Limani: Politikat e Qeverisë e çojnë Kosovën në krizë

Musa Limani, drejtor i Institutit Ekonomik të Kosovës

“Me politikat aktuale ekonomike të Qeverisë, Kosova është duke shkuar drejt një krize të thellë ekonomike dhe derisa në Kosovë do të ekzistojë korrupsioni, nuk do të mund të ketë zhvillim ekonomik”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Institutit Ekonomik të Kosovës, Musa Limani.

RADIO EVROPA E LIRË
Profesor Limani, në Kosovë po vazhdon të ekzistojë një gjendje e rëndë ekonomike dhe sociale pa zhvillim e rritje e ekonomike. Çfarë ka bërë që Kosova edhe më tej të ketë një gjendje të papërmirësueshme ekonomike?

MUSA LIMANI

Në qoftë se e marrim në tërësi periudhën e pasluftës, mund të themi se zhvillimi ekonomik në Kosovë nuk është bërë në mënyrë të organizuar. Nuk ka pasur ndonjë strategji, koncept të zhvillimit dhe për fat të keq zhvillimi ekonomik është bërë ad-hoc dhe pjesërisht.

Kjo ka ndodhur për arsye asnjëra qeveri, deri më tani nuk ka arritur që të formojë një politikë konsekuente dhe të hartojë një strategji të zhvillimit ekonomik, e cila do të mundësonte që të kemi një orientim të planifikuar, me koncept dhe me strategji të zhvillimit ekonomik.

Mungesa e një strategjie të tillë, mungesa e programeve ekonomike të qeverive tona, e ka sjellë ekonominë e Kosovës në një rrugë pa rrugë. Prandaj, në këto raste të gjithë treguesit globalë makroekonomikë kanë shenjat negative pos GDP-së që në sajë të sektorit privat ekonomik dhe të bujqësisë, ka arritur që të shtojë vlerën e vet.

Kurse, treguesit e tjerë kanë shenja negative, që tregon se ekonomia e Kosovës gjendet në një krizë shumë të thellë, e cila normalisht se shprehet pastaj edhe në standardin jetësor. Dhe, me të drejtë mund të konstatojmë se çështja sociale në Kosovë është shumë-shumë e rëndë dhe po vjen duke u rënduar gjithnjë e më shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi ka pasur edhe lëvizje të mëdha të çmimeve të konsumit, gjë që bëri që në Kosovë të flitet për thellim të varfërisë. Cili është komenti juaj lidhur me këtë?

MUSA LIMANI

Çështja e çmimeve është rezultat teknik, konkretisht është rezultat edhe i importit. Domethënë, në një masë të madhe te ne çmimet diktohen nga importi, për arsye se rreth 80 për qind të të gjitha të mirave materiale që nevojiten për plotësimin e nevojave të popullatës së Kosovës, importohen.

Çdo ndryshim i çmimeve në tregun ndërkombëtar dhe te fqinjët, përkatësisht te produktet, të cilat ne i importojmë për konsumin e qytetarëve tanë, shprehet në inflacion - çka do të thotë se vjen deri te përkeqësimi edhe ashtu shumë i rëndë i standardit jetësor të popullsisë.

Krejt kësaj kur ia shtojmë se pagat në Kosovë janë tejet të ulëta, atëherë del se me të vërtetë standardi jetësor te ne është duke u ashpërsuar dhe gjithnjë e rëndon kurrizin e konsumatorit, përkatësisht shtresës kryesore ose shtresës më të varfër, e cila përfshin mbi 60 për qind të popullatës së Kosovës.

Nivel i pagave që është aktualisht te ne, është përcaktuar pa ndonjë analizë, për arsye se në aspektin ekonomik pagat caktohen në bazë të nivelit të çmimeve. Shpesh e përdori termin ne kemi çmime evropiane, kurse paga afrikane.

Në këtë drejtim, kur vjen deri te ngritja e çmimeve të artikujve kryesorë për ekzistencën e popullatës, shteti duhet të intervenojë. Mirëpo, për fat të keq, te ne nuk mund të intervenojë, për arsye se mungon profesionalizmi në institucionet tona dhe nuk janë të përgatitur si qeveri që të intervenojnë.

Për të intervenuar, në këtë rast siç është shembulli i ngritjes së çmimit të bukës, një prej artikujve më kryesorë të ekzistencës së popullatës, Qeveria jonë nuk ka marrë kurrfarë masash dhe nuk mundet të marrë, sepse nuk është e përgatitur, as në aspektin legjislativ, e as në atë konkret.
Për ta bërë një gjë të tillë, Qeveria duhet të ketë rezerva shtetërore.

