Njohja e Kosovës, mesazh për BE-në

Guido Vestervelle, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi

“Pavarësia dhe integriteti i shtetit të Kosovës janë një realitet”, tha në Prishtinë ministri Jashtëm i Gjermanisë, Guido Vestervelle. Ai u bëri thirrje pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë. Ndërkaq, konfirmoi se nuk ka arritur pajtueshmëri me autoritetet në Beograd lidhur me rezolutën që ky vend mëton ta procedojë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Vestervelle, u komentoi liderëve politikë në Kosovë se nuk kishte arritur t’i bindte autoritetet në Beograd që të mos e procedojnë rezolutën për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Pas një takimi të përbashkët që ministri i Jashtëm gjerman zhvilloi me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, ai tha se për Gjermaninë pavarësia dhe integriteti i Kosovës janë realitet që tashmë është vërtetuar edhe me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ndërkaq, pavarësisht përpjekjeve të tij që t’i bindë autoritetet serbe që të rimodifikojnë, apo të mos e procedojnë fare rezolutën, me të cilën Serbia e fton Asamblenë e Përgjithshme të kërkojë negociata të reja për statusin e Kosovës, Vestervelle tha se nuk kishte arritur pajtimin me lidershipin në Beograd.

Guido Vestervelle

“Duhet të themi se për momentin ne nuk jemi pajtuar në disa çështje, marr shembull dërgimin e rezolutës në Nju Jork”
, tha diplomati gjerman Vestervelle.

Ai inkurajoi Serbinë dhe vendet tjera që aspirojnë integrimet, të angazhohen dhe të tregohen konstruktive në mënyrë që të jenë të gatshme edhe për kompromise.

Sa u përket raporteve Kosovë – Serbi, Vestervelle tha se Bashkimi Evropian është i interesuar të mbështesë çdo lloj bisedimi të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunim konstruktiv ndërmjet të dyja vendeve.

“Besojmë se e ardhmja e Ballkanit është perspektiva në Bashkimin Evropian”,
tha Vestervelle.

Ministri gjerman u bëri thirrje dhe pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, të mos hezitojnë dhe të veprojnë si shumica e vendeve të BE-së.

“Ka një shqetësim te disa vende se njohja e Kosovës do të kishte një domethënie edhe për konfliktet dhe rastet në shtete të ndryshme në botë. Por, duhet të themi se nuk ka pasoja, pasi që njohja e Kosovës, ka të bëjë me një rast ‘sui generis’".

“Pavarësia dhe integriteti i shtetit të Kosovës janë një realitet. Këtë gjë e ka vërtetuar së fundit edhe mendimi i GJND-së, i cili ishte shumë i qartë”
, theksoi Vestervelle.

Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu tha se e ka njoftuar diplomatin gjerman me gatishmërinë e Kosovës që krahas raporteve të mira me vendet fqinje, të ndërtojë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë, por mbi parimin e dy shteteve të barabarta.

Fatmir Sejdiu

“E theksuam, po ashtu, vizionin tonë të qartë për raporte të mira, të shkëlqyeshme me të gjithë fqinjët tanë dhe vullnetin që raporte të tilla t’i kemi edhe me Republikën e Serbisë dhe theksuam të njëjtën kohë se punët e mëdha që i kemi bërë dhe garancitë e rëndësishme për një zhvillim të shpejtuar dhe investime të jashtme në Kosovë”,
tha Sejdiu.

Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi kundërshtuan idetë e prezantuara edhe nga raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për autonominë e veriut, apo shkëmbimin e territoreve.


Kryeministri Thaçi tha se nuk ka kthim prapa, pasi që me Pakon e Ahtisarit dhe deklaratën e pavarësisë, Kosova tashmë e ka të definuar statusin për më se dy vjet.
Hashim Thaçi


“Gjuha dhe idetë e këtij raporti janë jashtë çdo realiteti dhe nuk i përputhen kohës, suksesit, progresit të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës. Integriteti territorial është i paprekshëm dhe i njohur ndërkombëtarisht dhe në asnjë rrethanë nuk do të ketë ide në agjendën tonë shtetërore për ndonjë shkëmbim territori apo autonomi”,
theksoi Thaçi.

Giudo Vestervelle mbajti një fjalim edhe para Kuvendit të Kosovës gjatë një seance solemne të thirrur për nder të vizitës së tij në Kosovë.

Ligjvënësit kosovarë ai i siguroi se Gjermania ka mbështetur dhe do ta mbështesë Kosovën si një shtet të pavarur që synon integrimet evropiane. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, tha ai, duke premtuar dhe ndihmën e diplomacisë gjermane në shtimin e numrit të njohjeve.

Më pas, ai vizitoi edhe komunën e re të Graçanicës, ku u takua me përfaqësuesit e zgjedhur të komunitetit serb nga procesi i fundit i zgjedhjeve lokale.

Në kuadër të turneut diplomatik në rajon, para se të vijë në Prishtinë, ministri i Jashtëm gjerman kishte qëndruar edhe në Beograd.

Atje ai i bëri thirrje Serbisë që të pajtohet me pavarësinë e Kosovës. Kurse, në vend se të propozojë rezoluta, ai u propozoi autoriteteve serbe që t’i nisin bisedimet me Kosovën.