Cilësia e arsimit, në krizë?

Fotografi ilustruese


Ekspertë të çështjeve të arsimit shprehin shqetësimet e tyre për nivelin e ulët të cilësisë së arsimit në Kosovë. Sipas tyre, pavarësisht investimeve në këtë sistem, cilësia e arsimit, si në ciklin e ulët, ashtu edhe në atë universitar, ende ka mbetur nën nivelin e dëshirueshëm.

Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se cilësia e arsimit në Kosovë nuk u garanton qytetarëve që të përballen me problemet jetësore dhe të marrin pjesë aktive në tregun botëror të punës.

Në sistemin e arsimit nxënësit kosovarë nuk i fitojnë shkathtësitë e shekullit XXI dhe për këtë, thotë Hyseni, sistemi i arsimit është duke u futur në një krizë gjithnjë e më të thellë.
Në arsimin tonë bëhet memorizimi i fakteve, do të thotë përqendrimi është në të mbajturit mend të dijeve deklarative...


“Janë gjithsej gjashtë shkathtësi të shekullit XXI. E para është që nxënësit tanë duhet të fitojnë dhe të krijojnë një përgjegjësi individuale edhe shoqërore. Arsimi ynë nuk e siguron atë”.

“E dyta është që të zhvillohet mendimi kritik, ndërsa sistemi arsimor nuk e zhvillon të menduarit kritik. Në arsimin tonë bëhet memorizimi i fakteve, do të thotë përqendrimi është në të mbajturit mend të dijeve deklarative”,
thotë Hyseni.

Artan Behrami, këshilltar politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thotë se duke marrë parasysh kushtet, në të cilat ka qenë sistemi arsimor në të kaluarën, gjendja aktuale ka përmirësime.

“Ne e kemi rritur cilësinë e arsimit, edhe nëpërmjet vlerësimeve të jashtme, që i ka bërë MASHT-i; në synojmë po ashtu që të rrisim cilësinë në arsim përmes zbatimit të korrikulumit të ri, programeve mësimore, zhvillimit profesional të mësimdhënësve, përpilimit të standardeve të teksteve, etj”,
shpjegon Behrami.

Por, arsyeja tjetër e nivelit të ulët të cilësisë së arsimit, thotë Hyseni, është sepse autoritetet kompetente po bazohen në modelet ndërkombëtare, që sipas Hysenit, nuk mund të zbatohen në Kosovë, për shkak të kulturës dhe kushteve që posedon vendi.

“Ato modele, sado që janë të avancuara, nuk mund të aplikohen në sistemin e arsimit në gjendjen që është, sepse nuk ekzistojnë kushtet për aplikimin e tyre. Në këtë aspekt mendoj se duhet mendja e shkolluar, truri nacional vendor duhet të jetë më i pranuar në këto ndryshime, është tërësisht i zbehur
”, vlerëson Hyseni.

Lidhur me këtë, Artan Behrami, nga Ministria e Arsimit, thotë:
Ne duhet t’i kemi referencë shtetet e Evropës, sepse atje synojmë të shkojmë, por ne gjithsesi kemi parasysh edhe standardin dhe rrethanat që janë në Kosovë...


“Ne bazohemi në modele ndërkombëtare, por i përshtatemi mentalitetit dhe punës në Kosovë. Këtë e kemi bërë në të kaluarën dhe këtë do ta bëjmë edhe në të ardhmen”.

“Ne duhet t’i kemi referencë shtetet e Evropës, sepse atje synojmë të shkojmë, por ne gjithsesi kemi parasysh edhe standardin dhe rrethanat që janë në Kosovë”.


Ndryshe, sipas ekspertëve të arsimit, shkaktar tjetër i cilësisë së ulët të arsimit, janë pagat e ulëta të mësimdhënësve. Sipas tyre, paga që marrin mësimdhënësit, i ka detyruar ata që ta braktisin arsimin, ndërsa një pjesë tjetër është detyruar të punojë edhe ndonjë punë të dytë.


Lexoni edhe këtë: Sa dhe kur do të rriten rrogat?