RADIO EVROPA E LIRË
Profesor Limani, nëse vazhdohet me këto politika aktuale, për të cilat ju thoni se nuk do të mund të sillnin zhvillim ekonomik, atëherë Kosova do të ballafaqohet edhe më tej me këtë gjendje. Cila do të ishte, sipas jush, alternativa më e mirë për të dalë nga kjo situatë?

MUSA LIMANI

Edhe në ekonomi ekziston ligji i inercionit. Normalisht se do të ecet, por do të ecet me këmbët e breshkës. Natyrisht, nuk do të vdesim nga uria, për shkak se do të funksionojë sektori privat, sidomos ai bujqësor etj. Orientimi i zhvillimit ekonomik te ne është kryesisht në infrastrukturën ekonomike, në ndërtimin e rrugëve dhe të energjisë elektrike.

Ne, si ekonomistë, e dimë se çfarë do të thotë infrastruktura, qoftë ajo rrugore, qoftë energjetika - ato paraqesin element shumë të rëndësishëm.

Mirëpo, të gjitha investimet, akumulimi i cili duhet të jetë për zhvillim ekonomik, të shkojë në infrastrukturë dhe në energjetikë, është e papranueshme dhe e pakuptueshme për logjikën e ekonomistit, sepse infrastruktura nuk është bartëse dhe nxitëse e zhvillimit ekonomik.

Ajo paraqet faktor të zhvillimit ekonomik, prandaj gjithë orientimi i zhvillimit ekonomik të Kosovës duhet të jetë kah prodhimi, sepse prodhimtaria është ajo, e cila krijon të ardhura kombëtare dhe ajo që e ngrit normën e punësimit, ngrit standardin jetësor, dhe normalisht që e zbut papunësinë dhe varfërinë, si dhe problemet sociale.

Derisa të ekzistojnë korrupsioni dhe interesat individuale grupore e partiake dhe nuk dilet mbi egon personale dhe partiake, ne nuk mund të kemi zhvillim ekonomik.

Deri më tani nuk dëgjova, as nga Qeveria, e as nga Parlamenti, që në mënyrë komplekse e shtruan në agjendën e tyre çështjen e zhvillimit ekonomik.
Opozita gjithnjë kritikon rreth problemeve politike, por edhe opozita nuk është e fortë për arsye se nuk jep zgjidhje, nuk ka alternativë, por vetëm kritikon.

RADIO EVROPA E LIRË
Është paralajmëruar se Kosova së shpejti do të jetë pjesë e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. A ka Kosova projekte për thithjen e fondeve që mund t’i ofrojë ky mekanizëm financiar?

MUSA LIMANI

Unë mendoj që ky është një hap shumë pozitiv, do të jetë një shtyllë shumë e madhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Mirëpo, në kontekst të kësaj unë do të thosha se asnjë institucion ndërkombëtar, as Banka, as Fondi Monetar, e në këtë rast as Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nuk do t’i japin Kosovës para, po e them kushtimisht, në thes. Prandaj, tash paraqitet një detyrë shumë e madhe para Qeverisë së Kosovës që të përgatitet me programe.

Duhet të kemi programe atraktive, programe, të cilat janë joshëse dhe që e arsyetojnë vetveten që ne të marrim pjesë në mjetet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Normalisht, ajo i ka kriteret e veta dhe nuk mund të japë kredi, ose të paraqitet si investitore në qoftë se nuk ka programe atraktive.

Lidhur me këtë, unë do të thosha edhe një konstatim tjetër, i cili është në favor të kësaj që po e them. Pakti i Stabilitetit është themeluar pikërisht pas mbarimit të luftës në Kosovë, më 1999 dhe pikërisht për Kosovën. Pos tjerash, ne jemi anëtarë të Paktit të Stabilitetit dhe për fat të keq deri më tani Kosova nuk ka marrë asnjë cent, jo pse Pakti i Stabilitetit nuk do ta ndihmojë Kosovën, mirëpo Kosova nuk ka përgatitur asnjë program.

Kreditë nga këto institucione nuk mund të jepen pa programe. Pra, ky duhet të jetë një sinjal që duhet të reflektojë te Qeveria e Kosovës se me rastin e anëtarësimit në BERZH, duhet të përgatiten projekte, duhet të bëhen strategji dhe një koncept se kah duhet të orientohen ato mjete.

Për mendimin tim, ato mjete duhet të orientohen kryesisht në prodhim, për arsye se deri më tani në mungesë të strategjisë së zhvillimit ekonomik në Kosovë, kryesisht janë zhvilluar degët shërbyese siç është hoteleria, tregtia etj., e shumë pak prodhimtaria.

Pa prodhimtari nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka zbutje të papunësisë, nuk ka ngritje të standardit jetësor.