Qeveria shqiptare ka theksuar nevojën për hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve në rajon.
Kryeministri Sali Berisha në konferencën vjetore të ambasadorëve shqiptarë të akredituar në botë, ka thënë se rajoni duhet t’i largohet të shkuarës konfliktuale, dhe të shërbejë gjithnjë e më shumë në integrimin në Bashkimin Evropian.
Berisha ka garantuar se diplomacia shqiptare do të bëjë gjithçka për të promovuar njohjet e mëtejshme të Kosovës në botë.
“Sot, shqiptarë dhe serbë duhet që në interesin e tyre më të mirë të nisin të shkruajnë një kapitull, të shkruajnë një kapitull të ri në marrëdhëniet midis tyre – një kapitull, i cili do të jetë kapitulli i së ardhmes së tyre evropiane. Vendim i fundit i GJND-së, ishte një vendim historik”.
“Diplomacia shqiptare do t’i bëjë të gjitha përpjekjet për të promovuar njohjen e mëtejshme të Kosovës. Vendet e Kuintit janë thellësisht të angazhuara. Kosova është një çështje botërore në këtë rrafsh, por ne do të përpiqemi të luajmë rolin tonë, të japim mbështetjen tonë, të bashkërendojmë të gjitha përpjekjet tona me vendet mike, pasi njohja e pavarësisë së Kosovës nga vendet që nuk e kanë njohur është një kontribut real madhor i tyre për paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, ka thënë Berisha.
Në një mendje është shprehur edhe presidenti Bamir Topi, i cili ka theksuar se Kosova e pavarur mbetet e vetmja zgjidhje për integrimin evropian të Ballkanit.
Kreu i shtetit ka përshëndetur gjithashtu opinionin e shprehur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës:
“Unë jam i bindur, gjithashtu se opinioni i GJND-së duhet të konsiderohet si një rast i artë, moment i përshtatshëm diplomatik, të cilin Prishtina dhe Beogradi duhet ta shfrytëzojnë për të filluar e vazhduar dialogun konstruktiv të dobishëm dhe të domosdoshëm, i cili do të shënonte hapjen e një faze të re”.
“Për të filluar një kapitulli të ri në marrëdhëniet Kosovë-Serbi; të një dialogu për të ardhmen evropiane të Kosovës e të Serbisë, të ardhmen evropiane të rajonit tonë mbi çështje që janë në interes të të dy shteteve sovrane dhe në interes të të dy popujve. Mendoj se është koha që vendet e Bashkimit Evropian të veprojnë tashmë të bashkuara ndaj këtij realiteti të pakthyeshëm dhe të pakundërshtueshëm ligjor”, ka theksuar Topi.