanë ato kalkulimet e veta, interesat e veta strategjike të brendshme politike, të cilat janë më shumë për bisedime dhe të zgjidhet çështja e Kosovës përmes bisedimeve - do të thotë janë ende. Megjithatë, të gjitha vendet e kanë pranuar, qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthorazi, mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që është një fakt i ri, një rrethanë e re në raportet Serbi - Kosovë.
RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, shtetet si Kina e Rusia, vazhdonin ta përmendnin rezolutën 12 44 dhe kërkonin një zgjidhje për Kosovën në kuadër të kësaj rezolute. Çka, në fakt, presin shtetet si Rusia dhe Kina për këtë dialog ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?
DRITON LAJÇI
Në këto momente as Kina as Rusia nuk do të kenë ndonjë interes të veçantë nga Serbia, Serbia e ka blerë rafinerinë e gazit dhe disa interesa ekonomike tashmë i ka realizuar.
E dyta, Serbia tash vizionin e vet, rrugën e vet duhet ta ndërtojë në drejtim të Bashkimit Evropian dhe ato biseda ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta kushtëzojnë njëra-tjetrën dhe të dyja do të jenë të kushtëzuara nga kushtet teknike dhe politike të vendosura nga Karta e Lisbonës, e cila e ka udhërrëfyesin se çfarë kushtesh duhet t’i plotësojnë vendet që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Kosova dhe Serbia do të detyrohen t’i gjejnë zgjidhjet vetë, në mënyrë që t’i plotësojnë kushtet që të anëtarësohen në BE. Tash situata zhvendoset në një terren krejtësisht tjetër, i cili nuk është i lidhur drejtpërdrejt më me interesat kulturore, historike, tradicionale, vëllazërore me Rusinë.
Ndërsa, Kina nuk ka ndonjë interes të veçantë. Ajo e përmendi indirekt edhe mendimin e GJND-së në paraqitjen e vet, madje edhe si dëshmi e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka pasur rol të balancuar, nuk ka ndonjë interes të veçantë, mirëpo megjithatë si anëtare e Këshillit të Sigurimit dëshiron të tregojë se është andejpari.
RADIO EVROPA E LIRË
Edhe pse rezoluta e miratuar përmend mendimin e GJND, a mendoni ju se bashkësia ndërkombëtare do të thirret vetëm në këtë rezolutë duke ia zbehur rëndësinë ndoshta mendimit të GJND-së?
DRITON LAJÇI
Jo, s’mund të përmendet rezoluta ndaras, ose në mënyrë selektive, sepse aty përmenden bisedat me palët tjera dhe mendimi i GJND-së. Ndoshta nuk përmendet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare me terma të fuqishëm përkrahës, mirëpo përmendet aty si pjesë e rezolutës dhe nuk ka mundësi në mënyrë selektive - që i bie se Serbia ka bërë një hap të vogël, mirëpo konkret në drejtim të njohjes së realitetit të ri në Kosovë.
Dhe, e dyta, (Serbia) i ka dhënë themelet e një kursi të ri politik, sado që ata deklarohen me terma të vjetër, me tone të vjetra të politikës së tyre, faktikisht ky është kurs i ri i politikës serbe.
Ata, natyrisht, se nuk e pranojnë direkt, sepse janë zgjedhjet, kanë votues dhe duan edhe më tutje të mbeten në pushtet, madje është edhe interesi i Bashkimit Evropian që kjo elitë politike në Serbi e presidentit Tadiq ende të vazhdojë të jetë në pushtet, sepse ata duan që Serbia të jetë pjesë e BE-së.
Partitë tjera që janë kandidate, janë afër aty partitë radikale popullore, dhe e shohin në sferën e sigurisë jashtë NATO-s, nuk e shohin veten pjesë qind për qind të Bashkimit Evropian. Do të thotë, kjo elitë politike në Serbi ka përkrahjen e Bashkimit Evropian, prandaj edhe ata janë të kujdesshëm që t’ia ruajnë autoritetin presidentit Tadiq para votuesve të vet dhe nuk mund të thonë se ka pësuar një humbje edhe pse faktikisht ky është hap konkret i kursit të ri politik të Serbisë dhe i njohjes konkrete të realitetit të ri në Kosovë.
RADIO EVROPA E LIRË
A mundet që pas miratimit të rezolutës dhe pas kërkesave për bisedime ndërmjet palëve, të zvarritet ndoshta edhe çështja e njohjes së shtetësisë së Kosovës; a do t’i presin shtetet e ndryshme përfundimet e këtyre bisedimeve?
DRITON LAJÇI
Ky është disavantazhi më i madh dhe dëmi më i madh nëse i është shkaktuar Kosovës është se Serbia do t’i prezantojë se këto janë biseda politike dhe normalisht do të dërgojë emisarë, letra, kontakte që mos të nguten ato vende, të cilat kanë qenë të rezervuara deri tash dhe që e kanë pritur mendimin e GJND-së që mos ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Prandaj, ky është terren i rrëshqitshëm për Kosovën, sepse Serbia do të përpiqet ta kapitalizojë maksimalisht, që do të thotë se mund të ndikojë te vendet, të cilat janë duke planifikuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.