“Nuk mendoj se Serbia do t’ia dalë me këtë rezolutë (në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së), edhe pse për momentin ata janë të bindur në fitore. Shtetet e Kuintit- katër evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, po përpiqen ta bindin Serbinë që në draft-rezolutë të përmendet statusi i Kosovës për t’ia mundësuar Serbisë kandidaturën (në BE). Kjo çështje vazhdon të jetë në tryezë”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e Këshillit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko.
RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Biserko, me iniciativë të Serbisë, çështja e Kosovës do të jetë në agjendën e mbledhjes së radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Çfarë prisni se do të dalë nga ky takim për Kosovën sikurse për Serbinë?
SONJA BISERKO
Lëvizja e fundit e Beogradit që, fillimisht, të mos e pranojë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili përjashtoi çdo mundësi të ndryshimit të statusit të Kosovës, apo negociatave për të, është reflektim i mosgatishmërisë së Serbisë për ta pranuar këtë realitet të ri.
Në fakt, ata po përpiqen që të shfrytëzojnë mospajtimet brenda Bashkësisë Ndërkombëtare lidhur me këtë temë, e cila në të vërtetë nuk ka të bëjë aq shumë me Serbinë sa me çështje të tjera të pazgjidhura në botë. Sidoqoftë, nuk mendoj se Serbia do t’ia dalë me këtë rezolutë, edhe pse për momentin janë të bindur në fitore.
Ministri Jeremiq shpeshherë ka thënë se duhet të finalizohen përpjekjet për këtë, pavarësisht kundërshtimit të organizuar kryesisht nga shtetet perëndimore. Në anën tjetër, shtetet e Kuintit- katër evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, po përpiqen ta bindin Serbinë që në draft-rezolutë të përmendet statusi i Kosovës për t’ia mundësuar Serbisë kandidaturën (në BE). Kjo çështje vazhdon të jetë në tryezë.
Ditë më parë, në Serbi qëndroi ministri i Jashtëm gjerman, i cili pati biseda me koalicionin qeverisës dhe opozitën. Nuk është bërë asgjë publike lidhur me këto takime, por ka zëra që thonë se Serbia e ka kundërshtuar këtë mundësi, ndërsa thuhet, po ashtu, se Tadiqi do ta marrë parasysh këtë opsion. Mundësia e Serbisë për të vazhduar me këtë qëndrim do të varet shumë nga gjendja ekonomike e vendit dhe varësia nga Bashkimi Evropian, e sidomos nga Gjermania.
Pra, kjo është një gjë që duhet të merret parasysh, e po ashtu qëndrimet e strategëve nacionalistë që vazhdojnë të jenë të fuqishëm e të kenë ndikim në politikën e jashtme serbe, sidomos në atë që ka të bëjë me Kosovën. Ky diskurs përshkohet nga një ndjenjë që Serbia duhet të presë edhe pak për të vazhduar me rifillimin e negociatave me një qëllim të vetëm, e që është ndarja e Kosovës.
Unë do të thosha se prapa fiksimit serb për Kosovën fshihet synimi për Bosnjën, sepse paralelisht me dinamikën karshi Kosovës, Millorad Dodik vazhdimisht po thekson se Bosnja nuk është shtet i qëndrueshëm. Nëse Bosnja do të hiqte dorë nga Republika Srpska, Republika Srpska do të bëhej pjesë e Serbisë.
Pra, vëmendja e ndërkombëtarëve, përfshirë Ministrinë e Jashtme gjermane, momentalisht është e përqendruar në finalizimin e krizës ballkanike. Serbia po i reziston kësaj dhe po bën përpjekjet e fundit për t’iu shmangur kësaj duke kërkuar rivendosjen e negociatave për statusin e Kosovës, gjë që është kundërshtuar nga të gjithë aktorët kryesorë ndërkombëtarë, e në radhë të parë nga BE-ja dhe SHBA-të.
Këto po përpiqen të lobojnë për votimin kundër rezolutës serbe, por kjo do të varet shumë nga mënyra se si do ta presin këtë rezolutë anëtarët e tjerë të Kombeve të Bashkuara. Serbia po përpiqet të ndikojë te vendet fqinjë që e kanë njohur Kosovën si Kroacia, Mali i Zi e Maqedonia që të mos votojnë.
