Shuarja e bizneseve dhe pasojat e tyre


Politikat jofavorizuese për biznes, mungesa e mjeteve financiare, normat e larta të kredisë, jostabiliteti me energji elektrike, janë disa nga shkaktarët që po ndikojnë në shuarjen e bizneseve në Kosovë, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se për çdo vit në Kosovë falimentojnë mbi 1000 biznese dhe me këtë shuhen mbi 2000 vende pune.

“Kjo është një ndër fenomenet dhe sinjal i keq për investitorët e huaj. Kjo është si pasojë e mosfunksionalizimit të ekzekutivit të shtetit në tërë territorin e Kosovës, që po krijon joformalitet të madh në biznes, po krijon konkurrencë jolegale dhe po krijon turbulencë në biznes”
, thotë Shahini

Edhe zyrtarë qeveritarë pohojnë se në Kosovë vetëm vitin e kaluar janë shuar mbi 1100 biznese.

Në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ekziston Agjencia për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, e cila ka për obligim identifikimin e faktorëve që ndikojnë në shuarjen e bizneseve.

Naser Graiçevci, udhëheqës i kësaj agjencie, pranon se në mesin e shumë faktorëve të shuarjes se bizneseve, paraqitet ekonomia joformale, e që zakonisht rrjedh nga pikat doganore në veri të Mitrovicës.
Janë një mori shkaqesh, por kryesorja është mungesa e financimit...


“Janë edhe çështje të konkurrencës joligjore, që kanë ardhur kryesisht nga pjesa e veriut, ku kufijtë kanë qenë të hapur për tregtim të palejueshëm. Janë një mori shkaqesh, por kryesorja është mungesa e financimit. Ju e dini se Kosova është gati i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka financim të programeve të bizneseve për fillim”,
thekson Graiçevci.


Megjithatë, Graicevci thotë se autoritetet kompetente vazhdimisht po mundohen që të krijojnë ambient të favorshëm për komunitetin e biznesit.

Por, Agim Shahini konsideron se deklarimet dhe realiteti në Kosovë, sa i përket sektorit privat janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Ai madje, thekson se falimentimi i bizneseve po ndikon edhe tek investitorët e huaj.
Deklarimet janë diçka tjetër, përpjekjet diçka tjetër, kurse realiteti është krejt diçka tjetër. Realiteti është se neve në vit po na mbyllen 1100 biznese...


“Deklarimet janë diçka tjetër, përpjekjet diçka tjetër, kurse realiteti është krejt diçka tjetër. Realiteti është se neve në vit po na mbyllen 1100 biznese. Ka deklarime të shpeshta se po tentohet të bëhet diçka më mirë, por edhe rënia e investimeve në Kosovë është një indikator tjetër, që Kosova nuk është një vend i përshtatshëm për investime”
, thekson Shahini.

Për ambient të pafavorshëm biznesor, Kosova vazhdimisht është kritikuar edhe në raportet e Bankës Botërore. Në njërin nga raportet e fundit të këtij institucioni, Kosova kritikohet për procedura të tepërta për fillimin e një biznesi.

Në raportin e Bankës Botërore të titulluar “Të bësh biznes”, Kosova ishte radhitur e 163-ta nga 183 vende të botës, në lidhje me fillimin e një biznesi të ri.