Parakushtet për bisedimet e mundshme me Serbinë(?)


Autoritetet kosovare ritheksojnë se bisedimet eventuale me Serbinë do të mund të zhvilloheshin vetëm në cilësinë e dy shteteve sovrane dhe në kuadër të interesave të përbashkëta për integrime euro-atlantike.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës hedhin poshtë zërat që flasin për ekzistimin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, duke thënë se me shtetin serb ka vetëm bashkëpunim rajonal.

Pavarësisht kundërshtimit të Beogradit zyrtar ta pranojë pavarësinë e Kosovës, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, thotë për Radion Evropa e Lirë se njohja e Kosovës si palë e barabartë është parakusht për bisedime eventuale me autoritetet serbe.
Kosova dhe Serbia mund të hyjnë në bisedime vetëm si shtete të barabarta...


“Kosova dhe Serbia mund të hyjnë në bisedime vetëm si shtete të barabarta dhe të ngrenë e të diskutojnë çështje vetëm në kontekstin e bashkëpunimit rajonal dhe në kontekstin e ndihmës së njëra-tjetrës në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike. Megjithatë, nuk ka negociata, nuk ka dialog - ka vetëm bashkëpunim rajonal”
, thotë Çitaku.

Përfaqësues të opozitës kosovare e quajnë të pavolitshme për bisedime me Beogradin zyrtar situatën aktuale, në të cilën gjendet Kosova.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thekson se diplomacia kosovare do të duhej të përqendrohej në rritjen e numrit të njohjeve të shtetësisë së Kosovës për të forcuar qëndrimin e saj karshi bisedimeve eventuale me Serbinë.

Gashi shpreh domosdoshmërinë që të përgatitet një plan konkret veprimi rreth krijimit të agjendës së këtyre bisedimeve.

Ibrahim Gashi

“Çdo bisedim në këtë gjendje aktuale - me numrin e njohjeve dhe me njëfarë ofensive diplomatike të Serbisë, nëse na imponohen bisedime, sepse Serbia i kërkon ato dhe nuk mendoj se do të jenë të favorshme për Kosovën”.

“Kosova duhet të jetë e përfshirë nga fillimi si aktor shumë i barabartë në këtë proces rreth hartimit të agjendës së bisedimeve, hartimit të nivelit të këtyre bisedimeve dhe caktimit të ndërmjetësve ndërkombëtarë”
, thotë Gashi.

Ndonëse nuk kanë munguar, deri më tani, vlerësimet të cilat nuk përjashtojnë futjen e veriut në temën e bisedimeve, Gashi sugjeron që Prishtina të insistojë për mbajtjen e nivelit të dialogut me palën serbe në atë teknik.

Gashi thotë se në listën e temave të bisedimeve nuk do të duhej të figuronin çështje, sipas tij, të kryera tashmë, si statusi i Kosovës apo Plani Ahtisari.

“Konsideroj që në këtë listë do të duhej të ishin krejtësisht çështje teknike që preokupojnë qytetarët e të dy vendeve, me theks të veçantë tek ato çështje që kanë mbetur pezull që nga 99-ta e këndej, siç është çështja e të zhdukurve, çështja e lëvizjes së qytetarëve, çështja e dokumentacionit, të cilin Serbia nuk e njeh. Këto shkojnë deri te çështjet e sucesionit midis dy vendeve”
, thekson Gashi.

Tutje Gashi shton se këto çështje do të duhej të ishin në tryezat e diskutimit midis dy vendeve pasi të ketë përfunduar procesi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Para mbajtjes së sesionit të 64-të të këtij mekanizmi, Beogradi zyrtar ka dërguar një rezolutë kundër shtetësisë së Kosovës në OKB, dokument i cili pritet të jetë pjesë e diskutimeve në mbledhjes vjeshtore të Asamblesë.

E pyetur për rolin që mund të ketë rezultati i takimit të radhës së Asamblesë së Përgjithshme në pozicionin e palës kosovare për bisedimet me Serbinë, Çitaku thotë:

“Rezultati në Asamblenë e Përgjithshme nuk mund të jetë në kontradiktë me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.


Kosova, deri tash, është njohur nga 69 vende, numër ky që, pavarësisht pritjeve, nuk ka ndryshuar as pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Analistët ndërkombëtarë, ndërkohë, kanë thënë se pa e rritur në një masë të madhe numrin e njohjeve, Kosova nuk do të duhej të hynte në kurrfarë bisedimesh me shtetin serb.