Prishtina zyrtare hodhi poshtë mundësinë që të hyjë në biseda me Serbinë për shkëmbim territoresh, apo autonominë e veriut të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se me Serbinë mund të ketë vetëm bashkëpunim ndërshtetëror.
“Nuk do të ketë në asnjë rrethanë as shkëmbim territoresh, as autonomi e as biseda me Serbinë për çështjet e serbëve të Kosovës. Me Serbinë do të ketë vetëm partneritet ndër-shtetëror”, u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar gjatë mbledhjes së fundit të Qeverisë së vendit.
Komentet e kryeministrit Thaçi erdhën pas publikimit të raportit të fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën , i cili sugjeron tri, siç thuhet, zgjidhje të përfytyrueshme për veriun e Kosovës, që mund të arriheshin gjatë bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit zyrtar.
Plani i Ahtisaarit, autonomia më e zgjeruar dhe shkëmbimi i territoreve, janë sipas ICG-së tri mënyrat se si mund të zgjidhej problemi i veriut të Kosovës.
Mirëpo, Thaçi tha se për institucionet kosovare vlen vetëm Kushtetuta e Kosovës, ligjet e vendit dhe Plani Ahtisaari.
“Dokumenti i presidentit Ahtisaari, Kushtetuta dhe ligjet tona janë baza e fuqishme e shtet-ndërtimit tonë”, theksoi Thaçi.
Plani i Ahtisaarit, sipas përfaqësuesve të Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, do të ishte zgjidhja më e mirë për veriun e Kosovës.
Hulumtuesi në zyrën e ICG-së në Kosovë, Naim Rashiti, tha se rekomandimet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave për veriun e Kosovës janë bërë për shkak se, siç u shpreh ai, veriu është në status-quo.
Rashiti tha se lidhur me veriun Kosova duhet të negociojë me Serbinë për një formë të vetëqeverisjes - një formë të Ahtisarit plus, e cila nuk do të rrezikonte integritetin territorial të Kosovës.
“Për ne, Plani i Ahtisarit mbetet zgjidhja e preferuar, por realiteti në terren tregon ndryshe. Veriun nuk e kënaq dhe me mekanizmat që ofron Ahtisaari me gjasë duket vështirë të integrohet veriu. Kjo për faktin që veriu është kryesisht nën kontrollin e Beogradit”, tha Rashiti.
Mundësia për shkëmbimin e pjesës veriore të Kosovës me pjesën e banuar me shqiptarë në Preshevë, apo krijimin e një autonomie më të gjerë për veriun e Kosovës, vlerësohet ndryshe në Beogradin zyrtar.
Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se Serbia nuk do të heqë dorë nga i tërë territori i Kosovës, e aq më pak nga pjesa veriore e banuar me shumicë serbe.
"Ide të këtilla ka pasur edhe më parë, por ne atëherë dhe tash kemi pasur qëndrim parimor se në bazë të Kushtetutës së Serbisë, Kosova dhe jugu i Serbisë janë pjesë përbërëse të Republikës se Serbisë dhe nuk mund të shkëmbehen”.
“Kështu vjen sikur e shkëmbejmë tonën me tonën. Sado që të duket e çuditshme, ne nuk do të heqim dorë nga i gjithë territori i Kosovës, kurse për veriun as që bëhet fjalë. Pjesën veriore de jure dhe de facto e kontrollon komuniteti serb, prandaj nuk ka arsye të vihemi në situatë që të mendojmë për çfarëdo shkëmbimi", u shpreh Ivanoviq.
Në raportin e ICG-së thuhet se një autonomi më e madhe për veriun dhe një status autonom për monumentet Ortodokse Serbe, siç parashihet në Planin Ahtisaari, në shkëmbim për njohjen nga ana e Serbisë do të duhej të ishte e pranueshme për të dy palët.
Rashiti theksoi se njohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë do të duhej të ishte qëllimi i fundit i bisedimeve ndërmjet të dy palëve.
Qëllimi final i këtyre negociatave duhet të jetë njohja dhe Serbia duhet të hyjë në këto negociata...