Në muajt e fundit Serbia ka synuar që përmes kanaleve të ndryshme, si Turqia ,të ndikojë në marrëdhëniet me këto shtete, të cilat ishin tensionuar pas njohjes së shtetësisë së Kosovës nga ana e tyre, në mënyrë që këto shtete të mos votojnë.
RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Biserko, ju përmendët negociatat. Pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Bashkësia Ndërkombëtare po kërkon një dialog ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Cilat do të duhej të ishin temat, të cilat kanë nevojë të diskutohen ndërmjet të dy palëve?
SONJA BISERKO
Ajo që veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja po e kërkojnë, është fillimi i negociatave teknike ku do të shqyrtoheshin temat për përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. Ata kanë, gjithashtu, parasysh gjendjen e minoritetit serb në Kosovë dhe monumentet kulturore, që sipas Planit Ahtisari, gëzojnë një status të veçantë.
Edhe pse Serbia nuk e pranon Planin Ahtisari, ai është i inkorporuar në dokumentet kryesore të Kosovës. Pra, këto vende duan ta shohin integrimin e serbëve në jetën shoqërore e institucionale në Kosovë dhe zbatimin e Planit Ahtisari.
RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, ditë më parë Grupi Ndërkombëtar i Krizave publikoi raportin e fundit që flet për Kosovën e Serbinë pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së. Raporti rekomandon tri, të ashtuquajtura, zgjidhje të përfytyrueshme për veriun e Kosovës: Planin Ahtisari - të cilin e përmendet ju, një autonomi të zgjeruar dhe shkëmbimin e kësaj pjese me një pjesë të Serbisë. Çfarë mendoni për këto dy ide?
SONJA BISERKO
Realisht këto nuk janë të mundshme në këtë moment, sepse çdo rinim i negociatave për status, do të nënkuptonte hapjen e kutisë së Pandorës. Nuk bëhet fjalë vetëm për Kosovën e Serbinë apo veriun e Kosovës, por në të vërtetë bëhet fjalë për çështje të ngjashme në rajon dhe më gjerë. Shkëmbimi i territoreve është përmendur jo zyrtarisht si ide në muajt e fundit dhe mendoj se Grupi Ndërkombëtar i Krizave e ka përmendur atë për të dalë në publik kjo ide.
Mendoj se Serbia nuk është në favor të shkëmbimit të territoreve për shkak të Preshevës, që e sheh si pikë të sajën strategjike. Andaj, nuk jam e sigurt që me këtë do të kënaqej apetiti i Beogradit, sepse ajo që dëshiron Serbia është që të marrë veriun për ta legjitimuar kërkesën e saj lidhur me Bosnjën.
Pra, do të thosha që Bosnja dhe Kosova janë çështje të ndërlidhura dhe të ngjashme dhe është e vështirë të diskutohet për Kosovën pa e përmendur Bosnjën. Dodik vazhdimisht po na rikujton këtë duke përsëritur fjalinë e famshme që ‘Bosnja nuk është një shtet i qëndrueshëm’.
RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni se duhet të bëjnë vendimmarrësit vendorë e ndërkombëtarë në lidhje me veriun e Kosovës?
SONJA BISERKO
Mendoj se veriu i Kosovës duhet të bëhet pjesë e Kosovës. Janë vetëm disa ose një grup i vogël i njerëzve në veri që po i pengojnë serbët të marrin pjesë në jetën në Kosovë. Serbët në Kosovë janë mjaft të vetëdijshëm për pozitën e tyre në Kosovë apo eventualisht nesër në Serbi.
Në fakt, Plani Ahtisari ua mundëson atyre një pozitë të privilegjuar dhe zbatimi i tij do t’i bënte ata grupin më të privilegjuar në Kosovë. Beogradi nuk e dëshiron këtë- është një situatë e ngjashme me atë që e kemi pasur në Kroaci më 1994-1995 kur serbëve të Kroacisë, përmes një plani, iu dha e drejta për një pothuaj një shtet të veçuar, me një valutë të veçuar dhe gjëra të tjera të veçuara-gjë që Beogradi e lejonte.
Pra, kjo është një situatë e ngjashme e ndarjes, sepse synimi i nacionalistëve nuk është që të mbajë serbët në Kosovë, por të marrë veriun e Kosovës dhe gjysmën e Bosnjës.