Hooper: Rezoluta, do ta turpërojë Serbinë

James Hooper

“Beogradi vazhdon të ekzistojë në një botë joreale”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, James Hooper, ish-diplomat amerikan.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Hooper, sesioni i ardhshëm i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të mbahet në shtator. Çfarë zhvillimesh mund të priten nga ky sesion në raport me Kosovën?

JAMES HOOPER

Gjëja më e rëndësishme është se Serbia ka planifikuar, ashtu siç edhe ka thënë vetë, një rezolutë, për të bllokuar njohjet e mëtejshme dhe përparimin e mëtejmë drejt njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Mendoj se e gjithë kjo është një politikë dëshpërimi në Serbi.

Prandaj, gjëja e vetme dhe më e rëndësishme është që kjo duhet të pengohet dhe mendoj se do të bllokohet. Kosova duhet ta ketë nivelin më të lartë, presidentin dhe kryeministrin, duke luftuar për interesat e Kosovës dhe duke u përpjekur të sigurojnë më shumë njohje, gjatë sesionit.

Ky është një rast i vërtetë për të bllokuar fillimisht qasjen dëshpëruese të Serbisë, e cila vetëm dëshmon se sa i frustruar është vërtet Beogradi me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai tash ka dalë me këtë rezolutë, e cila në fund mbase do ta turpërojë Serbinë edhe më shumë.

Në vend se të pajtohet me realitetin e Kosovës së pavarur, ekzistencës së saj të ndarë, jo si pjesë e Serbisë, por si shtet legjitim i komunitetit ndërkombëtar, Beogradi vazhdon të ekzistojë në një botë joreale.

Bota duhet ta ndihmojë Serbinë të pajtohet me realitetin e pavarësisë së Kosovës, e kjo mund të bëhet duke e kthyer mbrapsht rezolutën e Serbisë dhe duke e rritur numrin e shteteve që e njohin Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur kritika në adresë të institucioneve të Kosovës se nuk janë duke punuar shumë në shtimin e njohjeve, posaçërisht tani pas mendimit të GJND-së. Vetë autoritetet thonë se kanë strategjinë e tyre në këtë drejtim. Ju si e shihni këtë çështje?

JAMES HOOPER
Fillimisht, edhe unë vetë jam pak i befasuar. Ka kaluar pothuajse një muaj dhe unë vetë kam parashikuar se do të ketë njohje të reja. Deri në një shkallë, mendoj se kjo është shpjeguar me faktin se është verë dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në fakt ndodhi në periudhën kur qeveritë po përmbyllnin punën e tyre vjetore.

Kam mirëkuptim për këtë situatë, por, në anën tjetër, kam shpresuar se Qeveria do të dërgojë emisarët kryesorë, duke u thënë të udhëtojnë anembanë botës, të jetojnë me valixhe në duar për një ose dy muaj dhe të mos kthehen, thënë kushtimisht, derisa të mos kenë arritur ndonjë njohje.

Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i arrijnë të gjitha dhe, megjithëqë Qeveria ka punuar shumë, duhet të punojë edhe më shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëkohësisht, autoritetet në Prishtinë kanë kërkuar ndryshimin e Rezolutës 12 44, por disa thonë se një kërkesë e këtillë ka qenë e panevojshme meqë GJND-ja ka vlerësuar se deklarata e pavarësisë nuk është në kundërshtim me këtë rezolutë. Ju si mendoni?

JAMES HOOPER
Një nga gjërat më të mira në mendimin e GJND-së, është fakti se e ka cilësuar Rezolutën 12 44 si të përkohshme. Në këtë kuptim, mund të thuhet se kjo rezolutë është tejkaluar nga ngjarjet. Kjo mund të thotë që është hapur dera për një rezolutë të re dhe kjo mendoj se u takon diplomatëve që ta vendosin.

Nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian besojnë se ka ardhur koha të ecim përtej 1244-shit, atëherë padyshim që duhet ecur. Nëse mendojnë se atmosfera nuk është shumë e përshtatshme për diçka të këtillë, atëherë nuk ka nevojë të bëhet një gjë e këtillë.

Por, dera është e hapur dhe besoj se mund të ecin përtej kësaj rezolute. Një mundësi e këtillë mund të shfrytëzohet në Asamblenë e Përgjithshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, sërish në një situatë pas GJND, si e shihni rolin e Bashkimit Evropian në Kosovë – misionet ndërkombëtare kanë thënë se nuk do ta ndryshojnë qasjen e tyre neutrale karshi statusit?

JAMES HOOPER

Të qenët neutral karshi statusit, kur 22 vende nga 27 gjithsej sa ka Bashkimi Evropian, është një situatë e çuditshme.

Megjithatë, kjo, në fakt, dëshmon për domosdoshmërinë që Bashkimi Evropian të ketë një politikë mbi situatën në veri. Ata duhet të veprojnë sikur veriu të jetë pjesë e Kosovës. Koha po ecën dhe Serbia nuk mund të lejohet ta vazhdojë zvarritjen e kësaj çështjeje.

Ndërkombëtarët, në parim dhe retorikë, e kanë trajtuar veriun si pjesë të Kosovës, por në praktikat e tyre të përditshme e trajtojnë veriun si pjesë të Serbisë.

Veriu duhet të fillojë gradualisht të futet nën sundimin e Prishtinës dhe kjo duhet të bëhet ngadalë, por qëllimisht, hap pas hapi.

Një fillim i mbarë do të ishte arrestimi i disa liderëve bandash politike, të cilët udhëheqin me veriun dhe terrorizojnë njerëzit. Dhe, nëse ndërkombëtarët nuk e bëjnë as këtë, atëherë i dërgon sinjale Beogradit se do të hyjmë në një konflikt të ngrirë jostabil.

RADIO EVROPA E LIRË
A mundet situata në veri të jetë një nga çështjet e atyre që po quhen bisedime teknike Prishtinë – Beograd, për të cilat thirrjet po vijnë nga autoritetet ndërkombëtare?

JAMES HOOPER

Unë do të isha shumë i kujdesshëm për të filluar çfarëdo bisedimesh me Serbinë, përfshirë edhe ato teknike, derisa Kosova të mos ketë një numër më të madh njohjesh.

Nëse bisedimet fillojnë, atëherë Serbia do t’i shfrytëzojë ato nëpërmjet korpusit diplomatik efektiv të cilin e ka – shumë më efektiv sesa të Kosovës – për t’i bindur vendet tjera që të zvarrisin njohjen e shtetit të ri, duke thënë se bisedimet janë duke u zhvilluar.

Kosova nuk do të duhej të hynte në asnjë formë bisedimesh derisa, sipas mendimit tim, të mos ketë arritur së paku 100 njohje. Megjithatë, nëse do të ketë bisedime dikur, kurdo qoftë, atëherë së paku ato duhet të kenë afat të caktuar, për të mos u shfrytëzuar nga Beogradi për të shmangur pajtueshmërinë me realitetin e Kosovës së pavarur.