“Qëllimi final i këtyre negociatave duhet të jetë njohja dhe Serbia duhet të hyjë në këto negociata, së paku, duke e njohur në mënyrë implicite autoritetin dhe sovranin e këtij vendi”, theksoi Rashiti.
Megjithatë, idetë për shkëmbimin e territoreve janë kundërshtuar shpeshherë edhe nga përfaqësues të Brukselit dhe Uashingtonit zyrtar, ngase siç thuhej, ka kaluar koha e rivizatimit të kufijve në Ballkan.
* * *
GNK: Tri zgjidhje për veriun
Grupi Ndërkombëtar i Krizave i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që me një ndërmjetësim të nivelit të lartë ndërkombëtar, pas prezantimit të mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të nisin sa më parë dialogun për të diskutuar për çështjet e pazgjidhura ndërmjet dy vendeve.
“Dështimi për të negociuar në muajt e ardhshëm, mund ta ngrijë konfliktin për disa vjet, meqë palët po hyjnë në cikle elektorale, gjatë së cilave ka gjasa që të përdoret konflikti për të mobilizuar mendimet nacionaliste dhe për t’ju shmangur kritikave për korrupsionin e brendshëm dhe për dështimet e qeverisë”, thuhet në raportin e fundit të kësaj organizate.
Lidhur me këtë, Grupi Drejtues Ndërkombëtar i Krizave i sugjeron Bashkimit Evropian, shteteve anëtarë të këtij mekanizmi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të lehtësojnë dialogun, i cili, siç thuhet, duhet të nisë sa më parë për të përfunduar në fillim të verës së 2011-ës.
Bisedimet, sipas raportit, do të duhej të përgatiteshin nga një diplomat i nivelit të lartë ndërkombëtar, e të zhvilloheshin në nivelin e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Suksesi eventual që mund të arrihej që gjatë këtyre bisedimeve në çështjet, në të cilat është e interesuar Prishtina zyrtare, e që janë çështje të nivelit teknik, si doganat, çështjet tregtare, ato të komunikacionit, transportit dhe energjisë, sipas raportit, pengohet nga mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti serb.
Prishtina thuhet se shpreson që mendimi këshillëdhënës i GJND-së t’i “japë një shtytje të fortë” procesit të njohjes së shtetësisë së vendit.
“Mirëpo, për të lëkundur qëndrimet e ngurta me Bashkimin Evropian dhe në radhët e anëtarëve të përhershëm të Këshillit (të Sigurimit), Kosovës ende i duhet pëlqimi i Serbisë për pavarësinë, së paku në mënyrë implicite përmes themelimit të një lloj marrëdhënieve diplomatike dhe eventualisht njohjes së plotë formale”, theksohet në raport.
Ndërkohë, mosmarrëveshjet kryesore ndërmjet dy palëve në terren thuhet se kanë të bëjnë me komunat në veri të Kosovës.
“Një autonomi më e madhe për veriun dhe një status autonom për monumentet Ortodokse Serbe, siç parashihet në Planin Ahtisaari, në shkëmbim për njohjen nga ana e Serbisë do të duhej të ishte e pranueshme për të dy palët”, thuhet në raport.
Lidhur me problemin e veriut, Grupi Ndërkombëtar i Krizave propozon tri zgjidhje të përfytyrueshme: Plani i Ahtisaarit, autonomia më e zgjeruar dhe shkëmbimi i territoreve.
Ndonëse ndarja e pjesës veriore të Kosovës, e cila sipas raportit, shihet si një mundësi në Beograd për t’i hapur rrugën njohjes së pjesës së mbetur të Kosovës, thuhet se është e papranueshme për Prishtinën.
Pala kosovare, megjithatë “jep disa shenja se mund të marrë parasysh shkëmbimin e veriut të banuar kryesisht me serbë, me pjesët e banuara me shqiptarë në Preshevë - në lindje të Serbisë”.
Raporti i rekomandon Qeverisë në Prishtinë që gjatë bisedimeve të pranojë një marrëveshje, e cila, ndër të tjera, do të përmbante elementet si: njohja e Kosovës me kufijtë aktuale, një autonomi të gjerë për rajonin në veri të lumit Ibër në përputhje me integritetin territorial të Kosovës, një status autonom vetëqeverisës për monumentet Ortodokse Serbe.