Thirrje për tërheqjen e rezolutës

Asambleja e Përgjithshme

Autoritetet kosovare dhe përfaqësues të shteteve të Kuintit në Prishtinë i kanë bërë thirrje Serbisë që ta tërheqë draft-rezolutën kundër shtetësisë së Kosovës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë se forma dhe përmbajtja aktuale e draft-rezolutës serbe pengon përmirësimin e raporteve në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe të ardhmen evropiane e të dy vendeve.

Çfarëdo ndryshimi eventual i kësaj rezolute, sipas tij, nuk do t’i kontribuonte procesit për shkak të, siç ka thënë ai, karakterit destruktiv të dokumentit.

“Është e padobishme, madje-madje konsideroj që është krejtësisht kundërproduktive çfarëdo përpjekje për të amendamentuar draft-rezolutën serbe, përkatësisht për të bërë rezolutë të përbashkët, sepse kjo draft-rezolutë e Republikës së Serbisë, siç është sot, është në çdo pikë e presje, destruktive dhe nuk u ndihmon proceseve pozitive”
, ka thënë shefi i diplomacisë kosovare pas një takimi që zhvilloi me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Endru Sparks.

Sparks ka ritheksuar qëndrimin kundërshtues të Londrës për draft-rezolutën serbe dhe shprehu bindjen për dështimin e iniciativës serbe në OKB.

“Nëse Serbia vazhdon me draft-rezolutën aktuale, nuk mund të jemi të sigurt, por ka gjasa të mira që ajo të dështojë”
, ka thënë Sparks.

Tutje, Sparks ka theksuar se me tërheqjen e draft-rezolutës serbe do t’i hapej rruga fillimit të bisedimeve si dy shtete ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Nevoja për fillimin e menjëhershëm të bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë u theksua edhe në raportin e fundit për Kosovën të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, ku thuhej se bisedimet ndërmjet palëve do të duhej të përfundonin në verën e vitit të ardhshëm për të shmangur konflikte të reja ndërmjet të dy vendeve.

Me gjithë presionin e shtuar ndërkombëtar mbi diplomacinë serbe për përmirësimin e raporteve me Kosovën, analisti Agron Bajrami është shprehur pesimist për mundësinë që së shpejti të nisë ndonjë proces i bisedimeve, me formatin dhe temat e të cilave do të pajtoheshin Kosova e Serbia.

“Nuk e besoj se është për t’u pritur se ndonjë proces kuptimplotë i bisedimeve mund të ndodhë shumë shpejt, sidomos jo përderisa nuk e kemi të qartë agjendën dhe përderisa ekzistojnë këndvështrime të kundërta rreth asaj se për çka duhet të diskutohet”,
është shprehur Bajrami.

Përpjekjet për ta shtyrë Beogradin zyrtar që ta ndryshojë draft-rezolutën për Kosovën në OKB janë bërë në ditët e fundit, nga ministri i Jashtëm gjerman, Gido Vestervelle dhe sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Uilliem Hejg.

Bllokimi i draft-rezolutës serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është synim i vendeve të Kuintit, të cilat po përpiqen që paraprakisht ta eliminojnë fjalën “status” nga përmbajtja e dokumentit që synon të vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës.

Sipas tyre, çështja statusit të Kosovës ka përfunduar dhe është mbështetur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – trupi më i lartë i drejtësisë në botë.